Nëna Terezë bashkon dy famulli amerikane në një - Bota Sot
Nëna Terezë bashkon dy famulli amerikane në një

Amerika

Nëna Terezë bashkon dy famulli amerikane në një

Frank Shkreli	Nga Frank Shkreli Më 23 prill 2019 Në ora: 21:00
Kisha “Shën Nënë Tereza e Kalkutës”

Dy kisha katolike, “Sacred Heart” dhe “St. Francis of Assisi” në qytetin Njubërg të Nju Jorkut, një qytet i vogël në breg të lumit madhështor Hudson, janë bashkuar kohët e fundit në një famulli, që është njësia e organizimit kishtar administrativ për këtë zonë.  Arkipeshkvia e Nju Jorkut, në bashkpunim me priftin e Kishës së re, ka vendosur që famullia e re, e dalë nga dy famullitë e lartëpërmendura – tani e tutje do të mbajë emrin e Shën Nënë Terezës.

Famullitari i Kishës së emëruar “Shën Nënë Tereza e Kalkutës”, Bill Damroth ka njoftuar emrin e ri të dy famullive të bashkuara, që sipas gazetës New York Catholic është famullia e parë në në këtë shtet që merr emrin e Nënë Terezës. Statuja e Nënë Terezës u zbulua gjatë ceremonisë historike të njoftimit të emrit të ri të famullisë, në prani të më shumë se 300 antarëve të saj. 

“Ishte një natë shumë e bukur”, citohet të ketë thënë famullitari Damroth, duke shtuar se pagëzimi i famullisë së bashkuar me emrin Nënë Tereza, “Ishte një celebrim i shpresave për të ardhmen tonë”.

I përndershmi Damroth tha për gazetën katolike të Nj Jorkut, “Catholic New Yorker”, se “Nënë Tereza kishte të njëjtat mundime dhe çkurajime, si të gjithë ne, por ajo i përballoi të gjitha ato nëpërmjet forcës së besimit të saj.  Ajo ishte bashkuese! Ishte pjesë e të gjitha segmenteve të shoqërisë: të pasur, të varfër, të sëmurë e të shëndoshtë.  Ajo gjendej kudo që e donte nevoja. Në cilën do pjesë të botës, ajo gjendej atje, për të gjithë.”

Emri i Shën Nënë Terezes ishte ndër tre emra që i ishin dërguar Kardinalit të Nju Jorkut për konsiderim, përfshirë Shën Papa Gjon Palin e II.  Kardinali i Nju Jorkut e kishte lënë në dorë të vet famullitarit Damroth të përzgjidhte emrin për famullinë e re.  Ai më në fund kishte vendosur që tani e tutje famullia e re do njihej me emrin Shën Nënë Tereza.  I Përndershmi Damroth është shprehur për gazetën katolike të Nju Jorkut se zgjodhi emrin e Nënë Terezës pasi ajo njihet anë e mbanë botës dhe se kishte pasur rastin ta takonte disa herë gjatë vizitave të saja në Shtetet e Bashkuara, ku Nënë Tereza ka disa qëndra të murgeshave të saja.  Prifti Damroth tha se kishte thënë meshë dy tre herë në prani të Nënë Terezës dhe se ishte bindur që atëherë se ai gjendej, “në prani të një shënjtëreshe moderne të gjallë”. 

“Është një nder i madh që pas aq shumë vitesh, të kemi mundësinë që ti dedikojmë dy kishat tona këtu në Njubërg, një gruaje religjioze e cila ka ndryshuar botën vetëm për mirë dhe e cila vazhdon edhe sot të influencojë pozitivisht mbarë botën”, është shprehur famullitari i Kishës Shën Nënë Tereza, duke theksuar se “Është e pabesueshme për mua që sot të kam rastin, mundësinë dhe privilegjin të nderojmë në këtë mënyrë, Nënë Terezën”.

Image

Për shumë vite tani, motrat e Nënë Terezës kanë qëndrat e tyre në zonat më të varfëra të Nju Jorkut, në lagjën Harlem dhe në Bronks.  Ishte pikërisht në Kuvendin e motrave të saja në Bronks më 1997 ku ajo u takua me Princeshën Diana.  Ishte një takim i cili ende edhe sot ka mbetur në imagjinatën e të gjithë atyre që kanë qenë dëshmitarë të takimit të famshëm të “murgeshës me princeshën”.  Vetëm disa muaj pas takimit të tyre në Bronks, ato ndërruan jetë të dyja mbrenda një jave.

Image
Bronks, 1997

Imazhe të tilla ka shumë nga jeta, takimet dhe veprimtaria e Nënë Terezës, jo vetëm në Nju Jork, në Washington dhe në Shtetet e Bashkuara, por edhe anë e mbanë botës.  Por, Nju Jorku dhe lagjet e tija Bronksi, Harlemi dhe Bruklini kishin një vend të posaçëm në zemrën e Nënë Terezës.  Kishte qenë në moshën 86-vjeçare, e sëmur dhe vetëm pak muaj para se të ndërronte jetë, që Nënë Tereza kishte bërë një vizitë të papritur në lagjet Harlem dhe Bronks, për të vizituar murgeshat e saja. 

Vizita të tilla kishte bërë shumë gjatë periudhës ç’prej fillimit të 1980-ave kur kishte marrë çelsin e qytetit të Nju Jorkut nga krye-bashkiaku i këtij metropoli në atë kohë, Z. Edward Koch.   Dukej sikur Nënë Tereza kishte renë në dashuri me Nju Jorkun por edhe Nju Jorku kishte renë në dashuri me Nënë Terezën.  Këtyre imaxheve dhe kujtimeve u është shtuar tani edhe një famulli që mban emrin e Shën Nën Terezes shqiptare, në një lagje të një njësie administrative kishtare në qytetin Njubërg të shtetit të Nju Jorkut, pranë lumit gjigant. Hudson.  

Image

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqë, Nënë Tereza pranon Çelsin e Qytetit të Nju Jorkut nga Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Edward Koch, në vitin 1981 -- June 5, 1981. (PAUL BURNETT/ASSOCIATED)

Image
Buletini i famullisë, Shën Nënë Tereza e Kalkutës, siç shënohet edhe më lartë në faqen e parë të buletinit, e lindur Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 26 gusht, 1910
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...