Kritikët: Trajtimi i gazetarit të CNN-it nga Shtëpia e Bardhë, "jodemokratik"

Amerika

Kritikët: Trajtimi i gazetarit të CNN-it nga Shtëpia e Bardhë, "jodemokratik"

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 17:30
Shtëpia e Bardhë i ka hequr kredencialet korrespondentit Jim Acosta të televizionit CNN

Shtëpia e Bardhë i ka hequr kredencialet korrespondentit Jim Acosta të televizionit CNN, pasi një shkëmbimi të ashpër që ai pati me Presidentin Donald Trump. Bllokimi i gazetarit nga Shtëpia e Bardhë është shembulli i fundit i një marrëdhënieje të tensionuar të presidentit me median. Siç njofton korrespondenti Bill Gallo, shumë gazetarë shqetësohen se këto raste krijojnë pararendës të rrezikshëm për demokracinë:

Disa e shohin përjashtimin e gazetarit nga korpusi i medias i Shtëpisë së Bardhë si një tjetër pikë e ulët në marrëdhëniet e presidentit me gazetarët.

Vendimi u mor pasi gazetari i CNN-it, Jim Acosta i kërkoi me ngulm reagim presidentit për karakterizimin e imigrantëve si pushtues.

“Ata janë qindra kilometra larg. Qindra e qindra kilometra larg. Nuk bëhet fjalë për pushtim,” tha gazetari.

“Ma lër mua të qeveris vendin. Ti drejto CNN-in. Nëse do të dije si ta bëje atë punë, do të kishit shumë më tepër popullaritet. Mjaft tani,” i përgjigjet presidenti.

Shtëpia e Bardhë e cilësoi si “plotësisht të papranueshëm” këtë shkëmbim dhe i hoqi gazetarit kredencialet si korrespondent i Shtëpisë së Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders e akuzoi gazetarin se kishte “vënë duart mbi” një ndihmëse të Shtëpisë së Bardhë.

Në video shihet një veprim që nuk përcjell keqdashje ndaj ndihmëses së Shtëpisë së Bardhë, por zëdhënësja më pas publikoi një video të redaktuar ku akti dukej më këcënues.

“Ajo po përpiqej t’i merrte mikrofonin gazetarit, ai po përpiqej të mos e lëshonte mikrofonin. Është një moment i pakëndshëm, por është absurde të aludohet në ndonjë mënyrë se ajo u abuzua fizikisht,” thotë analisti Tom Rosenstiel.

Gazetari Acosta njihet për një qëndrim kritik ndaj Shtëpisë së Bardhë, për pyetje të forta në adresë të presidentit dhe zëdhënëses së tij që shpesh duket sikur i bën për të tërhequr vëmendjen tek vetja.

Por Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë thotë se stili i tij nuk ka rëndësi dhe e cilëson veprimin e Shtëpisë së Bardhë “të dobët, të pamenduar dhe të tepruar”.

Organizata “Gazetarët Pa Kufi” e cilëson si një përgjigje “jodemokratike”.

“Këtë përgjigje me heqjen e kredencialeve e shohim në vende me regjime shtypëse. Nuk është e zakontë në Shtetet e Bashkuara,” thotë Cortney Radsch e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Shkëmbimet e ndezura të presidentit me gazetarët shpesh marrin nuanca teatrale. Por analistët thonë se veprimi i fundit mund të ketë ndikim të gjerë.

“Pushtetarët në të gjithë botën, ata që duan të kufizojnë shtypin e lirë dhe të godasin legjitimitetin e gazetarisë, ata që nuk duan që veprimet e tyre të mos bëhen publike e të mos analizohen, kanë përdorur termin “lajme të rreme”, e kanë sulmuar shtypin si “armik i popullit” dhe kanë përdorur të njëjtat justifikime si administrata Trump për të akuzuar, dilegjitimuar dhe kufizuar qasjen e gazetarëve dhe të portaleve mediatike,” thotë zonja Radsch.

Por zëdhënësja Sanders i përmbahet vendimit, duke thënë se Jim Acostas i janë hequr pa afat të caktuar kredencialet për të raportuar nga Shtëpia e Bardhë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat