Dega e Vatrës në Uashington përkujton kryengritjen e 21 maj të vitit 1973 në Spaç dhe atë të 22 majit të vitit 1984 në Qafë Bari - Bota Sot
Dega e Vatrës në Uashington përkujton kryengritjen e 21 maj të vitit 1973 në Spaç dhe atë të 22 majit të vitit 1984 në Qafë Bari

Amerika

Dega e Vatrës në Uashington përkujton kryengritjen e 21 maj të vitit 1973 në Spaç dhe atë të 22 majit të vitit 1984 në Qafë Bari

Nga: Beqir Sina– New York Më: 23 maj 2019 Në ora: 14:38
Dega e Vatrës në Uashington

Kritika të forta për kryetarin aktual nga Kristo Kirka : “Eshtë, i vetmi kryetar dege(Amir Zoto, kryetar dege Uashington) që nuk ka heshtur por në të kundërtën ka ngritur zërin përsa i përket shkeljeve të Kanunores në vendosjen si kryetar të Vatrës(Dritan Mishto) birin të ish-prokurorit të diktaturës, që sot me paturpësi shkon e flet në përkujtimoret e vdekjeve të herojve anti-komunist si Mithat Frasheri e Abaz Kupi. Jam më së i bindur që po me paturpësi do të na shkoj dhe të vendosi kurorë dhe në monumentin e Vitktimave të komunizmit në Washington”

Kryetari dhe anëtarët e degës së Vatrës, në Uashington, të cilët nuk e njohin Kuvendin e fundit të Vatrës, dhe kryetarin aktual Dritan Mishto, të zgjedhur dy vjet më parë bënë homazhe vendosën kurorë me lule pranë piedestalit “Monumenti I Viktimave të Komunizmit” në Uashington, gjatë kësaj të shtune, teksa përkujtohen dy kryengritjet e para dhe të vetme për liri e demokraci në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, atë e 21 maj të vitit 1973 në Spaç dhe atë të 22 majit të vitit 1984 në Qafë Bari.

Më 19 Maj dega e Vatrës, “Pan Albanian Federation of America Vatra (the Hearth) DC Chapter” në Uashington, duke vendosur në emër të kësaj dege një kurorë me lule të freskta në piedestalin “Monumenti I Viktimave të Komunizmit” ka nderuar të gjithë ata që u ngritën 35 vjet më parë kundër regjimit barbar komunist në Shqipëri në burgun i Qafës së Barit në Pukë si dhe në revoltën e Burgut të Spacit, njofton kjo degë nga Uashingtoni, raporton Bota sot.·

Më saktësisht në njoftimin e saj kjo degë shkruan se më 19 Maj 2019 përfaqësues të Degës së Vatrës në Washington DC, vunë një kurorë me lule në Monumentin e Viktimave të Komunizmit në Ëashington DC, në kujtim të gjithë atyre që u ngritën 35 vjet më parë kundër regjimit barbar komunist në Shqipëri në burgun i Qafës së Barit në Pukë, si dhe në revoltën e Burgut te Spacit.

“Fatkeqësisht pas 35 vjetësh dhe 28 vjet para rënies së komunizmit ata që i shërbyen me zell regjimit komunist si hetues, prokurorë dhe drejtorë burgjesh që janë përgjegjës për shtypjen e revoltave të Qafës së Barit dhe Spacit nuk janë bërë asnjëherë përgjegjës për torturat barbare dhe krimet e bëra në këto dy burgje politike . Edmond Caja ish komandati i togës në burgun e Qafës së Barit dhe më pas Drejtor i burgut të Qafës së Barit 35 vjet më parë sot shijon privilegjet e demokracise perendimore në Gjermani. Po ashtu shumë prokurorë dhe hetues që conin me mijëra njerëz drejt vdekjes si kundërshtarë të komunizmit sot shijojnë priveligjet e demokracive perendimore që nga Evropa deri në SHBA. Duke pasur parasysh që për 28 vjet asnjë nga këta nuk është vënë përpara drejtësisë për krimet e torturat gjatë komunizmit dhe madje dhe fëmijët e atyre që shkaktuan këto krime dhe tortura thjesht heshtin. VATRA në Uashinton, e konsideron hipokrite dhe jo morale të rreshtohet - të jetë pranë prosekutoreve apo fëmijëve të tyre për të përkujtuar ata që humbën jetën dhe u torturuan u burgosën dhe internuan gjatë periudhës së komunizmit.”

Në fund të këtë njoftmi shoqëruar edhe me fotografitë e përkujtimit në Memorialin e Viktimave të Komunizmit, në statusin e saj në Facebook, komentet ka shkruar edhe një nga pinjollët e Vatrës, nipi i njërit prej themeluesve të Vatrës, ish kryetarëve, dhe drejtuesve të parë– Nolit, Konicës, Cerkezit, Panaritit e tjer, nipi i Kristo Kirkës, i cili dhe trashëgon sot emrin i tij - Chris Kirka:

Dua në rradhë të parë të gjejë momentin të falenderoj Kryetarin e Degës së Vatrës në Washington DC, mikun tim Armin Zotaj, që vazhdon me punë të palodhur të nxjerrë në dritë dhe të bëjë të njohur krimet e diktaturës komuniste në Shqipërinë tonë martire, shkruan Kirka. “Eshtë, i vetmi kryetar dege që nuk ka heshtur por në të kundërtën ka ngritur zërin përsa i përket shkeljeve të Kanunores në vendosjen si kryetar të Vatrës birin të ish-prokurorit të diktaturës, që sot me paturpësi shkon e flet në përkujtimoret e vdekjeve të herojve anti-komunist si Mithat Frasheri e Abaz Kupi. Jam më së i bindur që po me paturpësi do të na shkoj dhe të vendosi kurorë dhe në monumentin e Vitktimave të komunizmit në Washington, gjë që s’më bën përshtypje, por cfarë më cudit është fakti që akoma ka zagarë dhe lakej që i venë nga pas dhe e mbështesin, duke duartrokitur si majmunë, ku pjesa më e madhe deklarojnë se janë dhe viktima të ish diktaturës?”

Dosja e sigurimit, 22 Maj 1984: “Kjo këmishë o vishet sot, o kurrë”

Kush ishin heronjtë e një dite në revoltën e dytë më të rëndësishme kundër regjimit komunist, pas asaj të Spaçit, më 21 maj 1983. Si e nisën kundërshtimin ndaj policisë të burgosurit: Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Martin Leka, Vllasi Koçi, Haxhi Baxhinovski, etj.

“Kjo këmishë o vishet sot, o kurrë” i thotë Nikollë Prenga mikut të tij Tom Ndoja, kur të dy ata dhe qindra të burgosur politikë që vuanin dënimin në kampin e Qafë Barit, për pak orë u bënë zotër të atij vendi. Ato orë që nisën në mëngjesin e 22 majit 1984, të burgosurit u ngritën në revoltë kundër dhunës së pandërprerë të policisë së kampit, drejtuar nga Edmond Caja. Ata refuzuan të dalin në punë dhe morën mjete rrethanore, duke iu kundërvënë policisë. Në një moment, disa të burgosur hyjnë në magazinë dhe Tom Ndoja merr një kostum. Shoku i tij Nikollë Prenga i jep këmishën e tij dhe i thotë “Kjo këmishë o vishet sot, o kurrë”. E vërteta ashtu ishte. Ai e veshi atë këmishë për herë të fundit në jetën e tij. Vetëm disa orë më vonë, Tom Ndoja do të pushkatohej si një nga organizatorët e revoltës bashkë me Sokol Sokolin.

Kjo ngjarje njihet nga dëshmitë e ish-të burgosurve, por për herë të parë botohet dokumenti i Sigurimit të Shtetit i detajuar për atë ngjarje:

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Pukë më 29.10 1984

Relacion për ngjarjen e ndodhur më 22 maj 1984

Në datën 22 maj, në repartin e riedukimit 311 Qafë Bari, disa të dënuar, duke kundërshtuar urdhërat e komandës kaluan në veprime të hapura agresive. Si ndodhi ngjarja:

Më datën 22 maj rreth orës 7.30 kur kthehet turni i tretë nga puna i dënuari Ndue Pisha dhe Mëhill Deda nuk kishin realizuar normën e nxjerrjes së mineralit. Për këtë roja e punës polic Islam Doga së bashku me rojen e brendshme dhe oficerin e rojës thërrasin dy të dënuarit në zyrat e këshillit të riedukimit për tu thënë se duhet të dilni përsëri në punë turni i parë të realizoni normën. Në këtë kohë që u thirrën të dënuarit Ndue Pisha dhe Mëhill Deda nga oficeri i rojes, të dënuarit Sokol Sokoli e Tom Ndoja iu thanë atyre që të mos dalin në punë se po dolën në punë do të kishin pasoja nga ana e tyre. Të nxitur dhe të inkurajuar nga të dënuarit Sokol Sokoli, Sokol Progni, Martin Leka e Tom Ndoja, i dënuari Ndue Pisha kundërshton për të dalë në punë. Në bazë të gjendjes së krijuar u vendos që të dy këta të dënuar që nuk dilnin në punë të çoheshin në dhomat e izolimit, por gjatë shoqërimit të tyre, të dënuarit Sokol Sokoli, Sokol Progni, Martin Leka e Tom Ndoja, Haxhi Baxhinovski, etj. I ndërhynë efektivit të policisë me tulla e gurë që të mos fusnin shokët e tyre në izolim.

Për gjendjen e krijuar në repartin e riedukimit u njoftua menjëherë kryetari i degës të punëve të brendshme, i cili menjëherë erdhi në repartin e riedukimit. Për të normalizuar gjendjen e krijuar u veprua në këtë mënyrë: u futën të gjithë të dënuarit në mencë për të bërë apelin e gjatë bërjes së tij të lidheshin e të shoqëroheshin për izol të dënuarit që kundërshtoheshin efektivin e policisë. Mirëpo për mungesë organizimi të mirë nga ana e efektivit të policisë këtij qëllimi nuk iu arrit se gjatë bërjes së apelit kur u thirrën emrat e pjesëtarëve që kundërshtuan ata nuk pranuan të dilnin një e nga një dhe kështu që sulmuan në drejtim të derës ku ishte efektivi i shërbimit duke e marrë atë përpara e dalë sipër banesës së 2-katëshit e qëlluar me gurë ndaj tyre. Në këtë formë u veprua edhe një herë kur erdhi në repart kryetari i degës, ku i gjithë efektivi i policisë dhe të dënuarit u futën në sallën e mencës.

Gjatë bërjes së apelit këtë radhë kur u thirr emri i të dënuarit Kostandin Gjordeni e doli jashtë, me të veproi personeli i policisë për ta lidhur, bërtiti, menjëherë në këtë kohë të dënuarit Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Martin Leka, Vllasi Koçi, Haxhi Baxhinovski, etj., filluan tu bërtasin policive; Dilni jashtë dhe të bërtitura të ndryshme, kurse i dënuari Vllasi Koçi bërtiste “Viva Italia” dhe bënte thirrje të dënuarve të tjerë për ti përkrahur ata se do ti zhdukim spiunët, etj..

Gjatë kësaj përleshjeje të efektivit të policisë me të dënuarit disa prej tyre dalin nga menca dhe marrin leva e thika në duar, kurse ata që ishin brenda qëllojnë personelin e shërbimit me stola e paterica. Duke u ndodhur para kësaj situate kryetari i degës urdhëroi që efektivi i policisë të tërhiqet dhe të dalë nga vendbanimi. Gjatë tërheqejes së efektivit për të dalë nga vendbanimi i të dënuarve disa policë ishin sipër tek fusha e basketbollit së bashku me instruktorin politik të rrethuar nga të dënuarit Martin Leka, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthaj,etj. dhe kishin në duar thika.

Gjatë kohës që instruktori po bisedonte me ta i dënuari Haxhi Baxhinovski e godet atë me thikë, por ai tërhiqet dhe pak sa e prek në bark. Të dënuarit ndoqën policët që u futën në regjim me gurë e tulla deri tek porta afër oficerit të rojes, ku menjëherë në këtë kohë veproi ushtar Ramazan Doku, e qëlloi mbi ta për të shpëtuar policët e goditi njërin prej tyre në krah, pikërisht të dënuarin Kostandin Gjordeni. Kur qëlloi ky ushtar mbi ta atëherë në të njëjtën kohë të gjitha rojet e sigurimit të jashtëm qëlluan në ajër. Duke u ndodhur para këtij presioni të dënuarit tërhiqen dhe shkojnë e grumbullohen tek fusha e basketbollit poshtë depos private.

Për ngjarjen e ndodhur ishte njoftuar menjëherë Ministria e Brendshme dhe pritej që të vinin shokët e ministrisë e vepruar sipas porosive të tyre. Gjatë kohës që të dënuarit ishin të grumbulluar sipër godinave të banimit kishin marrë në depon private ushqime dhe tesha dhe pikërisht i dënuari Tom Ndoj veshi kostumin që kishte në depo, kurse i dënuari Nikoll Prenga i dha atij një këmishë të bardhe që kishte duke i thënë se kjo “o vishet sot, o kurrë”.

Me ardhjen e shokëve të ministrisë ku erdhi njëri nga zvministrat me drejtorin e drejtorisë së zbatimit të vendimeve penale dhe dy sampista, të cilët u dhanë urdhër të dënuarve të dorëzoheshin brenda 5 minutave.

Të dënuarit duke parë përforcimet e ardhura nga dega e punëve të brendshme Pukë me anë të forcave të ndjekjes dhe helikopterin që bënte xhiro rreth repartit të riedukimit u dorëzuan menjëherë, pa asnjë hezitim, duke kërkuar të mos i linin në repartin e riedukimit.

Në bazë të veprimeve të kryera prej tyre të gjithë pjesëmarrësit u arrestuan dhe dërguan në degën e punëve të brendshme Pukë.

Në këtë ngjarje u implikuan 38 të dënuar, 24 prej tyre u ndaluan që atë ditë, kurse të tjerë u transferuar në reparte të tjera. Pjesëmarrësit e kësaj ngjarje ishin; Sokol Sokoli, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Sokol Progri, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Vllasi Koçi, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Kostandin Gjordeni, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Agim Karameta, në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje, Petrit Moriseni, Haxhi Baxhinovski, Lazër Shkëmbi, Lush Bushgjoka, Tom Ndoj e Martin Leka, kishin nga një të dhënë për tendencë arratisje, kurse të dënuarit e tjerë ishin Nikoll Prenga, i ridënuar, Kol Shkëmbi, i ridënuar; Ndue Kola, Hysen Tabaku, Edmond Mustafaraj, Dedë Martini, Bajram Vuthaj, Xhemal Tota, Dedë Nimani, Mark Ndoci, Ramazan Spahiu, Martin Pjetri e Ndue Pisha.

Të dënuarit e tjerë që u implikuan në ngjarje dhe u hoqën nga reparti i riedukimit ishin: Dalim Zhavoli, bashkëpunëtor, Drago Vojusheviç në 2/A si agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav, Sandër Sokoli në 2/A për agjitacion e propagandë, Anastas Dhami në 2/A për tendencë arratisje, Roland Tole, Sali Gasa, Ilirjan Manushi, Agron Hoxha, Hajredin Fratari, Lulash Bushgjoka, Xhemal Mustafaraj, Çajup Bejko, Nuredin Skrapari dhe Veis Ceci.

Nga hetimet që u bëmë me personat që u ndaluan në degën e punëve të brendshme mbas dy ditësh u konkluduan që të arrastoheshin vetëm 12 kryesorët që muorën pjesë në këtë revoltë dhe pikërsht u arrastuan personat e poshtëshënuar; Sokol Sokoli, Sokol Progri, Martin Leka, Tom Ndoj, Vllasi Koçi, Kostandin Gjordeni, Bajram Vuthaj, Haxhi Baxhinovski, Lush Bushgjoka, Lazër Shkëmbi, Ndue Pisha eHysen Tabaku.

Gjatë hetimit disa të arrestuar si Kostandin Gjordeni, Ndue Pisha e Agim Karameta pranuan se kishin biseduar për arratisje, kurse në gjykimin e çështjes nuk pranuan, shkruan kujto.al. Në përfundim të hetimit të gjykimit të çështjes pjesëmarrësit në revoltë u dënuan: Sokol Sokoli e Tom Ndoja me pushkatim; Sokol Progri e Vllasi Koçi me 25 vjet heqje lirie, Martin Leka me 16 vjet heqje lirie, Kostandin Gjordeni me 15 vjet heqje lirie, Haxhi Baxhinovski e Bajram Vuthaj me 18 vjet heqje lirie, Ndue Pisha me 25 vjet heqje lirie, Lush Bushgjoka me 13 vjet heqje lirie, Lazër Shkëmbi me 12 vjet heqje lirie dhe Hysen Tabaku me 11 vjet heqje lirie, si pjesëmarrës në organizatë terroriste.”

Image
Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...