Agim Musta, ish i burgosuri politik që sfidoi diktaturën komuniste në Shqipëri!

Amerika

Agim Musta, ish i burgosuri politik që sfidoi diktaturën komuniste në Shqipëri!

Nga: Moza Boletini Më: 25 korrik 2019 Në ora: 17:16
Moza Boletini

SHBA, Korrik 2019

Me ish të burgosurin politik dhe mikun tonë Agim Musta, personalisht mua dhe anëtaret e "Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike" të Shqipërisë na lidhin kujtime e veprimtari të shumta. Qysh pas rënies së perdes së hekurt në Shqipëri së bashku me Fondacionin "Musine Kokalari" themeluar nga historiani dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Agim Musta kemi mbajtur në Tiranë një sërë kumtesash, simpoziume, tubime për të përkujtuar dhe vlerësuar disidentët shqiptarë që u përballën me diktaturën më të egër në Europë. 

Agim Musta me intelektin, kurajon e guximin e tij të frymëzonte për të ndërmarë nisma të fuqishme, për të nxjerë në dritë vuajtjet e popullit tonë në komunizëm. Autor i shumë veprave, ku në çdo faqe të krijmitarisë së tij shpaloset me gërma të mëdha genocidi dhe persekucioni komunist i përbindëshit hoxha dhe kriminelëve të tij që masakruan padrejtësisht një popull të tërë, izoluan Shqipërinë nga bota e qytetëruar, vranë, burgosën dhe internuan njerëz të pafajshëm deri tek fëmijët e vegjël që vdiqën burgjeve, kampeve të përqëndrimit nga torturat, mos ushqyerja e malarja...

Çdo vit me Fondacionin "Musine Kokalari" dhe "Shoqatën e Grave ish të Persekutuara Politike të Shqipërisë" mbanim ceremoni përkujtimore dhe homazhe për gratë që dhanë jetën, u dënuan e internuan nga gijotina komuniste, si dhe vlerësonim personalitete të ndritura të kombit që sfiduan diktaturën siç ishte edhe vetë figura brilante e shumë dimensionale e Agim Mustës.

Si veprimtarë të palodhur të kauzës së të drejtave të ish të persekutuavre politikë të Shqipërisë, ku me modesti do të përfshij edhe emrin tim, sëbashku me shkrimtarin disident Agim Musta, si bashkëpunëtorë të jashtëm, ftuar nga "Qendra e të Mbijtuarve të Torturës" në Tiranë, kemi dhënë idetë tona për të venë në zbatim disa projekte të rëndësishme të Qeverisë Daneze, të cilat pasqyronin qartë pasojat që linte tortura jo vetëm tek i burgosuri, por edhe tek familja, gruaja, fëmijët dhe roli suportues që duhet të luajë shoqëria ndaj viktimave të torturës.

Edhe në New York, pata rast të takohem me Agim Mustën, Simon Mirakën, ku për herë të parë në Kishën Zoja e Shkodrës ngritën "Ekspozitën fotografike" me pamje nga burgjet, kampet e përqëndrimit shqiptar, si dhe foto nga viktimat e komunizmit, heronjve të kombit, ku me ftuan edhe mua për të dhënë kontributiin tim në hapjen e asaj ekspozite.

Lajmin për ndarjen nga jeta të Agim Mustës e mësova nga vajzat e tij. Bashkohem me dhimbjen që i la pas familjes, dy vajzave të shkëlqyera Elisabetës dhe Suelës, dy atdhetareve të flakta e antikomuniste, të cilat i çmoj dhe i vlerësoj shumë. I shpreh atyre me zemër ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e babait të tyre të shtrenjtë. Heroit vital e stoik përpara torturave të xhelatëve të kuq. I paharuar qoftë kujtimi dhe vepra e tij. 

Ngushëllime familjes i shpreh gjithashtu edhe Organizata e Gruas "Shpresë & Paqe" në SHBA, ku pjesa dërmuese e anëtareve të saj vijnë nga shtresa ish e persekutuar politike të Shqipërisë, nga vajza e gra që kanë përjetuar traumat e vuajtjet e atij genocidi të rëndë. 

Pusho në Paqe miku ynë Agim Musta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat