Refugjati nga Prishtina arrin të bëhet pjesë e ushtrisë amerikane

Amerika

Refugjati nga Prishtina arrin të bëhet pjesë e ushtrisë amerikane

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 21:55
Arbnor Shala

Periudha e luftës në Kosovë, ashtu sikurse për të gjithë shqiptarët, e vështirë ka qenë edhe për Arbnor Shalën, nga fshati Shkabaj i Prishtinës.

Në moshën 5-vjeçare, Arbnori së bashku me familjen, nga kampi i refugjatëve në Maqedoni, vendoset në Amerikë, raporton KTV.

Ani pse e la vendin në luftë, ai kurrë nuk e harroi atë.

Kështu, ai vazhdoi studimet në Amerikë, për t’i realizuar qëllimet jetësore.

Shala ka përfunduar Fakultetin e Kriminalistikës, për t’u bërë pastaj pjesë e Ushtrisë Amerikane për Mbrojtjen e Ujërave.

Ai arriti të bëhet pjesë e kësaj force si shqiptar i vetëm, në mesin e 41 mijë ushtarëve të tjerë.

Në kohën sa po avancohej në këtë fushë, Shala ka kaluar nëpër shumë vështirësi.

Ndër to është edhe aksioni për kapjen e një nëndetëseje të huaj, që përmes ujit po transportonte në mënyrë ilegale mbi 7 mijë kg kokainë, në vlerë të 569 milionë dollarëve.

Gjithë këtë, ai po e bën që ta falënderojë Amerikën për kontributin që ka dhënë kjo e fundit gjatë luftës në Kosovë.

Arbnori tregon se në kohën kur ka diplomuar, ka biseduar me komandantin e Ushtrisë për Mbrojtjen e Ujërave, i njëjti që për 6 muaj pati shërbyer gjatë luftës në Kosovë.

Kjo kërkesë e tij, drejtuar komandantit, ishte mburrje për të dhe familjen e tij.

Në këtë mënyrë, ai arriti ta përmendte Kosovën para ushtrisë, e po ashtu të dëshmonte që populli kosovar është përherë falënderues ndaj Amerikës.

25-vjeçari, që së shpejti do të ngrihet në shkallën e 5-të të ushtrisë, synon që në të ardhmen të bëhet epror në kuadër të kësaj ushtrie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat