Pentagoni shqyrton detajet e dërgimit të ushtarëve në kufi me Meksikën - Bota Sot
Pentagoni shqyrton detajet e dërgimit të ushtarëve në kufi me Meksikën

Amerika

Pentagoni shqyrton detajet e dërgimit të ushtarëve në kufi me Meksikën

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 23:16

Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Matisse tha se zyrtarët e Pentagonit po përpunojnë ende detajet e dërgimit të disa qindra ushtarëve në kufirin jugor të SHBA-së.

Migrantët në karvanë po lëvizin ngadalë në veri të Meksikës dhe SHBA-së, gjë e cila shtyri Pentagonin të miratojë një kërkesë nga Ministria për Siguri të Brendshme për të dërguar qindra ushtarë në kufirin me Meksikën, roli i të cilëve është përshkruar si ndihmë për agjentët e patrullimit të kufirit.

Sipas këtij plani, ushtarët do të ofrojnë mbështetje për patrullimin kufitar në planifikimin e asistencës, organizimin e ekipeve mjekësore dhe ndërtimin e strehimit të përkohshëm për migrantët, së bashku me detyrat e tjera.

Ushtarët do të bashkohen me më shumë se 2.000 anëtarë të Gardës Kombëtare tashmë të vendosur në kufi për të ndihmuar agjentët e patrullimit të kufirit.

Emigrantët e karvanëve që drejtohen në veri janë ende qindra kilometra larg nga kufiri më i afërt i SHBA-së.

Agjencia e refugjatëve e OKB-së i bëri thirrje Uashingtonit për të lejuar njerëzit të largohen nga persekutimi dhe dhuna, duke përfshirë edhe ata që udhëtojnë në një karvan nga vendet e Amerikës Qendrore për të kërkuar azil në territorin e SHBA-së.

"Qëndrimi ynë në nivel global është që individëve, të cilët po ikin nga dhuna dhe persekutimi, duhet t'iu jepet qasje në territorin dhe mbrojtjen që përfshin statusin e refugjatit", ka thënë zëdhënësi i UNHCR-së, Andrej Mahecic.

"Nëse njerëzit që largohen nga persekutimi dhe dhuna, hyjnë në Meksikë, atyre duhet t’iu ofrohet qasje në sistemin meksikan të azilit, dhe ata që hyjnë në SHBA duhet t’iu sigurohet po ashtu qasja në të njëjtin sistem amerikan", ka shtuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...