Thellohet krisja mes Presidentit Trump dhe ish-eprorëve të komunitetit të zbulimit

Amerika

Thellohet krisja mes Presidentit Trump dhe ish-eprorëve të komunitetit të zbulimit

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 18:09
Admirali William McRaven

Po zgjerohet krisja mes Presidentit Donald Trump dhe eprorëve të komunitetit të zbulimit.

Duke përsëritur një kritikë të bërë gjatë një interviste televizive një ditë më parë, Presidenti Trump shkruajti dje në Twitter se Shtetet e Bashkuara “duhet ta kishin kapur Osama Bin Ladenin shumë kohë më përpara”.

Gjatë një interviste të dielën për kanalin Fox News, Presidenti e quajti admiralin në pension William McRaven, që drejtoi operacionin gjatë të cilit u vra themeluesi i Al-Kaidas, “një mbështetës i Hillary Clintonit dhe një mbështetës i Obamës”.

Zoti McRaven ka kritikuar disa herë presidencën Trump, duke e quajtur një turp dhe poshtërim për Shtetet e Bashkuara në skenën botërore dhe që ka përçarë vendin.

Pas komenteve televizive të Presidentit Trump, zoti McRaven deklaroi se nuk mbështeti Hillary Clintonin apo ndonjë kandidat tjetër gjatë zgjedhjeve presidenciale, por është “admirues i Presidentit Obama dhe Presidentit George W. Bush, nën drejtimin e të cilëve kam punuar”. Ai shtoi se admiron, pa dallime politike, të gjithë presidentët “që ruajnë dinjitetin e kësaj zyre dhe e përdorin këtë post për të bashkuar Kombin në kohëra sfiduese”.

Zoti McRaven, ish-kreu i Komandës së Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara, shtoi se i qëndron komentit të tij se sulmi i Presidentit Trump ndaj mediave “është kërcënimi më i madh për demokracinë tonë që kam parë gjatë jetës time”.

Persona të tjerë, me njohuri të brendshme të operacionit të vitit 2011 ndaj Bin Ladenit në Pakistan, po dalin në mbrojtje të zotit McRaven.

Një ish-drejtues i CIA-s, Michael Morell, shkruajti në Twitter se ka nevojë për një saktësim pas aludimit të bërë nga Presidenti Trump se zoti McRaven duhet ta kishte gjetur më parë kryeterroristin.

Zoti Morell shkruajti se CIA kreu operacionin e “gjetjes”, ndërsa ekipi i zotit McRaven realizoi “kapjen”.

Ish-drejtues i CIA-s dhe gjithashtu i Agjensisë Kombëtare të Zbulimit, Gjenerali në pension i Forcave Ajrore Michael Hayden reagoi ndaj sulmit të Presidentit Trump kundër zotit McRaven, duke e thumbuar Presidentin në Twitter për moskapjen e udhëheqësve aktualë të Al-Kaidas dhe grupit terrorist Shtetit Islamik, të cilët vazhdojnë të fshihen.

Image

Anëtari i forcave speciale të marinës SEAL që mendohet se shkrepi plumbin që vrau Bin Ladenin, shkruajti dje në Twitter se: “Misioni për të kapur Bin Ladenin ishte dypartiak. Të gjithë donim të kapej se më shpejt që të mundeshim”.

“Presidenti është qartësisht gabim dhe po promovon një ide që nuk mendoj se është e dobishme”, i tha kanalit CNN Gjenerali në pension i Ushtrisë, Stanley McChrystal, për deklaratën e Presidentit Trump se administratat e mëparshme u vonuan të eliminonin kreun e al-Kaidas.

Kritikat e Presidentit Trump “janë tregues të krizës së lidershipit që kemi sot”, shtoi zoti McChrystal, i cili drejtoi për pesë vite Komandën e Bashkuar të Operacioneve Speciale.

“Ky President i detyrohet Admiralit McRaven dhe të gjithë anëtarëve të ekipit SEAL të forcave speciale të përfshirë në atë operacion, një ndjesë për çfarë ka thënë”, u shpreh në kanalin MSNBC, ish-drejtori i CIA-s dhe ish-Sekretar i Mbrojtjes, Leon Panetta. “Ai po dëmton pozicionin e tij si Komandant i Përgjithshëm. Jo vetëm me ata që zhvilluan atë operacion, por me të gjithë ushtrinë”.

Një senator i partisë së Presidentit Trump ka dalë gjithashtu në mbrojtje të zotit McRaven.

Senatori Marco Rubio, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Senatit për Zbulimin, shprehu në Twitter mirënjohjen për shërbimin e admiralit në pension, duke thënë se “nuk e di nëse Admirali William McRaven ndan apo jo pikëpamjet e mia politike. Por, unë di që shumë pak amerikanë kanë sakrifikuar dhe rrezikuar më shumë se ai për të mbrojtur Amerikën dhe liritë që ne gëzojmë”.

Zoti McRaven, i cili u largua së fundmi nga posti i kancelarit të Universitetit të Teksasit për arsye shëndetësore, ka dalë gjithashtu në mbrojtje të ish-drejtorit të CIA-s John Brennan, një tjetër kritik i Presidentit Trump që i hoqi atij çertifikatën e sigurisë.

Llogaria zyrtare në Twitter e Partisë Republikane pretendoi të hënën se zoti McRaven ka kritikuar zotin Trump që gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016-të dhe se ai ka qenë ndër të përzgjedhurit e mundshëm për të kandiduar përkrah zonjës Hillary Clinton, gjë që është mohuar nga admirali në peson dhe zyrtarët e fushatës elektorale.

Një marrëdhënie e debatueshme

Presidenti Trump ka patur një marrëdhënie të debatueshme me komunitetin amerikan të zbulimit që në fillimet e presidencës së tij, mbi të gjitha duke refuzuar konsensusin e arritur nga ky komunitet se Rusia u përpoq të ndikonte zgjedhjet në favor të tij. Ai gjithashtu pretendon se një “strukturë e fshehtë shtetërore” e përbërë nga figura të errëta të komunitetit të zbulimit synon të dëmtojë axhendën e tij, duke zhvilluar dhe “gjuetinë e shtrigave” për ta lidhur atë me Moskën dhe duke rrjedhur në media informacione që Presidenti i quan të rreme.

Presidenti Trump kundërshtoi raportimet në media se CIA ka konkluduar që princi saudit urdhëroi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, duke u shprehur se ndoshta nuk do të merret vesh kurrë se kush është vërtet përgjegjës.

Tensioni më i madh aktualisht mes Presidentit dhe komunitetit amerikan të zbulimit është pikërisht rreth princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman, thotë ish-zyrtari i CIA-s, Paul Pillar.

“Marrëdhënia ishte e keqe që më parë dhe ne i kemi përjetuar pasojat e kësaj marrëdhënieje” i tha Zërit të Amerikës zoti Pillar, i cili tashmë punon në Universitetin Georgetown.

Zoti Pillar thotë se mohimi i Presidentit Trump i konkluzioneve të CIA-s për princin saudit është rrjedhimisht “një kritikë e analizës së zbulimit për këtë çështje. Por, administrata do ta ketë të vështirë të fitojë betejën e perceptimit publik për këtë çështje. Perceptimi i përgjithshëm është se versionet e pabesueshme dhe gjithnjë në ndryshim të sauditëve, janë në fshehje të diçkaje dhe analiza e vëzhguesve të jashtëm konfirmon versionin e raportuar të analizës së zbulimit për rolin e princit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat