Malësia e Madhe pëllëmbë e thesar

Amerika

Malësia e Madhe pëllëmbë e thesar

Nga: Gani Vila Më: 7 gusht 2019 Në ora: 15:10
Fisi Gojçaj takimi fisnor Michigan 2019

Fisi Gojçaj në Michigan organizon bashkimin fisnor Të gjithë emigrantët shqiptarë ku jetojnë nëpër botë dhe veçanërisht në Amerikë, në forma e mënyra të ndryshme si individë dhe familje, apo me origjinë e lidhje nga fshatra, zona, lagje, qytete, rrethe apo bashkime në shoqata e shoqëri të ndryshme artistike e kulturore, anëtarësimi në institucionet fetare, etj., bëjnë që krahës integrimit në jetën progresive demokratike amerikane, falë kësaj demokracie dhe lirisë së garantuar, mundohen të ruajnë gjuhën shqipe, traditat dhe zakonet më të mira të kombit tonë shqiptar.

Të larguarit nga vëndlindja edhe pse quhen të gjithë emigrantë, nuk e kanë të njëjtin fat.

Në jetën e përditëshme ka ndryshime e përjetime të mëdha në hallet e përditëshme, por dhe në sukseset e tyre. Largimi ynë nga vëndlindja, nga toka mëmë është një veprim i dhimshëm për të gjithë ne të larguarit e që na bën borxhlinj ndaj kombit. Në këto rrethana gjithësecili do mundohet të kontribuojë me mënyrën e format e veta për të larë këtë “mëkat” ndaj vëndlindjes. Prindërit edhe pse e dinë dhe e mbajnë vetë përgjegjësinë e emigrimit, fëmijët e tyre ku më shumë e ku më pak e përjetojnë traumën e prindërve.

Por fatmirësisht ky fenomen nuk i penalizon direkt brezat e rinj dhe veçanrisht ata që lindin këtu.

Në përpëlitjen e kësaj trysnie e në përpjekjen për të mos u asimiluar, në përgjithësi të gjithë shqiptarët, nisur edhe nga instikti njerëzor që lind nga ndjenja kombëtare, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në shekuj e deri më sot përpjekje të gjithanshme për ruajtjen e pastër të gjakut shqiptar, të gjuhës dhe zakoneve tona edhe në mërgim. Emigrantët që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë disa veçori. Atyre që kanë ardhur nga trevat e Shqipërisë, Kosovës apo nga viset e Maqedonisë së Veriut, ju mungojnë në të shumtën e rasteve, familja, të afërmit, kushërinjte, shokët e fëmijërisë, të shkollës, të lagjes, të punës e të njohur të tjerë të jetës së tyre.

Ky boshllëk fizik e shpirtëror nuk është pa pasoja, ai sjell ngarkesë psikologjike, dhimbje e shqetësime shpirtërore që të lënë në minorancë familjare e fisnore.

Edhe pse me kalimin e viteve, këto fenomene mund të zbuten e të përmirësohen, mendoj se të emigruarit në këto kushte, dhimbja e mungesës ndaj të afërmëve të tyre do t i ndjekë e shoqërojë për gjithë jetën. Kategoria tjetër e emigrantëve të ardhur nga trevat e Malësisë së Madhe që jetojnë në Mal të Zi, të shpërngulur mbi shtatëdhjetë përqind e popullsisë si lagje, si fshat, krahinë apo fis, nuk e kanë dëmtuar shumë “bazën” e jetës familjare, miqësore e shoqërore. Ata janë më të kompletuar në këtë drejtim. Në jetën e përditëshme dhe në evenimente të rëndësishme familjare banorët e ardhur nga këto treva janë më shumë se çdo zonë tjetër shqiptare të bashkuar e të gjendur për njeri tjetrin. Krahas kujdesit që bëjnë në familje, ata gjejnë forma e mënyra të ndryshme për të ruajtur traditat shqiptare. Por në shpirt edhe kjo kategori emigrantësh ndjejnë mungesën dhe mallin për vëndlindjen. Çdo çast mendojnë dhe ndihmojë vazhdimisht bashkëvëndasit për nevojat e tyre.

Kur dhimbja është e përbashkët, me njerëz kalohet më lehte, por dhimbja është dhimbje. E kjo e emigrimit për malësorët ka ndodhur rreth viteve 1968 e në vazhdim. Mbi 70% e banorëve të zonave të Kojës, Trieshit, Grudës, Hotit, Ulqinit, Pllavë, Guci, Tivar, etj., janë larguar nga vëndlindja e kryesisht kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku me shumicë banojnë në Michigan dhe në New York.

Edhe, pse nuk ka një statistikë të saktë ose të përafërt se sa mijë malësorë kanë ardhur në Amerikë nga Koja,Trieshi,Gruda dhe gjysma e Hotit, në përgjithësi mendohet se popullsia e emigracionit të këtyre trevave të jetë më e madhja se kudo tjetër në Michigan. Nëse dëshiron të mësosh të kaluarën e malësorëve për jetën, për zakonet e traditat e tyre, mos humb kohë në Malësi të Shqipërisë ose të malësorëve nën Malit të Zi. Vizitoni si mysafirë një shtëpi malësori cilëndo që ju do dëshironi këtu në Michigan dhe aty do të gjeni bio traditat e vjetra të malësorit. Bujaria e tyre edhe pse tash jeton me kamjen, mikpritja mbretëron dhe lulëzon si dikur motit në Malësi.

Malësorët këtu në Michigan pasurinë e kanë shkrirë me bujarinë. Modernen e kanë pranuar pa cënuar traditat e tyre që kishin në vëndlindje. Gjuhën shqipe e kanë të parën që belbezon në buzët e fëmijëve e që tingëllon hijshëm në shtëpitë e tyre, në kishë dhe kudo në ambiente shqiptare. Në se është fatkeqësi që janë larguar masivisht nga Malësia, është fat dhe mbarësi që jetojnë së bashku në emigracion dhe gjithmonë mbajnë lidhje të forta me vëndlindjen. Bërthamën e të gjitha traditave tona kombëtare, malësorët ndër të tjera i ruajnë dhe i trashëgojnë në breza së pari në shtëpinë e tyre, në Kishën e Shën Palit dhe në organizimet e ndryshme në shoqata kulturore-artistike, politike, etj.

Malësorët në Amerikë, pavarësisht se në çfarë shteti jetojnë janë shumë aktiv në komunitet,veçanërisht për çështjen shqiptare. Ata shquhen për patriotizëm dhe besim tek Zoti. Në këtë shkrim edhe pse i referohem fisit Gojçaj, do të sjell informacione se si malësorët në përgjithësi janë shëmbuj idesh e suksesesh, për vete dhe pse jo një mësim për gjithë diasporën shqiptare ku jeton nëpër botë. Ka shumë vite që fise të ndryshme të malësorëve të këtyre zonave, ku mund të përmëndim fiset Gjokaj dhe Palushaj të Trieshit, Lulgjuraj të Grudës, Junçajt me Çunmulajt dhe degët e tjera të këtij fisi të Hotit, Camajt edhe Gojçajt e Hotit të cilët çdo vit në ditë të caktuara gjatë kohës së verës organizojnë bashkime vëllazërore në parqe të mbrekullueshme të Michiganit.

Të gjitha fiset po thuajse kanë të njëjtat tradita në bashkimin e tyre. Një prej rregullave që zbatohet me mirëkuptim të plotë është se në këtë organizim janë të ftuara të marrin pjesë edhe bijat e fisit të martuara së bashku me fëmijet tyre. Sipas opinioneve të ndryshme, disa nga fiset e mëdha të malësorëve të ardhur nga Hoti, Gruda, Trieshi dhe Koja që jetojnë në Michigan janë fiset Camaj, Gojçaj, Gjokaj, Ivezaj, Junçaj, Lulgjuraj, Palushaj, etj.

Në takimet e organizimeve fisnore nga arkiva albtvusa vërtetohet se pjesmarrja në atë ditë bashkimi shkon nga dyqint deri në pesëqind pjesëmarrës të një fisi e më shumë.

Në këto organizime ajo që do të veçoja është se numuri i madh i pjesmarrësve në bashkimin fisnor nuk e vështirëson shërbimin dhe punën e grupit organizator, pasi aty zbatohen një qind për qind rregullat e familjes. Më 27 Maj 2019, Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës ishte i pranishëm në një organizimin që bëri fisi i Gojçajve të Hotit në Parkun Austriak në 26 mile në Hays Makomb TWP Miçhigan. Është shumë e vështirë që për pak kohë të sjellësh para lexuesve dhe vetë fisit Gojçaj informacione me interes statistikor dhe vlerash pa patur ndonjë mangësi.

Rrënjët e fisit Gojçaj të Hotit janë në fshatrat Traboini i Moçëm, në Nabom, në Helmicë, Bardhaj dhe në Skorraq.

Por shumë familje të këtij fisi janë shpërngulur e jetojnë prej shumë vitesh në Rranxë Qafet, në Sukruq në qytetin e Tuzit e të tjera vise të Malësisë. Fisi Gojçaj është një nga fiset me popullsi më të madhe në Hot. I pari i tyre është Pjetër Gega që fillimisht u vendosën në Traboinin të Hotit. Në shekuj si gjithë fiset e tjera edhe fisi i Gojçajve është shquar për mikpritje, besë, bujari, për trimëri, pushkë e penë, besimtarë tek Zoti e patriotë të përkushtuar. Emrat e spikatur të familjeve Gojçaj, bijëve të Hotit legjendar janë të shumtë, duke filluar nga luftëtarët e parë në mbrojtje të Atdheut nga okupatorët Turq dhe evazionet sllave ndaj trevave shqiptare, Micul Prençeta i pari i fisit Gojçaj, Mali i Marçunit, Zef Kolë Preçi, Gjon Ujkë Miculi Gojçaj, Dokë Pretashi, Kolë Marash Vata Gojçaj, Pjetër Zef Smajili, strategu dhe dora e djathtë e Dedë Gjon Lulit, së bashku me Nikë Gjelosh Lulin të cilët në datën 6 Prill 1911, kanë ngritur flamurin dy krenar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Bratilë. Pak Smaili Gojçaj, Nikollë Preçi Gojçaj, Palokë Traboini Gojçaj, Kolë Dokë Pretashi rënë dëshmor me 1911, në moshën 18 vjeçare, Zef Tomë Luli, Gjon Ujkë Miculi Gojçaj, Gjon Mirash Deda Gojçaj Kryetari i Hotit, Mark Ujkë Vuka Kryetar i Hotit,Tomë Nika i Hotit, Lekë Shabi Gojçaj,Vatë Gjon Vata, Mark Gjelosh me vëllezër, Gjon Vatë Maçi, Marash Dokë Pretashi, Zef Kol Martini Gojçaj,vëllezërit Pjetër dhe Nikë Gilë Miculi, Mark Bac Selmani Gojçaj, Gjokë Pjetër Pretashi, dëshmori Lucë Gjon Ujka, deputeti Rrok Pjetri Gojçaj, mësuesi dhe gazetari Mirash Luca Gojçaj, Dedë Pjetri Gojçaj, Mark Lushi Gojçaj, Lukë Dedë Lulashi Gojçaj,vëllezërit Lekë dhe Pashko Gjeto Gojçaj, Gjokë Pali Gojçaj, Nue dhe Nikë Luca mësues, Dedë Pjetër Gila, Kolë Mali Gojçaj, Gjon Vatë Maçi, Pjetër Gjekë Vata si dhe vëllai i tij që ka qenë ushtar i Barjam Curit dhe ka rënë dëshmor dhe vëllai tjetër Gjeloshi që ka qenë futbollist me ekipin e Vllaznisë së Shkodrës; Lucë Gjon Nika, Palokë Keri Gojçaj, Fran Zef Cubi bajraktar i fisit, mjeshtri i fyellit, Zef Paloka Gojçaj, Gjon Luca Gojçaj, Prekë Gjon Nikë Marku, i burgosur politik në Jugosllavi së bashku me djemtë e tij Kolën, Dedën, Dodën dhe Lucën. Pjetër Gjergji Gojçaj i burgosur në Goli Otok i dënuar politik, profesor i gjeografisë Gjergj Deda Gojçaj, bashkëshortët mësues Mark Toma Gojçaj dhe Tereza Gojçaj e lindur në Vulaj, Fran Vaseli Gojçaj mësues dijetar, Kolec Traboini shkrimtar, Fran Paku Gojçaj, Marash Kola Gojçaj mësues, Engjëll Llesh Gojçaj avokat, Anton Gojçaj shkrimtar, Shtjefën Palokë Gojçaj, Gjergj Luca Gojçaj ish kampion boksi në Shqipëri, Patër Pashko Gojçaj famullitar i Tuzit dhe i Kojës si dhe vikari gjeneral i Argjipeshkëvisë së Tivarit, Dedë Marku Gojçaj( Raku ), Kolë Noshi Gojçaj drejtor banke në Prishtinë, Nua Rrok Doka Gojçaj, sekretar i shkollës së Hotit,
Gjon Pretashi dhe Marash Kola mësues, Gjokë Nikolla Gojçaj agronom, Gjon Lucë Nika Gojçaj ish kryetar i këshillit të Kishës së Shën Palit, Mark Gjergj Luku Goçaj kryetar i këshillit të Kishës së Shën Palit, avokati Pjetër Marku Gojçaj, Anton Dedë Gojçaj aktor (ka lojtur rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut) etj.,përsonalitete të fisit Gojçaj.

Një sukses të veçantë kanë arritur edhe gjeneratat e reja të këtij fisi.

Pothuajse të gjithë fëmijët e tyre vazhdojnë shkollën, kryejnë universitet,vazhdojnë mastër dhe doktoratë në fusha të ndryshme, në Malësi dhe këtu në Amerikë. Në bashkimin fisnor familjet e para filluan të vinin qysh nga ora 10 e mëngjesit. Dalë ngadalë deri në orën 2:00 mbas mesdite parku u mbush plot e përplot nga vllazëria Gojçaj, ku në këtë kohë u krye edhe ceremonia e çeljes të këtij takimi vëllazëror.

Mirëseardhjen të pranishmëve ua bëri kryetari i grupit organizator z.Toni Gojçaj, aktivist në komunitet dhe agjent i pasurive te patundshme, ku ndër të tjera tha:"Në emrin tim dhe të grupit organizator vlerësoj rëndësinë e këtij bashkimi të madh të familjes tonë të madhe Gojçaj. Falenderoj dhe vlerësoj inisiatorët dhe grupin organizator për punën dhe kontributin pothuajse njëvjeçar, që bëri të mundur bashkimin tonë sot. Po një falenderim të veçantë dhe vëllazëror e kam edhe për ju që keni besuar tek grupi organizator dhe keni ardhur me familjet tuaja ne takimin fisnor. Ju ftoj të jeni të gjithë aktiv brenda familjes tonë Gojçaj.Të bashkuar do ta rrisin në një nivel më të lartë organizimin e drejtimin dhe veçanërisht pjesëmarrjen për vitin që vjen".

Në vazhdim, fjalën e rastit ia dha Patër Pashko Gojçajt, të cilin e kishin ftuar posaçërisht nga Malësia, për të marrë pjesë dhe bekuar këtë bashkim fisnor.

Fjalët e para të Patër Pashko Gojçajt ishin :

"Vllazën e motra kjoftë lëvdue Jezu Krishti! Kam kënaqësi, por edhe emocione që gjindem në mesin tuej. Mos ma rritni nderën që kam ardhë, unë duhet t̀ju falenderoj për ftesën që ma keni bâ. Isha i gatshëm, i nderuem dhe i priviligjuem të jem mes jush sepse qysh prej ditës së parë që kam fillue për meshtar më kini përkrahë dhe ndihmue vazhdimisht. Ardhja në familjen time ishte detyrim. Edhe unë e kam provua emigracionin tue u largue nga vendlindja, në vjetin 1969, dhe u ktheva përsëri mbas 12 vjetësh, në vjetin 1981. Qysh prej asaj dite dhe deri me sot jetoj në vazhdimësi në Malësi dhe kurrë në jetën time meshtarake nuk jam pendue që shërbej në popullin tim. Jo vetëm unë, por edhe Patër Frani dhe fretnit e tjerë që kanë kenë para nesh, jemi mundue të japim kontributin tonë. Ndoshta âsht dashtë të punojmë mâ shum, por ju siguroj se qëllimi gjithmonë ka kenë i mirë. Vlerësoj shum, jo vetëm juve por gjithë malësorët mërgimtarë që jetojnë nëpër botë për marrdhânjet dhe ndihmesën që keni dhânë për Malësinë. Prandaj ju lutem mos i ndërprisni marrëdhânjet me vëndlindjen, veçanërisht kujdes të bâhet me brezat e rij. Qëndroni besnikë kombit, mos harroni se gjithmonë duhet të jeni shqiptarë të vërtetë. Mos nguroni dhe jepni kudo dhe kurdoherë kontributin tuej vetem për mirë e kurrë për të keq. Organizimi i takimit fisnor Gojçaj âsht i suksesshëm. Prania e juej e madhe këtu, e verteton mâ së miri këtë. Prandej ju falenderoj të gjithve që e keni përkrahë këtë inisiativë. Po ashtu falenderoj edhe grupin organizator për kohën dhe angazhimin e suksesshëm dhe profesional në realizimin e këtij takimi. Jam i bindun se vjetin që vjen do të jemi mâ shum". Sikurse z. Anton Gojçaj edhe Patër Pashku falenderuen albtvusa për praninë në këtë aktivitet dhe pasqyrimin e ngjarjeve në vendlindje dhe në komunitet. Pastaj, Frati e bekoi takimin fisnor, të pranishmit dhe këtë aktivitet të cilin e mbylli fjalimin me fjalët:

"Zoti ju bekoftë ju e familjet tueja, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, Zoti e bekoftë Amerikën".

Stafi i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës gjatë filmimit të aktivitetit mori nga të pranishmit shumë intervista, me fëmijë, të rinj, të moshuar, intelektualë, biznesmenë, pensionistë, e shumë njerëz të thjeshtë të cilët edhe pse sollën eksperienca të ndryshme gjatë bisedës të gjithë falenderonin inisiatorët dhe organizatorët e këtij bashkimi fisnor.

Nga të dhënat e grupit organizator dhe nga filmimet tona rezulton se në këtë eveniment kanë marrë pjesë mbi 120 familje Gojçaj që së bashku me pjestarët e familjes së tyre u bënë mbi 500 pjesëmarrës. Në këtë bashkim vëllazëror të bënte përshtypje pjesëmarrja e shumë gjeneratave, të cilat unë do t’i ndaja në tre kategori. Së pari gjenerata që është lindur dhe rritur në Malësi. Së dyti gjenerata që është lindur në Malësi, por që kanë ardhur këtu fëmijë ose në rininë e tyre dhe së treti gjenerata që ka lindur e po rritet këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është edhe një nga vlerat më të rëndësishme të këtij aktiviteti që forcon shpresën se jëtëgjatësia e fisit Gojçaj edhe pse në mërgim do të jetojë sa vetë jeta. Në këtë bashkim, ku atmosfera ishte tërësisht familjare, kishin ardhur shumë familje edhe nga New Yorku, Kalifornia, etj. Aty shikoje pjesëmarrjen e tërë shtresave të saj, të moshuar, të sëmurë në karrocë, të rinj e të reja që këndojnë e vallëzojnë pa pushim, prindërit që bisedonin me njëri- tjetrin, deri tek fëmijët e porsalindur që i jepnin bukurinë dhe kënaqësinë kësaj familje të madhe Gojçaj.

Aty do të shikoje dashuri vëllazërore, rrokje duarsh, përqafime, të qeshura e të qara nga malli. Aty këndonin së bashku, fotografohen së bashku, përjetime të cilat është vështitrë t’i harrosh. Organizatorët kishin siguruar lodra të ndryshme për fëmijët, të cilët u kënaqën duke luajtur gjithe ditën. Nga të rinjtë u zhvilluan lojëra të ndryshme si futboll, volejboll, etj. Çdo pjesmarrësi organizatorët i dhuruan nga një bluzë me shqiponjën tonë dykrenare ku shkruhej Gojçaj. Të gjithë të pranishmit gjatë gjithë kohës u argëtuan, vallëzuan e kënduan nën melodinë e mjeshtërit të talentuar të muzikës në DJ, Elvis Tërshana. Grupi organizator i kryesuar nga agjenti i pasurive te patundshme, z, Toni Gojçaj, kishte marrë masa të shkëlqyera organizative. Ushqimet e traditës shqiptare, të freskëta si dhe pijet alkoolike e freskuese ishin falas dhe pa limit nga fillimi i aktivitetit deri në orën 19.00, kur u mbyll ky eveniment.

Bashkimin vëllazëror të fisit Gojçaj atë ditë edhe Zoti e ndihmoi ku i solli një natyrë të buzëqeshur, me plot diell, që me freskinë e pishave të larta të këtij parku dhe me gjelbërimin stinor që mbizotëronte ju krijoi të pranishëmëve një kënaqësi të pa harruar. Të gjithë kur u ndanë në fjalën e fundit përshëndetëse thoshin: Mirë u pafshim vitin që vjen! Në emër të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës falenderoj fisin Gojçaj që na dha mundësinë dhe priviligjin që në kuadër të emisionit “Malësia Pëllëmb e Thesar ” të memorizojë në fokusin e tij këtë aktivitet me shumë vlera të gjithanshme.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat