Gratë e Persekutuara Politike, Piedestalë Lirie!  

Amerika

Gratë e Persekutuara Politike, Piedestalë Lirie!  

Nga: Moza Boletini Më: 9 janar 2019 Në ora: 16:27
Moza Boletini

New York, Janar 2018:  Me rastin e festave të fundvitit 2018, anëtare të Organizatës "Hope & Peace" në New York zhvilluan një vizitë miqësore tek mikja e tyre Zj. Flora Selfo. E pranishme ishte edhe Konsullja e Shqipërisë në New York, Zj. Najada Sojli Alliu, e cila tashmë është bërë e pranishme në veprimtaritë shoqërore e patriotike të kësaj organizate. Si diplomate karriere dhe si familje e persekutuar politike, Konsullja Sojli jo vetëm vlerëson veprimtaritë sociale mbi të drejtat e gruas që ndërmer kjo organizatë, por angazhohet edhe me pjesëmarjen e saj.

Gjatë kohës që qëndruam tek Flora në linjën Skype nga Shkodra, përshëndeti familjen Selfo dhe të gjitha gratë e pranishme, motra e Dita Lekës - Kujtime Metaj, mike e herëshme e Florës, që i është gjendur në ditët më të vështira të jetës së saj në Shkodër, kur persekucioni komunist po i merrte frymën, jetën, e për këtë Flora i ishte shumë mirënjohëse. 

Ndërsa nga New York në linjë telefonike vitin e ri i uroi Zj. Selfo, familjes së saj dhe pjesëmarrësve në këtë takim aktori, dramaturgu dhe regjisori i njohur Erand Solji (nip i Konsulles Sojli) së bashku me bashkëshorten, aktoren dhe violinisten Rina Sojli, të cilët janë artistë shumë të dashur për publikun shqiptar në Emisionin "Portokalli". Edhe në SHBA, Rina punon si violiniste.  

Përveç Florës, në familjen e saj na pritën nusja e djalit Dolora Bushati, i biri Florës, Akil Bushati dhe e ëma e Dolorës, Suzana Matja. Në disa shkrime të mëparshme kemi folur mbi persekucionin politik të familjes së Flora Selfos, Suzana Matjas dhe Dolora Bushatit, të cilat kanë vuajtur tmerrësisht nga rregjimi komunist, si familje antikomuniste, të deklasuara intelektualësh e patriotësh, të cilat sigurimi i shtetit i konfiskoi edhe pasuritë, ku shumë prej tyre ato akoma nuk i kanë marrë....  

Si në Shqipëri edhe në Amerikë, jeta na ka lidhur me gra heroina, që sfiduan me dinjitet diktaturën më të egër komuniste, prandaj edhe kjo organizate është shumë e vëmendshme t'i japë atyre sa mundet respektin e konsideratën e duhur. Jeta dhe sakrificat e femrës shqiptare që u përballën me krimet monstruoze të atij rregjimi makabër, aktualisht anëtare të Organizatës së Gruas "Hope & Peace" në SHBA, sot bëjnë apel që në qendër të Tiranës të ngrihet një Memorial, kushtuar Gruas së Persekutuar Politike nga rregjimi komunist në Shqipëri.

Nga takimet që kemi patur në Fondacionin që kujdeset për viktimat e komunizmit në Washington D.C., qëndron një Monument i Femrës së Persekutuar Politike në të gjithë botën, pra të gjithë viktimat e komunizmit në botë janë simbolizuar me monumentin e një femre, ku për çdo datë përkujtimore aty vendosen kurora dhe buqeta me lule. 

Kërkesa e Organizatës "Hope & Peace" është një kërkesë e përsëritur.

Shpresojmë që një ditë, do të investohet nga Qeveria, Bashkia, Institucionet përkatëse, bizneset e ndryshme në këtë drejtim, pasi gratë e persekutuara politike janë simbol i paqes, virtyteve të larta demokratike dhe Piedestal i Lirisë. Të shpresojmë.... Korresp/ H & P.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat