Refugjati iranian mbledh 700,000 dollarë për viktimat e sinagogës në Pensilvani

Amerika

Refugjati iranian mbledh 700,000 dollarë për viktimat e sinagogës në Pensilvani

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 11:07
Pamja nga sinagoga ku ka ndodhur sulmi.

Një refugjat iranian që ka fituar azil politik në Shtetet e Bashkuara, ka mbledhur më shumë se 700,000 dollarë për sinagogën në Pitsburg, ku një sulmues me armë zjarri ka vrarë 11 besimtarë hebrenj këtë vikend.

Shay Khatiri, 29 vjeçar, u ka thënë mediave më 30 tetor se pas sulmit anti-semitik, ai ka nisur një fushatë online për të mbledhur para për sinagogën në shtetin e Pensilvanisë.

Ai ka thënë se ka mbledhur më shumë se 700,000 dollarë nga më shumë se 4,800 donatorë, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë e tij.

“Kam menduar ‘edhe nëse ndodhë më e keqja do të mbledh 500 dollarë’. E që është më mirë se aspak, por megjithatë shifër më e vogël se ajo që kam tani”, ka thënë ai për stacionin televiziv amerikan WJLA.

Ky televizion ka thënë se Khatiri ka shkuar në SHBA si refugjat dhe ka kërkuar azil politik. Ai tani është student i diplomuar Shkollës për Studime Ndërkombëtare, Johns Hopkins në Baltimore.

Khatiri e identifikon veten si Deist, dikush që beson në Zot mirëpo nuk ndjekë ndonjë rregull të religjionit. Megjithatë ai ka thënë se është pranuar shumë mirë nga komuniteti i hebrenjve në SHBA dhe ka dëshiruar të kthejë mirësinë.

Khatiri ka thënë se është inspiruar për të mbledhur para, pasi ka parë reagimin e një shoqeje të tij hebreje.

Përpjekjet e tij kanë ardhur derisa ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka ngushëlluar të mbijetuarit për sulmin dhe përmes një postimi në Twitter ka thënë se “ekstremizmi dhe terrorizmi nuk njohin racë apo fe dhe duhet të dënohen në të gjitha rastet”.

Ndërkohë, CNN ka raportuar se një fushatë tjerë e quajtur Myslimanët e Bashkuar për Singagogën e Pitsburgut ka mbledhur më shumë se 180,000 dollarë për të mbijetuarit dhe familjarët e viktimeve të masakrës në sinagogë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat