Presidenti Trump njofton emërimet për ambasador të OKB-së dhe Prokuror të Përgjithshëm - Bota Sot
Presidenti Trump njofton emërimet për ambasador të OKB-së dhe Prokuror të Përgjithshëm

Amerika

Presidenti Trump njofton emërimet për ambasador të OKB-së dhe Prokuror të Përgjithshëm

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 16:56
William Barr do të jetë Prokurori i ri i Përgjithshëm, Heather Nauert të jetë ambasadorja e re amerikane në Kombet e Bashkuara

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump konfirmoi të premten se do të emërojë zëdhënësen e Departamentit të Shtetit Heather Nauert të jetë ambasadorja e re amerikane në Kombet e Bashkuara. Ai gjithashtu njoftoi se William Barr do të jetë Prokurori i ri i Përgjithshëm, një post i mbajtur nga Barr nën ish-presidentin George H. W. Bush.

Presidenti Trump konfirmoi emërimet ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në Kansas City. Zgjedhjet e tij ishin parashikuar gjerësisht në raportet e medias gjatë ditëve të fundit.

Heather Nauert ka punuar si gazetare për kanalin Fox News para se ajo të zgjidhej në vitin 2017 për të punuar për Sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Rex Tillerson. Kur Tillerson u largua nga Departamenti i Shtetit dhe u zëvendësua nga Mike Pompeo, Nauert u emërua nënSekretare e Shtetit për Diplomacinë Publike dhe Çështjet Publike.

Ajo do të zëvendësojë Nikki Haley-n në OKB, e cila njoftoi në tetor se do të largohet nga posti në fund të vitit.

Presidenti Trump u tha gazetarëve se ai ka besim se Nauert do të jetë e denjë për postin e ri:

"Ajo do të punojë me Nikki Haley-n për t’u përgatatitur për zëvendësimin e Nikki-t në Kombet e Bashkuara. Ajo është shumë e talentuar, shumë e zgjuar, shumë e mprehtë, dhe mendoj se do të respektohet nga të gjithë”.

William Barr, zgjedhja e presidentit për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, është një republikan i cili aktualisht punon si avokat. Ai ka shërbyer më parë si Prokuror i Përgjithshëm nga viti 1991 deri në vitin 1993 nën ish-presidentin e ndjerë George H.W. Bush. Barr do të zëvendësojë Prokurorin e përkohshëm të Përgjithshëm, Matthew Whitaker. Whitaker u emërua për të udhëhequr Departamentin e Drejtësisë muajin e kaluar pasi Trump hoqin Jeff Sessions nga pozita.

Presidenti Trump tha fjalë të mira për eksperiencën e William Barr-it.

“Ai ishte zgjedhja ime që nga dita e parë. I respektuar nga republikanët dhe demokratët, ai do të emërohet për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara dhe shpresojmë se procesi do të përfundojë shpejt”.

Të dy kandidatët duhet të konfirmohen nga Senati kur të mblidhet në janar. Vëzhguesit nuk parashikojnë probleme për miratimin e tyre, nga Senati i kontrolluar nga republikanët./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test