Një bashkëpunëtor i Trumpit në bisedime me ekipin Mueller - Bota Sot
Një bashkëpunëtor i Trumpit në bisedime me ekipin Mueller

Amerika

Një bashkëpunëtor i Trumpit në bisedime me ekipin Mueller

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 00:01
Jerome Corsi është bashkëpunëtor i Presidentit të SHBA, Donald Trump dhe i njeriut të besuar të Presidentit, Roger Stone.

Një publicist konservator, i njohur si përkrahës i teorive konspirative, tha të premten se është në negociata për pranimin e fajësisë me ekipin hetues të prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Jerome Corsi është bashkëpunëtor i Presidentit të SHBA, Donald Trump dhe i njeriut të besuar të Presidentit, Roger Stone.

Zoti Corsi nuk pranoi të komentojë më tej mbi bisedimet e tij me ekipin e prokurorit Mueller, i cili po heton mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Por në një program në YouTube javën e kaluar ai tha se parashikon që ndaj tij të ngrihen akuza se ka gënjyer hetuesit federalë.

Ekipi i prokurorit Mueller e pyeti zotin Corsi rreth lidhjeve të zotit Roger Stone me organizatën WikiLeaks. Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Rusia i dha WikiLeaks-it një material të pirateruar që e pengoi fushatën presidenciale të kandidates Hillary Clinton.

Bisedimet me zotin Corsi mund ta ndihmojnë zyrën e prokurorit të posaçëm Mueller të përcaktojë nëse Stone dhe bashkëpunëtorë të tjerë të zotit Trump kanë qenë në dijeni të planeve të organiztës WikiLeaks për publikimin e materialit.

Corsi ka qenë ish-shef i zyrës së Uashingtonit për portalin InfoWars që mbështet teoritë konspirative. Thuhet se ai po bashkëpunon me hetuesit prej rreth dy muajsh, duke u dhënë atyre kompjuterë dhe një celular. Ai gjithashtu i lejoi FBI-së qasje në llogaritë e tij të emailit dhe Twitterit.

Stone mohon se ka vepruar si urë lidhëse me WikiLeaks, organizatë e themeluar nga Julian Assange, e cila publikoi mijëra e-maile që thuhet se ishin vjedhur nga kompjuteri i kryetarit të fushatës së zonjës Clinton pak javë para zgjedhjeve. Edhe zoti Stone ka thënë se pret që ndaj tij të ngrihen akuza./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test