Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë pranon 7 anëtarë të rinj në gjysmëvitin e parë 2019

Amerika

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë pranon 7 anëtarë të rinj në gjysmëvitin e parë 2019

Nga: Adnan Mehmeti(President i Shoqatës) New York, 1 korrik 2019 Më: 1 korrik 2019 Në ora: 06:01
Arkiv

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është vatra jonë dhe shtëpia e dytë për të gjithë krijuesit. Ajo ka anëtarë anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumica janë të ndodhur në New York, New Jersey dhe Connecticut, pastaj në Masacchusets, Pennsylvania, Washington D.C., Michigan, Illinois, Wisconsin, Florida, Texas, California, Ohio, Maryland, Virginia, Rhode Island, Arizona, Minnesota, etj.

Për t'u konsideruar si anëtar i Shoqatës, duhet të plotësoni këto kushte:Të jeni shqiptaro-amerikanë. Të keni publikuar së paku një libë. Të aprovoheni nga bordi i Shoqatës, bazuar nga cilësia e veprës së botuar!Anëtarë Nderi bëhen të gjithë ata persona fizikë ose juridikë që japin ndihmesën e tyre të veçantë në lidhje me realizimin e qëllimeve fisnike të shoqatës.

Kryesia e shoqatës gjatë gjysmëvitit të parë 2019 pranon 7 anëtarë të rinj: studiuesi dhe shkrimtari Dr. Sami Repishti (Anëtar Nderi), shkrimtari Istref Haxhillari, poeti dhe luftëtari i UÇK-së Shpend Gjocaj,publicisti dhe  analisti Luz Thaqi, gazetarja dhe shkrimtarja Klara Buda, studiusi i Fan Nolit dhe Faik Konicës, Sevdai Kastrati si dhe gazetari dhe poeti Fuat Memelli.

Anëtarët e rinj dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë që këtej e tutje kanë një lidhje miqësore , të bukur dhe të dobishme. Anëtarët tanë të rinj kanë pasione të ndryshme, kanë një përditshmëri që ndryshon nga secili, por kanë një vatër të ngrohtë ku ata mund të bëjnë më vitale krijimtarinë e tyre. Po është nder edhe për shkrimtarët pak më veteranë të kësaj Shoqate me këto prurje të reja. Kështu që, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ngrihet me forcën e pasionit dhe të përkushtimit, të secilit prej tyre. Urime në këtë familje të re krijuesësh, miqtë tanë më të rinj!

Shoqata e Shkrimtarëve është në fazën finale në botimin e antologjisë të anëtarëve të saj “Gjurmë letrare (Anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë-Biografi dhe bibliografi”, duke prezantuar të gjithë anëtarë të saj, që nga dita e parë deri më sot. Në këtë përpjekje për një panoramë të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë ka edhe një numër të vogël shkrimtarësh që nuk janë përfshirë, meqë nuk i takojnë grupimit tonë, por dhe ata janë të vlerësuar dhe të mirëpritur në të ardhmen.

  1. se kështu afrohen, ndihmohen dhe bashkohen edhe më shumë shkrimtarët. Duke u njohur sa më shumë me njëri-tjetrin dhe duke njohur krijimtarinë e njëri-tjetrit, ne njohim më mirë letërsinë shqipe që po zhvillohet në Amerikë. Pranimi i antërëve të rinj është një festë e vërtetë. Uroj të kemi sa më shumë festa të tilla!

Anëtarët e rinj

Sami Repishti lindi në Shkodër6 prill 1925, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Ndërsa studimet universitare për histori moderne i filloi në Universitetin e Firencës. Në vitin 1946 dënohet nga ish Sigurimi i shtetit me 15 burg, nga të cilat ai i bëri 10 vjet. Mbas daljes nga burgu më 1956, punoi punëtor krahu dhe i përndjekur. Arratiset, me 22 gusht 1959 në Kroaci e mëpastaj vendoset në Itali, e mbas shumë vuajtjesh, më 1962, emigroi për në ShBA. Doktoroi pranë Departamentit të Frëngjishtës në City University of New York (1977). Për 25 vjet me radhë, ka dhënë mësim në gjimnazetamerikane dhe në universitetin Adelphie, si pedagog i jashtëm.

Prof. Repishti është autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Pjesëmarrës aktiv në jetën e bashkësisë shqiptaro-amerikane, është dekoruar disa herë nga qeveria shqiptare dhe amerikane për veprimtari patriotike dhe akademike.

Veprat e botuara:

“Pika loti”, tregime burgu, 1997

“Kosovë, prill 2000”, përshtypje udhëtimi (bashkëautor me H. Bajraktari), 2000

“Nën hijen e Rozafës”, narrativë e jetueme, 2004

“Dialektika e rendit dhe rebelimit tek A. Malraux”, studim, 2011

“Lotë- lavdi e lumni”, 2016

“Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit”, publicistikë, 2016

Istref Haxhillari është lindur në Pogradec. U diplomua për Fizikë në Universitetin e Tiranës; disa vite më pas kreu kursin pasuniversitar për këtë specialitet.Mësues dhe drejtor shkolle, inspektor, shef i arsimit dhe kulturës së rrethit Pogradec, punonjës i Kuvendit të Shqipërisë, përgjegjës i burimeve njerëzore në Drejtorinë Arsimore, etj.

Ka marrë çmime letrare nga shoqatat e shkrimtarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, SHBA.  Më 23 prill 2010, në ditën botërore të librit, Ambasada e Spanjës i akordoi çmimi  “Don Kishoti”. Në vitin 2014 është shpallur qytetar nderi i krahinës së Mokrës, Pogradec. Ka ardhur në SHBA në vitin 2015, me banim në Worcester.

Veprat e botuara:

 “Përthyerje”, tregime & ese. 2002

“Pesha e kohës”, roman. 2006, Toena

“Bari i ujkut”, proza. 2008, Toena

“Ëndrrat kryqëzojnë kohën”, novelë shqip-anglisht. 2008, Ada

“Hapësirat rrallohen prej dhimbjes”, ese. 2009. Ada

“Grinata”, tregime & novela. 2012, UEGEN

“Pretenca”, roman. 2014 Shtypshkronja Asdreni, Shkup dhe ribotim 2017, UEGEN, Tiranë

“Pakt me të hënën”, tregime & ese, 2016, Muzgu

“Nata e syve blu”, roman,2018, UEGEN

Shpend Gjocaj u lind me 15.12.1972 në Junik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen dhe të lartën, dega Biologji-Kimi në Gjakovë.Poashtu fakultetin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Bachelor) e kreu në Gjakovë.Ka Magjistruar në Shkenca Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ka qenë Kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve në SHLP ’Bajram Curri” në Gjakovë në vitet 1997/98, organizator dhe udhëheqës i protestave studentore. Poashtu ka qenë epror në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ka punuar si Aktor në Teatrin Kombëtar të Gjakovës nga 2001-2006. Në nëntor të vitit 2007 emigron në Nju Jork.

Veprat e botuara:

“Heshtje e pëlcitur”, “Pjeter Bogdani”, Has, 2001

“Lufta në dhomën time”, Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2003

“Lotët e ngrirë”, “Pjetër Bogdani”, Has, 2004

“Ohet e heshtura”, Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2008

Luz P. Thaqi u lind me 10 shkurt të vitit 1955 në fshatin Shëngjin të Komunës së Klinës.Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje ndërsa Mardhënjet ndërkombëtare dhe studimet posdiplomike në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, në gjysmën e dytë të viteve të shtatëdhjeta. Në vitet 1978/79 ishte Kryetar i Shoqatës Letraro-Muzikore “Përpjekja” të sdudentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit.

Në vitin 1994, me ardhjen e tij në qyetin e Nju-Jorkut, fillimisht për 4 vite ishte Editor i gazetës Shqiptaro-Amerikane “Albanian Herald” e cila botohejë në N.Y. por, si dhe bashëkpunëtor dhe korrespodent për disa gazeta të kohës. Ishte gazetar i akredituar në OKB-e si dhe anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetaëve të Lirë me seli në Londër.

Veprat e botuara:

“Diaspora e re shqiptare në SHBA”, publicistikë, ”Dardadnia Sacra”, Prishtinë, 2004

“Dëshmi në kohë”, publicistikë, “Teuta”, Prishtinë, 2016

Klara Buda u lind me 13 maj 1964 në Elbasan.Është diplomuar në Universitetin prestigjoz francez "École Pratique des Hautes Études" (EPHE), në Paris. Nga viti 1993 ajo ka punuar si gazetare profesioniste në Francë dhe në vitin 2004 ajo u emërua Shefe e Departamentit Shqiptar të RFI, të cilin e udhëhoqi deri në mbylljen e tij në vitin 2010. Para kësaj pune, znj. Buda ka punuar për UNESCO-n dhe BBC-në

Në vitin 2012, ajo krijoi gazetën online http://klarabudapost.com/ për të promovuar gazetarinë e pavarur dhe etike, ndërsa në vitin 2013, krijoi Diplomacinë Kulturore Shqiptare në New York

Znj. Buda ka mbrojtur Master në Shkencat Historike dhe Filologjike nga "Ecole Pratique des Hautes Études" (EPHE) në Paris dhe aktualisht përfundon tezën në filozofi në The European Graduate School, Division of Philosophy, Art & Critical Thought, Alter Kehr 20, CH-3953 Leuk-Stadt, Switzerland.

Ajo e ndan jetën mes Parisit e New Yorkut dhe shërben si këshilltar e lartë në media, komunikim dhe ndërtim të paqes.

Veprat e botuara:

“Mitrush Kuteli”, biografi letrare në frëngjisht, 1997

“Kloroform”, roman, Botimet "Dudaj,2009

“Fshati im e pi rakinë”, novela nga Mitrush Kuteli, përkthyer nga shqipja në frëngjisht. Éditions Fauves, Paris, 2016.

“Pëshpërimë gruaje”, roman, UET “Mapo”, Tiranë, 2017

“Kuteli”, Ese, “Ombra GVG”, Tiranë, 2017

“Kosova Mon Amour”, koleksion i eseve, Botimet “Pema”, Prishtinë, 2017

Sevdai Kastrati lindi më 10 maj 1968 në Karaqevë të Epërme të Dardanës. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, më 1992. Në tetor të vitit 1992 u pranua si profesor i letërsisë së vjetër shqipe dhe i letërsisë së Rilindjes Kombëtare në Universitetin e Eqrem Çabej të Gjirokastrës. Në vitin 1994 është vendosur në New York. Më 1996 ka botuar revistën “Zëri i Shqipërisë”, kurse më 2013 gazetën “Shqiptari” dhe 2014 “Zëri i Çamërisë – The Voice of Chameria”.

Është autor i librit Lufta e Penave botuar në Tiranë më 2002, si dhe e ka përgatitur për botim librin Lufta e fjalëve. Po ashtu, ka bërë gati për botim veprat e plota të Faik Konicës dhe Fan S. Nolit.

Veprat e botuara:

“Lufta e Penave”, publicistikë, Shtëpia Botuese Toena,Tiranë, 2002

Fuat Memelli ka lindur më 14 shkurt 1946 në Sinicë të Devollit. Në vitet 1964- 69 vazhdoi Institutin Bujqësor të Tiranës. Paralelisht në vitet 1967-69, vazhdoi kursin dy vjeçar të gazetarisë, pranë Fakultetit Juridik. Në tetor 1969, fillon punë në Televizionin Shqiptar. Është redaktor i parë i emisioneve të bujqësisë në këtë televizion. Në vitin 1975 e largojnë nga televizioni për “njolla” në biografi. Në vitin 1978 fillon punë në sektorin e filmit të ish Shtëpisë së Propagandës Bujqësore. Në vitin 1982 i jepet titulli “Regjisor i filmit dokumentar” nga komisioni përkatës në ish Kinostudjo. Nga vitet 2006 deri 2011, punoi në sektorin e informacionit, në Ministrinë e Bujqësisë. Ka fituar tre çmime kombëtare në festivalet e filmit dokumentar që realizonte Kinostudjoja dhe Televizioni Shqiptar. Ka marë pjesë në disa festivale ndërkombëtare të filmit dokumentar dhe ka fituar katër çmime. Fotografia është një pasion tjetër i tij. Ka hapur dy fotoekspozita. Në vitin 1996 është specializuar në Francë për filmin dokumentar.

Në vitin 2011 ka dalë në pension dhe në mars të atij viti erdhi në SHBA me bashkim familjar. Jeton në Boston. Gjatë viteve të fundit ka realizuar edhe tre dokumentarë.

Veprat e botuara:

“Mësuesi ynë”, monografi, 2005

“Në vjeshten e jetës’, poezi, 2011

“Më mbeten sytë”, poezi, 2016

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat