SHBA, vdesin 6 fëmijë si pasojë e shpërthimit të një virusi

Amerika

SHBA, vdesin 6 fëmijë si pasojë e shpërthimit të një virusi

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 10:05
SHBA

Një virus, i përhapur në një qendër kujdesi mjekësor në New Jersey, u ka marrë jetën 6 fëmijëve dhe ka infektuar shumë të tjerë.

Zyrtarët konfirmuan një total prej 18 rastesh “adenovirusi” mes pacientëve të Pediatrisë në Qendrën “Wanaque” për kujdesin dhe rehabilitimin.

“Adenoviruset” shkaktojnë zakonisht sëmundje të lehta, por fëmijët e prekur janë të brishtë në aspektin mjekësor sipas zyrtarëve. Sidoqoftë një hetim ka nisur, ndërsa qendra nuk pranon më pacientë të rinj.

Fëmijët e përfshirë kanë probleme të rënda me sistemet imunitare, gjë që i bën ata më të ekspozuar ndaj virusit.

“Kombinimi i një lloji agresiv të ‘adenovirusit’ me situatën e brishtë të pacientëve ka çuar në një shpërthim të ashpër të virusit”, thanë zyrtarët.

Qendra është private dhe deri më tani nuk ka dhënë komente. Sipas Departamentit të Shëndetësisë, zyrtarët kanë nisur hetimin dhe një ekip inspektorësh kanë zbuluar mangësi të vogla me larjen e duarve, në qendrën që siguron edhe shërbime kujdesi dhe rehabilitimi afatshkurtër dhe afatgjatë.

Mbetet e paqartë kur ka nisur shpërthimi i virusit. Sipas medieve lokale, fëmijët në Repartin e Pediatrisë janë të sëmurë rëndë, me shumicën që nuk munden të lëvizin, në gjendje kome, apo që nuk mund të flasin.

“Adenoviruset” janë një lloj virusi që zakonisht përhapet si pasojë e kontaktit të afërt, si për shembull prekja e një sipërfaqjeje të infektuar apo shtrëngimi i duarve, nga kolla dhe teshtima po ashtu.

Lloje të ndryshme “adenovirusesh” mund të shkaktojnë një seri sëmundjesh, përfshirë të ftohtin e zakonshëm, bronshitin, pneumoninë dhe diarrenë. Komplikacionet e rënda janë të pazakonta, por te personat me sisteme të dobëta imunitare, apo me probleme të frymëmarrjes apo kardiake, mund të shkaktojnë situata më të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat