Presidenti Trump gati të zgjasë financimin e qeverisë me dy javë

Amerika

Presidenti Trump gati të zgjasë financimin e qeverisë me dy javë

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 17:07
Donald Trump

Presidenti Donald Trump thotë se është i gatshëm të pranojë një zgjatje prej dy javësh të financimit të qeverisë për të shmangur konfliktet me ceremonitë që do të nderojnë Presidentin Xhorxh H.W. Bush.

Pas largimit nga takimi i G-20 në Argjentinë, Trump tha se udhëheqësit e Kongresit kanë kërkuar zgjatjen kohore për shkak të funeralit të presidentit Bush të mërkurën dhe ngjarjeve të tjera këtë javë për të nderuar presidentin e 41-të të vendit. Presidenti Trump tha se ai "do ta konsideronte atë absolutisht dhe ndoshta do ta bënte një gjë të tillë."

Financimi për disa operacione të qeverisë aktualisht përfundon të premten, edhe pse shumica e qeverisë amerikane tashmë është e financuar deri në shtatorin e ardhshëm.

Presidenti Trump dhe ligjvënësit kanë debatuar ditët e fundit lidhur me kërkesën e tij për miratimin e fondeve prej 5 miliardë dollarësh për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor të SHBA me Meksikën për të penguar emigracionin e paligjshëm të njerëzve nga Amerika Qendrorë që po përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi amerikan ka kërcënuar një mbyllje të pjesshme të qeverisë nëse financimi i murit të ri nuk përfshihet në masat e shpenzimeve që ligjvënësit po debatojnë. Deri tani ligjvënësit kanë rënë dakord vetëm të shpenzojnë 1.6 miliardë dollarë më shumë për sigurinë e kufirit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat