Nga Kosova në Iowa, 18-vjeçari poliglot e ka gjetur rrugën drejt së ardhmes

Amerika

Nga Kosova në Iowa, 18-vjeçari poliglot e ka gjetur rrugën drejt së ardhmes

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 17:02
Miftar Pozhari

Kur Miftar Pozhari shikonte përreth vetes kur ishte fëmijë duke u rritur në Gjakovë, ai nuk kishte shumë arsye për të qenë optimist. Ai ishte vetëm 8-vjeçar kur Kosova e kishte shpallur pavarësinë nga Serbia. “Jam rritur në një mjedis ku nuk kisha asgjë. I shihja njerëzit dhe vendin tim duke u përballur me vështirësi sepse ishim një shtet i sapolindur”, thotë ai.

Kosova dhe Iowa janë shtete simotra që nga vitit 2013.  Marrëdhëniet u krijuan nga bashkëpunimi i Rojeve Kombëtare të Iowas me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Për Miftarin, mosha nuk kishte rëndësi. Ai ishte i gatshëm që ta niste një rrugë të re. “Më kujtohet se e kuptoja që nuk kam bërë asgjë me jetën time. Nuk ia kisha kushtuar jetën time askujt dhe nuk kisha bërë asgjë për ta kthyer botën në një vend më të mirë”, thotë Miftari.

Ai ishte nxënës shumë aktiv në shkollë. Në dhjetor të vitit 2016, qyteti Fort Dodge u bë qytet simotër me Gjakovën. Ata i dërguan nxënësit e tyre në projektin “TOKA” në Kosovë, i cili ishte pjesë e një shkëmbimi të të rinjve. Gjatë verës së vitit 2017, Miftari u zgjodh nga drejtori i shkollës si ambasador për promovim të programit të shkëmbimit. Në maj të këtij viti, një delegacion nga shkolla amerikane e vizitoi shkollën e Miftar Pozharit. Atyre iu la përshtypje anglishtja e rrjedhshme e nxënësit të dalluar dhe oratoria e tij.

Në korrik të këtij viti, Miftari u ftua që ta vizitonte Iowan si pjesë e një udhëtimi të përbashkët. Ai e kishte shprehur dëshirën e madhe për t’u shkolluar në SHBA. Për këtë arsye, zyrtarët e Ioëas kërkuan mënyra për ta bërë Miftarin student të rregullt në kolegjin e tyre. Miftari kishte menduar se pagesa e shkollimit do t’i merrte kohë, por kolegji i Iowas ia ofroi atij një bursë përmes donacioneve private. Miftari shkoi sërish në Iowa dhe i filloi studimet atje. Atij iu gjet edhe një punë në administratë që është e përshtatshme për studentët.

Miftari tash po e studion tregtinë. Përpos gjuhës shqipe, ai i flet pesë gjuhë të huaja: Anglishten, gjermanishten, spanjishten, portugishten dhe turqishten. Thotë se kohëve të fundit po dëgjon lajme të mira për vendlindjen, përmes bisedave të përditshme me prindërit e tij. Ai premton se një ditë do të kthehet në Kosovë, por këtë do ta bëjë vetëm pasi t’i përfundojë studimet, shkruan “The Messenger”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat