Karvani i emigrantëve hondurianë i drejtohet Meksikës - Bota Sot
Karvani i emigrantëve hondurianë i drejtohet Meksikës

Amerika

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Karvani i emigrantëve hondurianë i drejtohet Meksikës

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 18:31
Emigrantët hondurianë

Pasi kaluan natën në një stacion treni në Guatemala, mijëra emigrantë hondurianë rifilluan udhëtimin e tyre me këmbë drejt Shteteve të Bashkuara. Gra, burra dhe fëmijë i janë bashkuar të mbiquajturit “rrugëtimi i emigrantëve”. Ata thonë se po i largohen dhunës, varfërisë dhe mungesës së mundësive. Presidenti Donald Trump paralajmëroi qeverinë hondurase se nëse nuk ndalon karvanin, atëherë nuk do të ketë më fonde dhe ndihma për këtë vend të Amerikës Qendrore.

Të vendosur për të gjetur një të ardhme më të mirë, mbi 3 mijë emigrantë nga Hondurasi vazhduan të ecin përgjatë Amerikës Qendrore drejt Shteteve të Bashkuara.

Anëtarët e karvanit thonë se kërkojnë me dëshpërim ndihmë dhe punë.

“Qajmë pasi kemi lënë fëmijët pas. Ky rrugëtim është mënyra jonë për t’u kërkuar qeverive të na ndihmojnë”, thotë një nëna hondurase.

Emigrantët shpresojnë të gjejnë mbështetje tek qeveritë e Meksikës dhe Guatemalas.

Në përpjekje për të ulur numrin e emigrantëve, qeveria e Hondurasit ofron ndihmë për njerëzit që janë të gatshëm të rikthehen. Ministria e Jashtme e Hondurasit i tha Zërit të Amerikës se karvani ishte organizuar nga grupe politike që ofrojnë shpresa të kota.

“Kjo u bë për të dëmtuar imazhin tonë, emrin e mirë dhe stabilitetin që kemi në vendin tonë”, i tha Zërit të Amerikës, Nelly Jerez, e Ministrisë së Jashtme hondurase.

Një ekspert ligjor i tha Zërit të Amerikës se karvani pasqyron një popullsi pa mundësi. Ai thotë se nuk ka asnjë garanci se ata do të mund të qëndrojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Varfëria, papunësia dhe bandat nuk shërbejnë si arsye për të kërkuar azil politik kur mbërrin në kufi. 98% e hondurasve që do të kërkojnë azil politik, nuk do ta marrin. Pra, shumica e atyre që po vijnë, do të mbahen në paraburgim”, shpjegon juristi Alfredo Allen.

Disa emigrantë mbajnë parrulla ku thuhet se meqë lejohen amerikanët të hyjnë në Honduras, këtë të drejtë duhet ta kenë edhe hondurasit që hyjnë në SHBA.

“Jemi të rinj dhe na duhet të studiojmë. Në Honduras nuk i kemi mundësitë. E dimë se nuk do të kemi punë me të cilën të mbajmë familjen”, - thotë një student nga Hondurasi.

Karvani u krijua vetëm pak ditë pasi Uashingtoni mikpriti presidentin e Hondurasit dhe udhëheqës të tjerë rajonalë për të diskutuar për emigracionin. Hondurasi kërkoi ndihmën e SHBA-së për të lehtësuar kthimin e 57 mijë shtetasve të Hondurasit, të cilët do të humbasin të drejtën e qëndrimit dhe punës në janar të vitit 2020, kur do t’u mbarojë statusi i tyre i mbrojtjes së përkohshme./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test