Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare Masar Krasniqi

Amerika

Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare Masar Krasniqi

Nga: Hajro Hajra, Arizona Më: 10 gusht 2019 Në ora: 12:01
Masar Krasniqi me Shën Terezen

Më 7 gusht 2019 në qytetin Gold Coast (Queensland, Australi) ka ndërruar  jetë në moshën 90-vjeçare veprimtari i shquar i çështjes kombëtare,

Masar Krasniqi. I lindur në tetor të vitit 1931 në Prishtinë, për shkak  se ishte i përndjekur politikisht, ai është detyruar ta braktisë  vendlindjen fare i ri, në moshën 21-vjeçare. Që nga viti 1950, kur është  shtrënguar ta lërë atdheun e tij të shtrenjtë, Kosovën, deri në vitin  2007 ai ka jetuar në Zelandë të Re, ndërkaq 12 vjetët e fundit të jetës së tij në Australi, ku edhe ka vdekur.

Ndonëse larg Atdheut, ai kurrë nuk ka reshtur së vepruari për çështjen  kombëtare. Atdhe i tij nuk ka qenë vetëm Kosova, ku ai ka lindur. Atdhe  ka qenë Shqipëria, Atdhe kanë qenë të gjitha trojet shqiptare për lirinë  e të cilave ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij.

 

Angazhimi i tij për çështjen kombëtare është intensifikuar, sidomos në  kohën kur Kosovës iu morën edhe ato pak të drejta që kishte. Ishte koha  kur shqiptarët e Kosovës po largoheshin masivisht nga puna dhe po privoheshin nga çdo e drejtë dhe liri qytetare e kombëtare. Ishte fundi  i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90. Lëvizjet për këto të drejta e  liri të shqiptarëve në Kosovë kishin marrë hov dhe Masar Krasniqi ishte  vënë tërësisht në shërbim të çëshjtes kombëtare.

Themelimi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në janar 1989, nga  ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi, mik e bashkëpunëtor i afërt i  Krasniqit dhe zgjedhja e këtij të fundit në kryesinë e saj, si  përfaqësues i interesave të lobit amerikan për Shqipërinë, për Kosovën,  për Maqedoninë dhe për trojet e tjera shqiptare, shënon kulmin e

angazhimit të Masar Krasniqit për kauzën shqiptare.

 

Që nga vizita e dytë e Ibrahim Rugovës në SHBA, në prill 1990, Masar  Krasniqi e ka shoqëruar Rugovën pothuaj në çdo takim me personalitete të  shquara të Amerikës e të shteteve të ndryshme të Europës dhe pjesë e  shumë prej këtyre takimeve, sidomos në SHBA, ka qenë edhe  ish-kongresisti me prejardhje shqiptare, Joseph J. DioGuardi.

 

Masar Krasniqi ka takuar shumë personalitete të huaja e shqiptare dhe të  gjitha këto takime kanë qenë në shërbim të çëshjes kombëtare. Nënën Terezë e ka takuar në Zelandë të Re në vitin 1970 dhe në Shqipëri në prill 1993 (gjatë vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II). Krasniqi ka takuar dhe Ibrahim Kelmendin, atdhetarin e veprimtarin preshevar si dhe atdhetarin e veprimtarin Luan Gashi, edhe ky mërgimtar si vetë Krasniqi. Pjetër Arbnorin e ka takuar disa herë, vetë ose bashkë me

DioGuardin, në kohën kur ai ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë  (1992-1997). Kongresistin republikan, Benjamin Gilman, mikun e madh të  shqiptarëve e të Kosovës, i cili më 1992, bashkë me Tom Lantosh kishte bashkësponsorizuar Rezolutën e paraqitur në Kongres nga LQSHA-ja, e cila  bënte thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka takuar 4-5 herë.

Në fund të këtij shkrim-përkujtimi për Masar Krasniqin, një kritikë, e  sugjerim njëherësh, për pushtetarët e Kosovës: ky bir Kosove, i injoruar  në të gjallë, të dekorohet pas vdekjes, së paku me një mirënjohje.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat