Kombet e Bashkuara : "Një çështje e njerëzimit: Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit"

Amerika

Kombet e Bashkuara : "Një çështje e njerëzimit: Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit"

Nga: Beqir Sina Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 21:19
Kombet e Bashkuara

NEW YORK CITY : ( Bota sot 31 janar 2019) - Aktiviteti në respektimin e Ditës Ndërkombëtare “Kujtimin e Viktimave të Holokaustit”, 27 Janarin - u mbajt të ejten më 31 Janar 2019, në pallatin Selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në një bashkë-organizim nga Misioni i Përhershëm i Shqipërisë, në Nju Jork, Departamenti i KB-së për Komunikimet Globale dhe Kongresi Botëror i Hebrenjve, me titull: "Çështja e njerëzimit - Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëria gjatë Holokaustit ".

Prijës fetarë islamë, të krishterë, ortodoksë dhe Hebre ( klerikë të të tre feve kryesore shqiptare), bashkë me dhjetëra personalitete nga jeta institucionale e diplomatët e dy shteteve tona, Shqipërisë e  Kosovës ( Ambasadorja Teuta Sahatqija, diplomatja Ines Demiri, Butrint Ymeri), përfaqësues të huaja në Kombet e Bashkuara, miq të Shqipëtarve, historian, gazetar, dhe lider të komunitetit, veprimtar të dalluar, dëgjuan për më shumë se dy orë me vëmendje konfrencën : "Çështja e njerëzimit - Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëria gjatë Holokaustit " .

 Kjo, konferencë u moderua nga Alison Smale, e cila është një gazetare britanike e cila shërben si Nën-Sekretare e Përgjithshëme për Komunikimet Globale, Departamenti i Informacionit Publik i Kombeve të Bashkuara, kurse, folëse kryesore këtij eventi ishte Përfaqësuesia e Përhershëme e Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, H.E. Znj. Besiana Kadare.

Përgjigja e Shqipërisë, ndaj hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore mbetet një shembull i fuqishëm i dhembshurisë përballë brutalitetit nazist gjatë Holokaustit. Për këtë qëllim  - për të përkujtuar këtë akt të papërsëritshëm që bën shqiptarët gjatë LDB , Departamenti i Komunikimeve Globale në bashkëpunim me Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, organizojë një konferencë multimediale për të ndërtuar ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e veprimeve të shpëtimit nga shqiptarët e popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Folësit e ftuar përfshinin Përfaqësuesin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë; Ambasadorin Ronald Lauder, i cili është dhe President i Kongresit Botëror të Hebrenjve; (nuk mori pjesë Prof. Shaban Sinani, historian dhe autor i librit Shqiptar dhe Judenj: Mbrojtja dhe Shpëtimi) ; Dr. Anna Kohen, Majlinda Myrto, familjet e së cilave u shpëtuan në Shqipëri gjatë Holokaustit, dhe z. David Estrin, Themelues i organizatës rinore "Së bashku ne kujtojmë"dhe Robert Singer nga organizata “ World Jewish Cong”.

Ndërsa, u përfshin në diskutime gjatë kësaj konference edhe kongresisti demokrat i Nju Jorkut, Eliot Engel, Ambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara, në KB, Jonathan Cohen , ambasadori i  Austrisë , Danny Dayan, Konsull Gjeneral i Izraelit, Imam Tahir Kukaj, ish Kongresisti republikan i Nju Jorkut, Xhozef DioGuardi, Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, anëtari i Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, dhe veprimtari i komunitetit shqiptar Cafo Boga.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Alison Smale, tha se shpëtimi i hebrenjve nga Shqipëria gjatë holokaustit mishëron parimet e deklaratës universale të të drejtave të njeriut, se çdo njeri ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë së personit. Ajo tha se ky shembull është sidomos i rëndësishëm në botën e sotme kur njerëzit kudo në botë janë dëshmitarë të rritjes së populizmit, ksenofobisë, neonazizmit dhe grupeve të urrejtjes.

Ambasadoria Besiana Kadare, në fillim të fjalës së saj në konferencën : "Çështja e njerëzimit: shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit", shprehu faleminderime për të gjithë pjesëmarrësit.

“Është, kënaqësi e madhe t'i shpreh mirëseardhjen e ngrohtë panelistëve të shquar, ambasadorëve, zyrtarëve të zgjedhur të SHBA, udhëheqësve fetarë shqiptarë dhe pjesëtarëve të diasporës, OJQ-ve dhe të gjithë miqve tanë të nderuar që u mblodhën sot në këtë konferencë. Një mirëseardhje e veçantë, tha ajo shkon me këtë rast për anëtarët e familjes Bicaku, e nderuar edhe nga Yad Vashem, të cilët erdhën posaçërisht nga Shqipëria për të marrë pjesë në veprimtarinë tonë, këtu në Nju Jork”.

Një falënderim të veçanta ajo shprehu edhe për bashkë-organizatorët e kësaj konference, Ambasadorin Lauder dhe Kongresin Botëror të Hebrenjve, një organizatë me të cilën tha Kadare, kemi një partneritet të ngushtë dhe me Departamentin e Informacionit Publik në KB.

“Jam krenare që i përkas një kombi”, tha Ambasadorja Besiana Kadare, “i cili qendroi në anën e duhur të historisë, në kohën e duhur dhe duke kryer aktin e duhur”.  Ambasadorja Kadare, foli për kohën kur hebrenjtë përndiqeshin në të gjithë kontinentin po që gjetën shpëtim e paqe në një vend të vogël Shqipërinë, i vetmi ku pas Luftës së Dytë Botërore, gjendeshin më shumë hebrej sesa para saj.

“Deri vonë, bota nuk e dinte pothuajse asgjë për përpjekjet e Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë”, tha Ambasadorja e Shqipërisë duke përshkruar kodin etik të Besës dhe si funksionon ai për shqiptarët” .

Më pas u shfaqen dy video clipe nga filmi “The Albanian Code’ ( directed by Professor Yael Katziri)” në të cilat u treguan rrefimet emocionuese të të mbijetuarve të holokaustit, gjatë mbrojtes shpëtimtare, që u bën atyre shqiptarët, duke rrezikuar veten dhe familjet e tyre për të qenë në radhën e shpëtimtarëve, ku as edhe një hebre nuk u vra ose u dorzua nga shqiptarët te gjermanët gjatë LDB.

Duke folur për këtë akt, Ambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara, në OKB, Jonathan Cohen tha se “shqiptarët u shquan mes njerëzve të guximshëm që patën një ndikim të jashtëzakonshëm duke mbrojtur me mijëra në Ballkan, duke siguruar që t’i shpëtonin tmerreve të Holokaustit - e përgëzojmë humanitetin e Shqipërisë ndaj hebrejve dhe konceptin e saj të Besës”, tha ai.

Jonathan Cohen, tha se “ne njohim dhe admirojmë traditën shqiptare të tolerancës fetare dhe të fisnikërisë njerëzore, e cila bëri që hebrejtë të gjenin në Shqipëri një strehë të sigurtë për t’u mbrojtur nga nazistët.” Kjo histori e pranimit dhe guximit, - tha ai, - është një shembull për ne të gjithë, sepse sot, në shumë vende të botës, komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në këtë aspekt, siç është rasti i shtypjes në Birmani, Siri apo Venezuelë, ku shumë qeveri nuk guxojnë të ngrejnë zërin, madje marrin në mbrojtje ata që kryejnë krime.

Mes folësve ishte edhe David Estrin që drejton organizatën “Së bashku mbajmë mend” e cila përpiqet të fuqizojë të rinjtë, komunitet pas komuniteti, si dhe të sigurojë që Never Again  - Kurrë Më të bëhet realitet.

Dr. Anna Kohen, fëmijë e të mbijetuarve të Holokaustit, foli për përvojën e familjes së saj gjatë Holokaustit në Shqipëri, dhe si ka ndikuar kjo histori gjatë gjithë jetës së saj.

Ish presidenteia e Shoqatës “Motrat Qiriazi” dhe tani e angazhuar në Degën e kësaj shoqate në Florida, Dr.Anna Kohen, e cila kishte udhëtuar enkas për këtë konferencë - solli ato kujtime të gjalla e mbresa emocionale nga jeta e saj fëminore në qytetin e bukur të Vlorës, kur prindërit e saj dhe ajo, të ndjekur nga gjermanët u strehuan në qytetin e Vlorës, për mikpritjen vëllazërore familjare nga vlonjatët që nuk do të harrohen kurrë nga hebrejtë : ”Unë jam shqiptare me gjak hebre”, -tha ajo dhe ri përsëriti: “Atdheu im i dytë ështe Shqipëria, Vlora”.

Majlinda Myrto, anëtar të familjes e të cilës janë shquar në shpëtimin e hebrejve, foli për konceptin e Besës dhe detyrimin që kanë shqiptarët ndaj mikut dhe njerëzve në nevojë.

Takimin e përshëndeti edhe kongresisti Eliot Engel, Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, një mik i herëshëm i shqiptarëve.

Engel ishte një nga ligjvënësit amerikanë dhe figurat publike që i kishte kërkuar administratës së Presidentit Bill Clinton të intervenonte në luftën e Kosovës në vitin 1999, duke iu frikësuar një gjenocidi që do t’u bëhej popullsisë shqiptare në Kosovë, që ishte në duart e Slobodan Milloshevicit.

Të njëjtit që kishin kërkuar të ndihmoheshin shqiptarët në luftës e 99’ës, kishin kërkuar edhe njohjen e shtetit të Kosovës, kur u deklarua i pavarur në vitin 2008.

Ata e kishin bërë këtë teksa përmendnin se ndihmë ndaj hebrenjve kishin dhënë edhe shqiptarët gjatë Holokaustit, prandaj kjo mund të shihej për atë moment edhe si kthimi i së mirë, siç zakonisht ndodhë.

Ligjëvënsi Engel ka njohuri për guximin që kishin treguar shqiptarët, duke i mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai së bashku me të tjerët nuk donin që SHBA të heshte dhe të përsëritej historia e Holokaustit.

Kongresmeni, ka thënë se është ndier shumë i nderuar dhe i befasuar nga ajo çfarë është bërë në Kosovë, për mbrojtjen dhe shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke permendur rrëfimet e treguara nga miku i tij, gjatë një vizite të zbulimit të një pllake varri, ku ngrihet sot Muzeumi për viktimat hebraike të Holokaustit në Prishtinë.

Duke folur vetëm për Kosovën në këtë rast, Engel, tregoi se si bashkë me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, kishin vendosur nga një gurë, në çdo varrezë të hebrenjve në Prishtinë.

Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, tha se nuk habitet për faktin që shqiptarët në Shqipëri shpëtuan hebrenj gjatë holokaustit, sepse kjo është një traditë shqiptare dhe me shumë rëndësi. Gjatë viteve kur Shqipëria sundohej nga një diktator, - tha ai, - populli shqiptar nuk e humbi kurrë forcën dhe vullnetin për t’u çliruar një ditë dhe për të qenë një demokraci.

Për çudi të të pranishëmeve vendi i Kosovës, përfaqësuesve të saj të Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork, Ambasdores Tetua Sahatqija, dhe stafit të saj në këtë event , ju  ishte dhënë një vend i “nënvlerësuar”, dhe, ambasadores së Kosovës, Sahatqija, nuk i u dha fjala, as në diskutimet e lirëshme……deri sa ajo u largua para se të përfundojë konferenca.

Veprimtari Cafo Boga në fjalën e tij tha se : “Vendi i përfaqësueses së Kosovës, në këtë konferencë, ku flitet për atë cfarë bën Shqiptarët për të mbrojtur hebrenjët gjatë Luftës së Dytë Botërore - nuk është në radhën e tretë, por duhet të ishte në krye të konferencës, duke treguar se nuk është vetëm Shqipëria, ajo që doli në mbrojtje të hebrenjëve gjatë luftës së Dytë Botërore, por ishin Shqiptarët edhe në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e kudo” tha ai.

Në vitin 1990, kongresisti Tom Lantos, një i mbijetuar i Holokaustit, dhe ish-kongresisti Joe DioGuardi, ishin zyrtarët e parë të SHBA-ve që u futën në Shqipëri në pesëdhjetë vitet e fundit.

Diktatori i fundit i Shqipërisë, Ramiz Alia, u dorëzoi atyre një skedar të trashë nga arkivat komuniste në copa të prera gazetash, rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri dhe letra të padorëzuara e fotot nga të mbijetuarit hebrenj te shpëtimtarët e tyre shqiptarë.

Kjo histori e paparë ishte e fshehur nga sundimi brutal komunist për 45 vjet, ka shkruar DioGuardi.

Kur DioGuardi i dërgoi këto dokumente përmes një mikut izraelit në Yad Vashem, Autoriteti Përkujtimor i Dëshmorëve të Holokaustit dhe heronjve në Izrael thanë se ato janë autentike.

Pas njohjes së 69 shqiptarëve të drejtë midis Kombeve, Muzeu Memorial i Holokaustit të SHBA-ve në ëashington DC, publikisht njohu shpëtimin shqiptar më 1995. Yad Vashem veproi njësoj më 2007, dhe në 2012, shpëtimi shqiptar u jetësua nga dy rezolutat e paraqitura nga senatori Charles Schumer në Senatin amerikan dhe nga kongresistët Dana Rohrabacher dhe Jerrold Nadler në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ndërkaq, Joseph DioGuardi tha se në Shqipëri kanë qenë vetëm 200 familje që kanë shpëtuar hebrenjtë, përderisa, sipas tij, e gjithë pjesa tjetër është strehuar nga shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët të cilët kanë jetuar në vendet e tjera.

“Besa nuk është atribut i shtetit, por i popullit dhe traditës shqiptare”, tha mes tjerash në fjalimin e tij, DioGuardi, duke shtuar se “nuk është në rregull bile është “turp” që Izraeli, ende nuk e ka njohur Kosovën shtet të pavarur”.

Gjithashtu, DioGuardi, gjatë fjalës së tij shpjegoj si “Jugosllavët” u munduan t’a merrnin këtë histori, sukurse ishin ata që i shpëtuan hebrenjët, por DioGuardi tha se ai me Tom Lantosh ishin të parët që me lobimin e tyre e bën që Izraeli ta pranoj që ishin Shqiptarët shpëtimtarët dhe jo “Jugosllavët”!

Ai theksoi se personalisht do të angazhohet fuqishëm për njohën e Kosovës nga Izraeli.

Në këtë aktivitet, shqiptaro-amerikani i parë në Këshillin Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj edhe ai si Joseph DioGuardi, ka kërkuar njohjen e Kosovës, shtet të pavarur dhe Sovran nga Izraeli.

Këshilltari Gjonaj, në fjalimin e tij, ka folur për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë, dhe se të dy popujt kanë pasur një histori të ngjashme.

“Mendoj se është koha që Izraeli ta njohë Kosovën, shtet të pavarur dhe Sovran”, theksoi Gjonaj në fjalimin e tij.

Hoxha i Xhamise Shqiptare ne Staten Island NY, Imam Tahir Kukaj në fjalën e tij në Kombet e Bashkuara, foli për bujarin, trimnin dhe BESëN e shqiptarve që edhe në ditë më të vështira shqiptarët e mbajtën besen! "Asnjë hebre nuk u dorëzua te Nazistat gjat Luftës së Dytë botërore!" tha ai.

Në kronikën e saj drejpërsëdrejti nga Kombet e Bashkuara Zëri i Amerikës, tha se zoti Biçaku dhe pjestar të familjes së  tij erdhi nga Shqipëria me shpenzimet e tyre për të shprehur respekt ndaj aktit të fisnikërisë dhe humanizmit që treguan pasardhësit e tyre.

 “U faleminderit atyre që na bënë ftesën, por nuk na erdhi mirë (që nuk mundëm të flasim në konferencë), sepse një kumtesë të vogël sadopak ne duhet ta kishim dhënë.”

“Ata erdhën nga Beogradi. Kishin besim në familjen tonë. Familja e ruajti traditën dhe i mbajti në shtëpi. Fshati bashkëpunoi, fisi Hasa dhe Biçaku. Të dy fiset me dashuri dhe respekt të madh arritën t’i shpëtojnë hebrejtë.”

Doktoreshë Anna Cohen i tha Zërit të Amerikës se ajo ka një kujtim dhe dëshiron t’u japë një mesazh shqiptarëve që shpëtuan hebrenj gjatë luftës:

“Unë jam bija hebraike e Shqipërisë. Kur isha e vogël, sepse siç e dini unë jam nga Vlora, bëja gjithmonë një vizatim ku dukej perëndimi i diellit dhe një varkë me flamurin shqiptar dhe flamurin izraelit. Dhe thosha: Sa mirë sikur një ditë këta flamurë të mund të bashkohen. A do të ndodhë kjo ndonjëherë? Pa shihni çfarë po bëhet tani me flamurin shqiptar e izraelit dhe me atë varkën! Ajo varkë është mbushur plot me njerëz që vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Është mbushur me turistë që vijnë të shikojnë Rrugicën e Hebrenjve që bëra unë në vitin 2006.” “Njerëzit që vijnë e vizitojnë kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e këtij populli të thjeshtë që në atë kohë mori në gjirin e tij gjithë izraelitët dhe nuk i la të vdesin. Prandaj unë ju falenderoj nga zemra që na keni shpëtuar.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat