“Ferri” në Parajsë

Amerika

“Ferri” në Parajsë

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 07:29
Paradise

Ky është qyteti kalifornian Paradise (Parajsa) ku banorët e zonës po përjetojnë ferrin e shkaktuar nga zjarri masiv që shkrumboi disa qytete të shtetit perëndimor amerikan.

Pamjet rrëqethëse tregojnë qindra banesa e mijëra hektarë pyje të përpira nga flakët, ndërsa mbi 250 mijë persona janë evakuuar.

Bëri xhiron e mediave botërore video e vajzës që i lutet Zotit ta shpëtojë nga ky ferr. “Më ndihmo Zot, të lutem na ndihmo, të lutem na ndihmo të shpëtojmë.”

Ndërsa një burrë zgjedh një tjetër strategji për të qetësuar vajzën e tij të vogël. “Nuk do të mbetemi në zjarr, në rregull? Do t’i ikim zjarrit, do të jemi shumë mirë.”

Aktualisht numërohen të paktën 11 viktima si pasojë e zjarreve masive, por bilanci mbetet i përkohshëm pasi autoritetet druhen se mund të jenë edhe më shumë. Të paktën 35 persona rezultojnë të zhdukur. Guvernatori i Kalifornisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, për të mundësuar ndihmat në zonat e djegura. Flakët gjigante nuk kursyen as rezidencat luksoze të VIP-ave amerikanë në Malibu. Kim Kardashian dhe bashkëshorti i saj Kane West janë në mes të evakuuarve, ndërsa vila e Caitlyn Jenner është shkrumbuar plotësisht. Në dy vitet e fundit Kalifornia është bërë viktimë e zjarreve masive, si pasojë e tyre kanë humbur jetën disa dhjetëra civilë e zjarrfikës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat