Studenti shqiptar i Harvardit: Kosova dhe Shqipëria duhet të udhëhiqet me njerëz të rinj - Bota Sot
Studenti shqiptar i Harvardit: Kosova dhe Shqipëria duhet të udhëhiqet me njerëz të rinj

Amerika

Studenti shqiptar i Harvardit: Kosova dhe Shqipëria duhet të udhëhiqet me njerëz të rinj

Më: 22 prill 2019 Në ora: 07:08
Deni Hoxha

Studenti shqiptar në Universitetin prestigjioz të Harvardit, Deni Hoxha, porositë të rinjtë  shqiptar që të angazhohen, t’i ndjekin ëndrrat e tyre, dhe të mos frikësohen nga dështimet, pasi që dështimet janë pjesë e jetës dhe pjesë e riskut, që duhet marrë për të patur sukses dhe për të arritur aty ku do të jesh.

Edhe pse largimin e të rinjve drejt vendeve të huaja e konsideron si alarmues, megjithatë, sipas tij, kjo nuk mund të jetë aq befasuese, sepse situata në vendet tona, e ka bërë të veten.

Deni Hoxha flet edhe për vështirësitë, sfidat e të qenurit pjesë e këtij universiteti, për Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në këtë Universitet, të cilin e drejton ai, sa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, e sidomos marrëdhëniet me ShBA-në, perspektiven evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për gjerë ta tjera.

Image

Lidhur me Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në këtë Universitet, ai thotë se janë të lumtur, për gatishmërinë që Ambasadoret Teuta Sahatqija, Vlora Çitaku dhe Floreta Luli-Faber, kanë treguar për të qenë të pranishme në Harvard, dhe për t’i mbështetur organizimet e tyre.

Deni Hoxha është një student në Universitetin e Harvardit dhe studion Ekonomi si dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. I lindur në Gramsh dhe rritur në Tiranë, Deni emigroi me familjen e tij në Worcester, MA dhe jeton atje nga viti 2011. I pasionuar për ekonominë dhe marrëdhëniet ndërkombëtar, Deni ka marrë pjesë në programe të ndryshme të Harvardit për dy vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara, Francë, Tunizi, Shqipëri, Turqi, Katar, Jordani, Izraeli, Palestine dhe Japoni.

Image

Jashtë klasës, Deni është themelues dhe president i Asociacionit Shqiptar të Studentëve, konsulent biznesi dhe fotograf në gazetën Harvard Crimson, një tutor në Institutin e Politikës dhe drejtor i Komunikimit në organizatën Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kampus të Universitetit. Interesat e tjera të Denit, përfshijnë sipërmarrjen sociale, zhvillimin ndërkombëtar dhe iniciativat kulturore dhe ndërfetare. Ai flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe frënge dhe aktualisht studion japonisht, arabisht dhe turqisht.

Vlen të theksohet se në vitin 2017, Deni u zgjodh nga Coa Cola si një nga 150 studentët që fituan bursën prestigjioze Coca Cola Scholarship, si dhe ka fituar bursa te ndryshme nga Departamenti i Shtetit. Deni gjithashtu nuk harron prejardhjen e tij shqiptare. Është themelues dhe drejtues i organizatës Team Albanians, ku promovojnë kulturën, turizmin, suksesin shqiptar të Shqipërisë dhe Kosovës, në Amerikë dhe më gjerë nëpërmjet internetit.

Image

“Mendoj se korrupsioni dhe largimi i të rinjve drejt vendeve të huaja janë alarmues, por gjithashtu nuk duhet të jetë aq befasuese, sepse kjo është situata në vend. Amerika është një partner dhe aleat i rëndësishëm, dhe Kosova është me fat për marrëdhënien që ka. Kosova duhet të konsultohet me partnerët e saj, por gjithashtu, është një vend i pavarur dhe vendimet apo ligjet e Kosovës duhen vendosur nga kosovarët, sepse në fund të fundit kosovarët e dinë më mirë realitetin në vend. Interesin apo leverdinë e një vendimi, ata e gjykojnë më mirë sesa një i huaj”, tha Hoxha.

I pyetur nga Telegrafi se si e sheh perspektivën evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare, ai është përgjigjur:

“Mendoj se akoma ka shumë punë për tu bërë në vendet tona sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shërbimeve shëndetësore. Perspektiva evropiane është diçka që duhet të na motivojë, por gjithashtu nuk duhet të jemi kaq të varur nga kushtet ose mundësitë që mund të na ofrojë Bashkimi Evropian. Problemi është i brendshëm, dhe mendoj se ka nevojë për reforma të ndryshme në çdo fushë. Në vend të perspektivës evropiane apo heqja e vizave, duhet të motivohemi për një të ardhme më të mirë për veten tonë që realizohet brenda vendit. Njerëzit duhet të kërkojnë më shumë llogari kundrejt atyre që i kanë vënë në pushtet për të përmbushur premtimet e tyre. Në lidhje me këtë, mbështes iniciativat ose ngritjet e udhëhequra nga të rinjtë (ata që nuk janë pjesë e grupeve rinore politike) për ndryshime. Një shembull, gjatë protestës së studentëve në Shqipëri, Asociacioni i studentëve në Harvard—në konsultim me profesorë dhe anëtarë të organizatës, vendosëm të shprehim mbështetjen tonë në një deklaratë për protestën. Shpresoj që në të ardhmen edhe unë të jap kontributin tim në Shqipëri dhe Kosovë.”

Ai gjithashtu tha edhe një mesazh për të rinjt “Të rinjve shqiptar i them që të angazhohen, t’i ndjekin ëndrrat e tyre, dhe të provojnë duke mos u frikësuar nga dështimi. Unë jam këmbëngulës në qëllimet që kam, dhe përkushtohem shumë për diçka që dua të arrij. Por, gjërat nuk ecën ashtu siç duhet gjithmonë. Prandaj, mos të dorëzohen pasi është e lehtë që të dekurajohesh ose të zhgënjehesh me një dështim ose një vështirësi, por më shumë rëndësi kanë vendosmëria dhe përmirësimi. Dështimet janë pjesë e jetës dhe pjesë e riskut, që duhet marrë për të patur sukses dhe për të arritur aty ku do të jesh”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...