Tre vëllezërit Bytyçi, tragjedi e triumf për Kosovën

Amerika

Tre vëllezërit Bytyçi, tragjedi e triumf për Kosovën

Nga: Gjekë Gjonlekaj/New York Më: 24 qershor 2019 Në ora: 13:01
Varri i tre vëllezërve Bytyçi

Shtëpia ku jetoj unë është jo më shumë se dy minuta me automobil nga varrezat "Zoja e Bekuar" (St Mary’s) në Yonkers të New Yorkut ku pushojnë në përjetësi tre vëllezërit Bytyçi. Nga autostrada  që kalon aty pranë  çdo ditë i shohë varret e tyre. Ato janë në pjesën më të bukur dhe më të dukshme të këtij qyteti, kundruell rrugës kryesore. Në ato livadhe të pjerrta shihen tre gurë të zi mermeri ku është gdhëndur portreti i tre vëllezërve në uniformën e UÇK-ës. Ata u vranë në korrik të vitit 1999. Ylli ishte 25 vjeç, Agroni 23, ndërsa Mehmeti 21. Këto 3 varre të 3 martirëve të Kosovës janë sot varret më të nderuara shqiptaro-amerikane në Shtetet e Bashkuara. Janë të veçanta sepse në gjithë historinë e luftërave të Amerikës vetëm një herë gjatë Luftës së Parë Botërore janë vrarë 3 vëllezër. Dhe për heroizmin dhe tragjedinë e tyre janë shkruar disa libra, bile në Hollywood janë bërë edhe filma për ta. Batalioni Atlantiku në bashkëpunim me Konsullatën e Kosovës për çdo vit në fillim të muajit mars,  bëjnë nderimet e duhura duke vendosur kurorë lulesh mbi varret e tyre. Familja e vëllazërve Bytyçi gjithmonë është e pranishme në këtë ditë përkujtimore. Fusha e paradës dhe e betimit ushtarak prej ku janë nisur në luftë është afër atyre varrezave, jo më shumë se 15 minuta në këmbë. Më kujtohet si sot 11 prilli i vitit 1999 kur Ylli, Agroni dhe Mehmeti  në uniformen e UÇKës qëndronin pranë njëri tjetërit  si shqipe mali në radhët e Batalionit Atlantiku. Dita e nisjes së tyre për në Luftën e Kosovës kishte qënë data më historike dhe më tragjike e shqiptarëve të Amerikës. Themeluesit e këtij Batalioni më kishin autorizuar që të mbaja një fjalim anglisht për vajtjen e tyre në Luftën e Kosovës. Kur u ngjita lartë në foltore dhe shikova gjithata djemë përgatitur pë luftë iu luta Zotit për kthimin  e tyre shëndosh e mirë në Amerikë. Nuk ndodhi ashtu sepse 3 vëllezërit Bytyçi u vranë, 3 të tjerë u plagosën rëndë, njëri pa këmbë e tjetëri pa krah dhe një tjetër gati kishte mbetur pa njërin sy. Gazeta "Thë New York Timës" e datës 12 prill 1999 në një shkrim shumë të gjatë për vajtjen e "Batalionit Atlantiku" në luftë e kishte shënuar  edhe rastin e 3 vëllezërve. Bashkëluftëtarët e tyre tregojnë se ata  kishin qënë shumë trima në Frontin e Pashtrikut.

Pasi  kishte marrë fund lufta ata kishin shkuar në shtëpinë e tyre në Prizren ku ishin nëna,një vëlla dhe motra. Një familje rome e kishte ndihmuar familjen e tyre gjatë luftës. Pas luftës familja rome kishte kërkuar ndihmën e tyre për t'u larguar nga Prizreni ngase kishin frikë se mund t'u ndodhë ndonjë fatëkeqsi atje. Vëllezërit Bytyçi për t'ua kthyer me të mirë atë nder kishin marrë përsipër afrimin e tyre në kufirin e Sërbisë, por duke mos ditur terrenin, ata kishin hyrë gabimisht në territorin sërb  dhe menjëherë ishin kapur nga forcat ushtarake sërbe. Kjo ushtri barbare i kishte tortuaruar disa ditë, dhe pas atyre torturave të hatashme  i kishte pushkatuar. Ashtu të vdekur, duar lidhur me hekura dhe me sy të mbyllur ishin dërguar në një kamp ushtarak vuajtjesh në Petrovo Sello afër kufirit të Hungarisë ku kishin hapur një varr masiv dhe në atë grop të zezë sërbe  (serbian black hole) kishin qitur edhe 74 shqiptarë të tjerë.  Më 2 korrrik 2001,kongresmeni Joseph Dio Guardi kishte organizuar promovimin shumë të sukseshëm të librit  "Waging Modern war" të gjeneralit Wesley Clark. Ushtari i Batalionit Atlantiku Uk Lushi e kishte pyetur Gjeneralin Clarke nëse kishte ndonjë informatë për humbjen e tre vëllezërve Bytyçi. Gjenerali nuk ishte në dijeni për tragjedinë e tyre, por e kishte deklaruar publikisht atë ditë se do të bënte çka është e mundur për ta zbuluar të vërtetën. Një javë pas, ishte njoftuar në lajmet botërore se ata ishin gjetur në një varr masiv në Sërbi. Zbulimi i tre vëllezërve Bytyçi ishte atë ditë lajmi kryesor ndërkombëtarë. Disa anëtarë të Batalionit Atlantiku kishin shkuar ashtu së bashku te shtëpia e Ahmet Bytyçit për t'ua dhënë atë kumt të zi. Ato ditë disa aktivistë të njohur shqiptaro-amërikanë kishin shkuar te shtëpia e tyre në Long Island për të dhënë intervista në kanalet televizive amerikane dhe evropiane, pavarësisht se  djemtë e tij ishin në gjëndje t'ua shpjegonin gazetarëve amerikanë  tragjedinë e Agronit, Yllit dhe Mehmetit.  Në atë kohë një pjesë e kësaj familje jetonte në Prizren. 

Ato ditë flitej shumë për varrimin e tyre. Disa kishin menduar se do të  ishte mirë që varrimi i tyre të bëhej  në Prizren, ngase ata kishin shkuar në luftë për lirinë e Kosovës. Disa të tjerë kishim menduar se Amerika është më e përshtatshme sepse ishin të lindur këtu. Mua personalisht më ishte ngulitur në kokë që ata duhet të varroseshin në New York, për arsye se  ata ishin shtetas të këtij vendi  dhe se Kosova pas Luftës kishte varre në çdo kënd  dhe se nderimi për vëllezërit Bytyçi mbase do të ishte më në nivel këtu në Amerikë.  Nga ana tjetër shqiptaro-amerikanët do të kishim në Amerikë një pjesë të tragjedisë dhe heroizmit të Kosovës. Ne mendonim se varrezat e tyre do të jenë një pikë bashkimi për shqiptarët kudo. Një ditë korriku u takova në Arthur Avenue me babain e tyre Ahmet Bytyçin. Qëndruam së bashku nja dy orë në kafen Two Star (Dy Yje). Gjatë asaj bisede e pyeta Ahmetin se ku dëshironte të bëhëj varrimi i tyre?   Ai tha se New Yorku ishte vendi më i përshtatshëm. Për qëndrimin dhe dëshirën e tij e njoftova menjëhërë Shefki Mexhuanin kryetar i Shoqatës "Miqtë e TMK". Ai e pranoi seriozisht mendimin e Ahmetit dhe timin duke i bërë thirrje për bashkëpunim "Shoqatës Atlantiku" të cilën në atë kohë e drejtonte Arbër Muriqi ushtar i Batalionit Atlantiku. Ata thirrën një mbledhje ku kishin marrë pjesë një numër i madh i ushtarëve të këij Batalioni dhe disa miqë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në atë mbledhje mori pjesë edhe Ahmet Bytyçi. Të gjithë kishim menduar se shpënzimet për rivarrimin  e tyre do ta bënte qeveria amerikane. Komisioni më autorizoi mua për të biseduar me zyrtarët e Departamentit të Shtetit.  Drejtoresha e këtij Seksioni tha se nuk paguajnë asnjë dollarë për kthimin e tyre në Amerikë, ngase ata kishin shkuar vullnetarë për lirinë e tokës së parëve. Pavarësisht se ata ishin shtetas të lindur të këtij vendi nuk kishin shkuar në atë luftë të rekrutuar nga Shtetet e Bashkuara dhe për këtë, Amerika nuk kishte asnjë përgjegjësi për rivarrimin e tyre në këtë vend. Ju duhet të paguani 15.000 dollarë për kalimin e trupave të tyre të vdekur nga Petrovo Sello në Prishtinë. Çeku duhet të jetë nga banka në emër të Departamentit të Shtetit. 

Në atë rast iu luta të më jepte një intervistë në radion e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në New York. Ajo e pranoi kërkesën time dhe i shpjegoi të gjitha. Pas këtij vendimi dy shoqatat e lartëpermendura grumbulluan fondet për rivarrimin  në Amerikë. Shumicën e fondeve i kishte dhënë Batalionit Atlantiku dhe Miqtë  e TMK-ës. Pastaj edhe disa individë kishin dhënë kontribute të dukshme. Duhet shënuar se një kontribut të dukshëm kishte dhënë Florim Krasniqi. Unë dhe Uran Rexhepi bëmë fushatën e ngritje së fondeve në New York, New Jersy dhe Connecticut. Edhe gjetja e varreve të përshtatshme ishte problem. Kërkuam në disa anë të këtij qyteti, bile kërkuam vënd edhe në varrezat ku gjëndeshin Mithat Frashëri dhe shumë shqiptarë  të tjerë. Nuk ishte vend I përshtatshëm sepse ata nuk lejonin venndosjen e ndonjë guri të gdhendur mbi vorrin e tyre. Ata lejonin vetëm në pllakë twë vogël me emër e mbiemër dhe kurrgjë më shumë. Më në fund shkuam në varrezat pranë shtwpisë ku jetoj unë dhe aty gjetëm një vend të shkëlqyeshëm. Ato ishin varre të krishtera. I tregova Ahmet Bytyçit për karakterin fetar të këtyre vorrezave. Ai tha është në rregull kjo punë e mos e diskuto.

Përgatitjet e cermonive në Kosovë i kishin bërë Shefki Mexhuani dhe Arbër Muriqi në bashkëpunim më gjeneral Agim Çekun nw Prishtinë. Një javë para nisjes kisha biseduar me abasadorin William Walker për pjesëmarrjen e tij në ceremonitë në Prishtinë. Ai e kishte pranuar kërkesën tonë. Grupi ynë I përbërë prej 18 vetash, kishte shumicën ushtarë të Batalionit Atlantiku. Me 27 shkurt të vitit 2002 arritëm në Prishtinë.  Atje u pritëm me nderime nga zyrtarët amerikanë dhe shqiptarwë. Të nesërmen u zhvilluan ceremonitë mortore, duke filluar nga sheshi  para Teatrit të Prishtinës, sepse aty ishin vendosur arkivolet e tyre. Në krye të radhës sonë ishin William Walker dhe Ahmet Bytyçi. Pas homazheve tre arkivolet e vendosura në 3 automjete kaluan nëpër Bulevardin Nënë Tereza dhe u vendosën në Sallën e Palestrave. Kjo sallë ishte mbushur plot, dhe në radhët e para ishin ulur personaliete të larta shqiptare dhe amerikane. Ishin të pranishëm edhe ushtarakë të lartë nga Bondsteel. Kishte edhe diplomatë amerikanë nga Prishtina dhe Shkupi. Ceremonia filloi me intonimin e hymnave kombëtare shqiptar dhe amerikan. Aty folën Fatmir Limaj, William Walker, admiral Skënder Doçi, gjeneral Butka, Hysni Syla, Arbër Muriqi dhe i fundit fola unë. Mund të kenë folur edhe të tjerë por nuk më kujtohet emëri i tyre. Fjalët e mia: " SOT KEMI ARDHUR PËR TRAGJEDI, NESËR DO TË VIJMË PËR PAVARËSI DHE PASNESËR PËR BASHKIM KOMBËTAR GJITHESHQIPTARË. U duartrokitëm shumë dhe për këto fjalë të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë. Ato ditë vizituam përfaqësinë amerikane. Grupin tonë e drejtoi William Walker dhe pritjen e bëri amabasadori John Menzis. U kthyem për në Shtetet e Bashkuara të gjithë së bashku. Në aeroportin Kennedy të New Yorkut kishin dalur për të na pritur shumë shqiptarë, bile kishte edhe disa kanale televizive amerikane. Të nesërmen ditën e dielë u zhvillua ceremonia në Funeralin Faranga Bros të Bronxit, New York. Kur hyra brenda me një kurorë lulesh menjëhërë më ranë në sy 3 arkivole të vendosura paralel. U ndjeva shumë i tronditur shpirtërisht dhe më shkuan lotët për tragjedinë e tyre. Kurrë nuk kisha parë kaq arkivole në një funeral. Prindërit, vëllezërit, motra dhe kunatat qëndronin ashtu të pikëlluara thua se ishin ngurosur. Të nesërmen ditën e hënë më tre mars 2002 në Yonkers të New Yorkut në oborrin e Hotelit Royal Regency prej ku edhe ishin nisur për në luftë u bënë nderimet e rastit. Ata kishin fjetur në këtë hotel dy netë përpara se të niseshin në lufte. Varret ishin 15 minuta në këmbë nga oborri i atij hoteli. Trupat e tyre të pajetë i mbanin ushtarët e Batalionit Atlantiku.Tre arkivolet e tyre ishin vendosur mbi ato 3 varret dhe varrmihësit kishin përgatitur mekanikisht rënjen e tyre ngadalë por të 3, ranë në varre përnjëherë. Ishte kjo një skenë tepër e trishtueshmë. Të gjithë ishim aty. Familja ishte më afër se të tjerët. Të gjithë po e shikonin nënën e tyre Bahrien. Kur ajo e pa e rënjen e tyre në varre përnjëhërë ngriti duart lartë dhe u dëgjuan fjalët e saj: "O Zot i Madh….." Por para se të binin në varret e tyre muzikani i shkollës amerikane  Anton Vulaj i ra borisë që i bien ushtarët amrikanë për të vdekurit e tyre para vorrimit. Në këtë ceremoni morën pjesë shumë shqiptarë nga Amerika. Mori pjesë edhe aktivisti Luigj Gjokaj me shokë nga Detroiti, bile ai kishte bërë fushatë për ngritjen e fondeve për këto shpënzime. Meriton të kujtohet edhe Imami i Patërsonit në New Jersey Muhamet Osmani për shërbimet e tij fetare. Ai në këtë ceremoni ishte treguar qytetar i vërtetë shqiptaro-amerikan.

Ahmet Bytyçi dhe familja e tij ishin treguar shumë të ndershëm dhe fisnik gjatë gjithë kohës së veprimit për rikthimin e djemëve të tyre te vdekur në këtë vënd. Kjo familje bashkëpunoi në mënyrë të sinqetë me të gjithë. Në asnjë moment nuk treguan mburrje ose krenari për heroizmin e djemëve të tyre.Gjithëmonë ishin modest. Familja e Adem Jasharit në Kosovë dhe Familja e Ahmet Bytyçit në Amerikë  janë familjet më të nderuara në botën shqiptare. Ata janë modest të ndershëm dhe të sjellshëm. Unë personalisht ruaj shumë kujtime të dhimbshme nga kjo familje e lavdishme. Ylli, Agroni dhe Mehemti ishin heronjë dhe martirë. Meriton nderime edhe vëllau i tyre Ilir Bytyçi i cili tash e sa vjet punon natë e ditë për të zbuluar të vërtetën për tragjedinë e vëllezërve të tij. Iliri me sjelljet e tij të shkëlqyeshme po nderon vëllezërit, familjen dhe kombin shqiptar.

“NO DAY SHALL ERASE YOU FROM THE MEMORY OF TIME” 

“ASNJË DITË NUK DO T’U FSHIJË NGA KUJTESA JONË”

ENEIDA-VIRGJILI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat