Në sheshin qendror të qytetit Waterburg të ShBA-së, ngrihet flamuri i Kosovës

Amerika

Në sheshin qendror të qytetit Waterburg të ShBA-së, ngrihet flamuri i Kosovës

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 08:23
Foto

Flamurin e Kosovës në këtë qytet e ngritën Mhill Gjurajt, i cili në këtë ditë u zgjodh “Kryetar i Ditës”- “The Mayor of the Day”, shefja e Misionit Diplomatik të Kosovës në New York Teuta Sahatqija, zyrtarët amerikanë të këtij qyteti, dhe përfaqësuesi OVL-UCK-së, Nasim Haradinaj.

Në këtë ditë të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikanë, Monroe Webster, sekretar i kryetarit të Bashkisë, së qytetit të Waterburgut, Neil M. O’Leary, tha se ndihet i nderuar që në këtë ditë të veçantë, është pjesë e kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan.

“Ne do të jemi gjithmonë përkrahë komunitetit shqiptaro-amerikan dhe do të vazhdojmë të jemi bashkë në shtetndërtimin e Kosovës”, tha ai, raporton Telegrafi.

Njëherësh, ai uroi shqiptaro-amerikanin Mhill Gjuraj, i cili u zgjodh “Kryetar i Ditës”- “The Mayor of the Day”, i cili ka arritur shumë suksese në fushën e biznesit në Amerikë, dhe ka kontribuuar në çështjen e Kosovës.

Në këtë ditë festive, Monroe Webster përmendi faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në qytetin që ai drejton, dhe se ndihet i respektuar që është pjesë e ditës më të rëndësishme të shqiptarëve të Kosovës.

Ndërkaq, Mhill Gjuraj, i cili u zgjodh, “Kryetar i Ditës”- “The Mayor of the Day”, një biznesmen, humanist  aktiv dhe aktivist i çështjes kombëtare, uroi shtetin e Kosovës, për ditën e pavarësisë, duke shpresuar se i gëzuar i gjithë komuniteti shqiptar në Amerikë, ta festojë çdo vit e me shumë suksese këtë ditë të rëndësishme.

“Faleminderit Amerikë për çdo gjë që keni bërë për shtetin e Kosovës. Zoti e bekoftë Amerikën, dhe Zoti e bekoftë Kosovën”, tha me pak fjalë njeriu që u zgjodh ta ngrit flamurin e Kosovës në sheshin qendror të qytetit Waterburg.

Gjuraj, në këtë ditë të rëndësishme u nderua me mirënjohje për kontributin e tij në komunitet dhe për zgjedhjen e tij “Kryetar i Ditës”- “The Mayor of the Day”, nga senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Murphy , nga  senatorja e Shtetit të Connecticut, Joanne Hotly, dhe nga sekretari Shtetit të Connecticut, Denise, W. Merrill, dhe nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Waterburg, Neil M. O’Leary.

E pranishme në këtë ceremoni festive ishte edhe shefja e Misionit Diplomatik të Kosovës në New York, konsullja Teuta Sahatqija, e cila në emër të shtetit të Kosovës, përshëndeti të pranishmit, duke e konsideruar komunitetit shqiptar më të bashkuar se kurdo herë, dhe ashtu siç kanë qenë gjithmonë shqiptarët  të bashkuar kudo në Kosovë, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet,  kur është paraqitur nevoja.

“Ju Keni qenë pranë nesh kurdo që është paraqitur nevoja, asnjëherë nuk jeni kursyer, nuk keni kursyer fondet, nuk keni kursyer jetën  mundin e kohën. Keni qenë ju, ata kur ne nuk kemi pas zë, me kongresmenë. Ishit ju, ata që para Kombeve të Bashkuara keni protestuar dhe keni treguar se çka po dëshirojmë, dhe sa po vuan populli i Kosovës. Ndonëse, neve në Kosovë kanë tentuar që t’na mbyllin gojën, që të na mbyllin kufijtë, që të na asgjësojnë, ju nuk na keni lënë për asnjë moment. Prandaj, ne çdo herë shprehim falënderimin dhe respektin e pakufishëm  për secilin prej jush, në çfarëdo mënyre, që keni pasur mundësi të na mbështetni, ku nuk keni kursyer asgjë”, tha Sahatqija.

Njëherësh ajo falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ishin pranë popullit të Kosovës, në kohën më të vështirë dhe për këtë ajo theksoi se populli i Kosovës gjithmonë ka respekt për Amerikën.

Duke iu drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikanë, ajo tha se “ju jeni ata që keni krijuar historinë e Kosovës, jeni ju ata me të cilët Kosova sot, nuk do të ishte këtu ku është. Jeni ju ata që i keni familjarët e vrarë. Jeni ju ata që ndoshta jeni përzënë nga shtëpitë tuaja jashtë kufijve të Kosovës, ku regjimi serb është munduar ta pastrojë Kosovën nga shqiptarët”.

Manifestimi në Waterburg tè SHBA-së me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Po ashtu, ajo e siguroi komunitetin shqiptar se Misioni Diplomatik i Kosovës, në New York, është  për këtë komunitet, është në shërbim të tyre.

Kurse, kryetari i komunitetit shqiptar “Hasan Prishtina”, në qytetin e Waterburgut, Xhemal Dani, duke uruar 11 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, tha se jemi gjenerata më e bekuar nga zoti, që na mundësoj që sot të jemi të gjithë së bashku ta festojmë këtë liri.

“ Kjo liri erdhi pas sakrificës martire të komandantit legjendat të UCK-së, Adem Jashari, dhe familjes së tij, sakrifica e të gjithë martirëve që ranë për lirin e Kosovës, dhe fal angazhimit të pathyeshëm të të rinjve dhe të rejave shqiptare që me djersë dhe gjak kontribuuan për lirin dhe pavarësisë e Kosovës”, tha Dani.

Ai shtoi se shqiptarët si asnjëherë më parë, kemi arsye të ndihemi krenarë dhe të lumtur që pranë nesh e kemi mikun më të madh dhe më demokratë në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Komunitetit shqiptar “Hasan Prishtina”, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë gatshëm ti del në ndihmë kauzës shqiptare, deri në bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare”, theksoi ai, raporton Telegrafi.

Në anën tjetër, nënkryetari i veteranëve të UCK-së, Nasim Haradinaj, theksoi se komuniteti shqiptar në ShBA, dha gjithçka çka kishte, bile- bile, edhe bukën e gojës, vetëm për ta ndihmuar popullin e Kosovës.

Ai në këtë ceremoni falënderoi të gjithë pa dallim, dhe tha se” jemi krenarë që ju kemi, për gjakun, mundim dhe për kontributin që dhatë edhe në luftë. Ne luftëtarët i kemi kryer fjalët, por në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të harrojmë kontributin tuaj në kohërat më të vështira”.

Përndryshe, në këtë ceremoni festive, të pranishëm ishin edhe aktivist të shumtë të çështjes kombëtare, përfaqësues të shoqatës  “Vatra”, komandanti i Batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu, dhe shumë shqiptarë të tjerë që jetojnë në këtë qytet dhe rrethinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat