Trump: Pakistani nuk ka bërë “as edhe një gjë për ne”

Amerika

Trump: Pakistani nuk ka bërë “as edhe një gjë për ne”

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 10:26
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar Pakistanin se nuk ka bërë asgjë për Shtetet e Bashkuara dhe ka mbrojtur vendimin e administratës së tij për të pezulluar miliona dollarë që i janë dhënë Islamabadit si ndihmë ushtarake.

Trump ka tërhequr pothuajse 800 milionë dollarë në ndihma ushtarake ndaj Pakistanit, duke thënë se ky shtet nuk ka bërë mjaftueshëm në eliminimin e zonave të sigurta për talibanët afganë dhe për rrjetin Haqqani brenda kufijve të tij.

Në një intervistë për Fox News, të transmetuar më 18 nëntor, ai ka akuzuar Pakistanin për ofrim të ndihmës në fshehjen e themeluesit të Al-Kaidës, Osama bin Laden, i cili është vrarë më 2011, gjatë një bastisjeje të forcave speciale amerikane në Pakistan.

Bin Laden është gjetur në një distancë të shkurtër me një nga akademitë më të mirënjohura ushtarake në Pakistan.

“Duke jetuar në Pakistan afër akademisë ushtarake, secili e ka ditur se ai ka qenë aty. Ne i kemi dhënë Pakistanit 1.3 miliard dollarë në vit… bin Ladeni ka jetuar aty, ne jemi duke e mbështetur Pakistanin, ne i japim 1.3 miliard dollarë në vit. I kam dhënë fund asaj sepse ata nuk bëjnë asgjë për ne, ata nuk bëjnë as edhe një gjë për ne”.

Pentagoni ka njoftuar në muajin shtator se do të anulojë ndihmën ushtarake në vlerë të 300 milionë dollarëve ndaj Pakistanit.

Ky hap ka ardhur, pasi edhe 500 milionë dollarë tjerë i janë pezulluar këtij shteti nga Kongresi amerikan.

Trump edhe më herët gjatë vitit ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Pakistanit më shumë se 33 miliardë dollarë në ndihmë në 15 vjetët e fundit dhe ata nuk na kanë dhënë asgjë përveç gënjeshtrave dhe mashtrimit, duke menduar se liderët tanë janë budallenj”.

“Ata strehojnë terroristët që ne ndjekim në Afganistan. Jo më!”, pati thënë Trump.

Pakistani ka kundërshtuar pretendimet se nuk është duke bërë mjaftueshëm për të luftuar terrorizmin apo se ka ofruar streha të sigurta për militantët që veprojnë në Afganistan.

Në kuadër të përpjekjeve të Trumpit për t’i dhënë fund luftës 17 vjeçare në Afganistan, Uashingtoni ka përshkallëzuar presionin ndaj Pakistanit, meqë SHBA-ja beson se i duhet ndihma e këtij shteti në mënyrë që t’i dërgojë talibanët në tavolinë të negociatave me Qeverinë e Kabulit.

Kryengritësit në Afganistan kanë kundërshtuar deri tani bisedimet me Qeverinë dhe në vend të tyre kanë përshkallëzuar dhunën kundër forcave afgane dhe atyre amerikane.

Përndryshe Trump, në fjalimin e tij të parë si president drejtuar kombit, pati thënë në gusht të vitit të kaluar se nuk do tolerojë Pakistanin, që sipas tij po siguron zona të sigurta për grupet ekstremiste, siç janë talibanët afganë.

“Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur për zonat e sigurta të Pakistanit”. Pakistani mund të fitojë shumë nëse mbështet përpjekjet tona në Afganistan. Mirëpo mund të humbas shumë nëse vazhdon të strehojë terroristët”, pati thënë presidenti amerikan.

Talibanët në anën tjetër vazhdimisht i kanë bërë thirrje SHBA-së dhe aleatëve të saj të largohen nga Afganistani, duke mos lënë mundësi të paqes me Qeverinë e Kabulit, për aq kohë sa forcat e jashtme qëndrojnë në tokën afgane.

Lufta në Afganistan ka pasuar pushtimin amerikan të këtij vendi, pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001, në SHBA.

Aktualisht SHBA-ja ka 8,400 trupa në Afganistan, staf i cili ishte përcaktuar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama.

Në këtë vend gjenden edhe rreth 5000 trupa joamerikane të NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat