Bombat në postë injektojnë frikë dhe pasiguri në fushatën elektorale

Amerika

Bombat në postë injektojnë frikë dhe pasiguri në fushatën elektorale

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 17:54
Demokratët janë përgjigjur përmes një përpjekjeje të furishme mobilizimi të votuesve

Me më pak se dy javë të mbetura për zhvillimin e zgjedhjeve për Kongresin amerikan, një element i ri frike dhe pasigurie është injektuar në fushatën elektorale pas dërgimit të disa mekanizmave të dyshuara si bomba në adresat e personaliteteve demokrate. Tashmë është rikthyer vëmendja tek retorika e ashpër politike që ka përkufizuar prej kohësh atmosferën ndarëse. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, të dyja palët bënë thirrje për të ulur tonet partiake.

Në një miting elektoral në shtetin Wisconsin, Presidenti Donald Trump bëri thirrje për qetësi.

“Duam që të gjitha palët të bashkohen në paqe dhe harmoni. Mund t’ja dalim mbanë. Do realizohet”, tha Presidenti Trump.

Por, Presidenti Trump kritikoi mediat në Twitter, megjithëse bëri thirrje për të moderuar retorikën politike në të dyja kahet.

“Të angazhuarit në skenën politike nuk duhet t’i trajtojnë kundërshtarët politikë sikur kanë mangësi morale”, tha Presidenti Trump.

Demokratët reaguan duke thënë se Presidenti Trump ka qenë një nxitës kryesor i tensionit politik nëpërmjet sulmeve partiake.

“Është një kohë e dhimbshme për kombin tonë. Është një kohë kur njerëzit ndjejnë shumë urrejtje në ajër dhe incidente të këtilla e shtojnë dhimbjen dhe frikën”, tha kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio.

Presidenti Trump ka kritikuar ashpër demokratët gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e Kongresit, madje edhe në një tubim rishtazi në shtetin Montana.

“Partia Demokrate është bërë tepër ekstreme që t’i besohet pushteti. Politikat e tyre radikale rrezikojnë familjen tuaj dhe vendin tuaj”, tha Presidenti Trump.

Përpara se demokratët të bëheshin objektiv i bombave nëpërmjet postës, Presidenti Trump ishte përqëndruar tek shqetësimet për emigracionin dhe karvanin e emigrantëve nga Amerika Qendrore që kalonin përmes Meksikës.

Demokratët janë përgjigjur përmes një përpjekjeje të furishme mobilizimi të votuesve, me ndihmën edhe të ish-Presidentit Barack Obama.

“Rrezikohen shumë gjëra. Nëse nuk dilni të mobilizoni miqtë, fqinjët dhe familjes; nëse qëndroni pa votuar në shtëpi, pasojat do të jeni thellësisht të rrezikshme për këtë vend dhe për demokracinë tonë”, tha ish-Presidenti Barack Obama.

Të dyja palët janë përqëndruar tashmë tek motivimi i votuesve të tyre në ditët e fundit të fushatës elektorale.

“Ajo çfarë u duhet të dyja palëve është që njerëzit të dalin të votojnë. Tradicionalisht, kjo është edhe më jetësore për demokratët, pasi republikanët janë më të prirur të votojnë pavarësisht rrethanave”, thotë analisti David Barker, i Universitetit Amerikan.

Demokratët vazhdojnë të kenë besim se do të fitojnë terren në votimet e 6 nëntorit.

“Po afrohet një valë blu. Pikëpyetja është sa e madhe do të jetë?Mendoj se demokratët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Nuk mendoj se do të marrin dot Senatin këtë radhë”, thotë strategu demokrat, Jim Kessler.

Mbetet për t’u parë se si do të ndikojë përqëndrimi tek çështjet e sigurisë dhe emigracionit tek ditët e fundit të fushatës, të cilat tradicionalisht kanë surprizuar në betejën për kontrollin e Kongresit gjatë dy viteve të fundit./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat