Gratë në demonstrata për rastin Kavanaugh

Amerika

Gratë në demonstrata për rastin Kavanaugh

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 17:37
Protesta para Kongresit amerikan

Ndërsa në Kongres Komisioni Juridik i Senatit dëgjonte dëshmitë e të emëruarit për Gjyaktën e Lartë Brett Kavanaugh dhe gruas që e akuzon atë për sulm seksual 36 vjet më parë, pati demonstrata me pjesëmarrjen e një numri të madh grash. Shumë prej tyre kishin dalë në mbështetje të akuzueses, profesores së universitetit, Christine Blasey Ford. Por ka edhe gra që mbështetin zotin Kavanaugh. Shumë njerëzve ky rast u kujton një incident të ngjashëm të vitit 1991, kur avokatja Anita Hill akuzoi për ngacmin seksual të emëruarin e atëhershëm për në Gjykatën e Lartë, Clarence Thomas.

Demonstruesit anti-Kavanaugh u mblodhën para Gjykatës së Lartë, me thirrje në mbështetje të gruas që e akuzoi Brett Kavanaugh-në për sulmin, që ajo thotë se i ndryshoi jetën. Republikanët kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e akuzave të zonjës Ford, që dolën shumë vjet pas sulmit që ajo thotë se ka ndodhur. Shumë gra thanë se protesta e tyre synon të ndryshojë kulturën e fajësimit të viktimës.

"Jemi këtu sepse duam t’u kujtojmë njerëzve se gratë e dinë se gratë nuk gënjejnë, por Kavanaugh ka gënjyer në çdo hap të procesit.”- tha Ilyse Hogue, e Ligës Kombëtare për të Drejtën e Abortit.

Por ka edhe gra që e mbështesnin Brett Kavanaugh-në. Një prej tyre akuzoi palën tjetër se i kishin paguar që të demonstronin.

"Dua që njerzit ta dine se protestuesit janë të paguar ose njerëz që punojnë për organizata që I paguajnë të protestojnë”, thotë Danielle Buck, e grupit “Gratë e Shqetësuara për Amerikën”.

Seanca e dëshmive të së enjtes të kujton rastin e vitit 1991 të Anita Hill-it, një avokate që akuzoi për ngacmin seksual të emëruarin e atëhershëm të Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas. Mohimet nga zoti Thomas u pranuan dhe kandidatura e tij u miratua. Këngëtarja dhe aktorja e Hollivudit Barbra Streisand, thotë se marrja në pyetje e të dyja grave ishte e padrejtë.

"Burrat nuk kanë prirjen t’i besojnë gratë dhe kjo është e frikshme. Ky rast nuk është shumë i ndryshëm nga ai i Anita Hillit në vitin 1991: kujtoj mirë që ishim të gozhduar para televizionit dhe thonim; “O zot, çfarë po i bëjnë këta burra bërë kësaj gruaje?”- tha këngëtarja dhe aktorja Barbara Streisand.

Disa analistë thonë se rasti i zonjës Hill nuk ka ndikuar shumë në politikën amerikane.

"Ne nuk kemi mësuar asgjë sepse vazhdojmë të jemi në një pozitë, kur sjellim të dëshmojnë një burrë dhe një grua, pa dëshmitarë të tjerë, kur koha është e kufizuar dhe përpiqemi ta zgjidhim problemin në këtë mënyrë.”- thotë Leigh Goodmark, profesor i juridikut në Universitetin e Merilendit.

Por diskutimet në publik dhe ato private për sulmet seksuale kanë ndryshuar ndjeshëm që nga viti 1991. Vëzhguesit thonë se sot flitet shumë më tepër për ndikimin e një eksperience traumatike në jetën e njerëzve dhe për arsyet përse shumë gra nuk flasin për to. Analistët thonë se ndarjet politike në vend janë më të thella se kurrë dhe kjo është arsyeja që përkrahësit e zotit Kavanaugh, qofshin gra, apo burra, nuk do të ndikohen nga dëshmia e zonjës Ford./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat