Shqiptarët dhe Dita e Punës në kohën e Trump-it - Bota Sot
Shqiptarët dhe Dita e Punës në kohën e Trump-it

Amerika

Shqiptarët dhe Dita e Punës në kohën e Trump-it

Nga: Rafael Floqi Më: 29 gusht 2019 Në ora: 17:38
Foto

Shqiptarët- dembelë në Shqipëri, punëtorë në Amerikë

Shpesh kur flitet për punën dhe shqiptarët, duke i parë ata nëpër kafene në Shqipëri, apo në kafiqe në Kosovë, të krijohet përshtypja se shqiptarët janë dembelë. Nuk e duan punën.  Por kur pyet këtu në Detroit ndonjë punëdhënës të huaj, ndonjë pronar restoranti italian me emër në Michigan, apo në ndonjë fabrikë ata të thonë me plot gojën se shqiptarët janë punëtorë shumë të mirë. Ata gjithnjë dalin vullnetarë për punë jashtë orarit. Por atëherë si shpjegohet kjo kontradiktë?

Udhëtari francez Amie Boue para 200 vjetësh, më 1840, shkruante se “Shqiptarët janë të gjallë, të qeshur, të shkathët, i kapin shpejt gjërat; janë krenarë dhe trima; por punojnë sa u duket e domosdoshme”. Të jetë kjo, “ Punojnë sa u duket e domosdoshme”.

Por sa e domosdoshme është të punosh në Amerikë? “Po duhen paguar billat( faturat) ”, të thotë dikush. Pra, ekzistenca, përparimi dhe mbijetesa varet nga puna. Ndaj dhe shqiptarët përfshirë dhe mua bëjnë dy ose më shumë punë shpesh dhe overtime, jashtë orarit. Ndaj në Amerikë shqiptarët e nderojnë punën dhe nderohen nga puna. Është interesant, kur takohen disa shqiptarë që se njohin nga afër njëri-tjetrin e pyesin: Si po shkon me punë?”  Por e bukura është se te gjithë që pyesin, sikur kënaqen që t’i punon, apo, sikur kënaqen, që nuk punojnë vetëm ata.

Puna është punë

Por le të kthehemi tek Dita e Punës në SHBA dhe domethënia për Shqiptarët e Amerikës. E hëna e parë e shtatorit që u bë festa zyrtare e punës në Shtetet e Bashkuara në vitin 1894 dhe në dekadat që pasuan qendrat e rëndësishme industriale organizonin parada të mëdha që nderonin punëtorët e sindikatave.

Më 2 Shtator 2019, Departamenti Amerikan i Punës feston dhe nderon punëtorin më të madh në botë - punëtorin amerikan. Dita e Punës 2019 është 125 vjetori i Ditës së Punës që po festohet si festë kombëtare. Njohja e parë qeveritare erdhi përmes rregullave komunale të miratuara në 1885 dhe 1886. Pas pushimeve te verës, në prag te fillimit te shkollës për gjithë moshat, nga fëmijët e kopshti e deri te universitarët, familjet sot në SHBA e kalojnë ditën bashkë të gjithë si familje, duke shënuar kështu pragun e një viti tjetër shkolle dhe punë! Një praktikë krejt ndryshe nga sa jemi mësuar me paradat dhe pompozitetet e 1 Majit në Shqipërinë komuniste, apo në 1 Maj-et e demokracisë që janë një parodi e vërtetë.

Festimi i Ditës së Punës në SHBA ka të bëjë me perceptimin dhe nderimin mbi punën. Për vite me radhë sa kam jetuar në Amerikë kam parë që njerëzit, së pari kanë “respekt për punën”, për çfarëdo pune dhe për ato që quhen - punë të rënda! Një respekt krejt i natyrshëm dhe jo i shtirur, siç jemi mësuar në Shqipëri nga koha e punës për kooperativa apo ndërmarrje shtetërore te komunizmit, jo vetëm nga fakti që puna paguhet më mirë, pasi puna është punë, por edhe pse ajo nderohet.

Festimi i parë i Ditës së Punës u bë të martën, 5 shtator 1882, në New York City, në përputhje me planet e Unionit Qendror të Punës. Sindikata Qendrore e Punës mbajti festën e dytë të Ditës së Punës vetëm një vit më vonë, më 5 shtator 1883. Deri në 1894, 23 shtete të tjera kishin adoptuar festën, dhe më 28 qershor 1894, Presidenti Grover Cleveland nënshkroi një ligj që e bëri të hënën e parë të shtatorit të çdo viti një festë kombëtare.

Rënia e sindikatave dhe iluzionet e sotme socialiste

Por me rritjen e teknologjisë dhe globalizimin e ekonomisë botërore, lëvizja e sindikatave ka rënë thellë. Shumë kërkesa të sindikatave, si java e punës me pesë ditë dhe kujdesi shëndetësor dhe pushimet e paguara nga punëdhënësi, janë garantuar në shumicën e vendeve të punës. 

Shumë korporata amerikane vazhdojnë të jenë kundër organizimit të sindikatave. Vetëm një ndër tetë punonjës në Amerikë merr pjesë në një sindikatë, një shifër sa gjysma e asaj të para 40 vjetëve më parë. Me gjithë përhapjen e ideve të majta socialiste, sidomos në brezin e të ashtuquajturve Millennials (Gjenerata Y te lindur nga 1990-2000) dhe me mbështetjen e kongresistëve të majta, të quajtura “The Scuad”,- skuadra, apo dhe të kandidatëve të majtës të Partisë Demokrate për president, rruga kapitaliste e punës në SHBA ka shënuar arritje ekonomike.

Ndonëse sindikatat e kanë humbur emrin që kanë pasur në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave të fundit ato ende kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur. Sindikatat kanë ndihmuar popullin amerikan. Madje edhe ata që nuk kanë qenë pjesë e sindikatave kanë arritur shumë, për sa u përket pagave, apo përfitimeve”. Por pjesëmarrja në sindikatë ka rënë me rreth 50 për qind, gjatë 40 viteve të fundit. Shumë ekonomistë mendojnë se ulja e pjesëmarrjes në sindikata është një faktor i rëndësishëm në rënien e pagave, duke marrë parasysh edhe rritjen e inflacionit. Kjo situatë është krijuar për shkak të papunësisë së lartë gjatë viteve të fundit para Trump-it, si dhe për shkak të faktit se gjatë 30 viteve të fundit, si rezultat i globalizmit, punonjësit amerikanë po konkurrojnë me punonjës të vendeve të tjera që paguhen me rroga shumë më të ulëta. Kjo ka çuar në erozionin e sindikalizmit”. Rendimenti i punonjësve amerikanë është rritur me 80 për qind gjatë tre dekadave të fundit. Por paga e tyre është rritur vetëm me 11 për qind. Më pak para po shkon për rrogat dhe përfitimet. Ky nuk është shfrytëzim në vetvete. Kjo ka ardhur si rezultat i shtimit të kostos së kujdesit shëndetësor dhe shpenzimet duhet të dalin nga diku. Obamacare ishte një përpjekje vullnetmirë, por dështoi ekonomikisht.

Lutje për recension për të larguar Presidentin Trump

Por duket se ekonomia e presidentit Trump me nivelet  më të ulëta të papunësisë i ka trembur demokratët sa ata po luten për një recension, vetëm që të heqin “ qafe “Trump-in” Ata dhe media e majtë po përpiqet ta argumentojë me gjoja frikën e recensionit dhe duke e quajtur se arritjet e Trump në ekonomi vijnë si pasojë e punës që nisi Obama ndërsa komediani “Bill Mahr” i HBO, e pohoi shkoqur se ishte, duke u lutur për recension, vetëm që ta “ heqim qafe Trump”.

Steven Rattner, ish këshilltar i Thesarit në administratën Obama në një op/ed në New York Times pohonte “frikën e recesionit mund të jetë thellë i ngulitur në agjendën kombëtare, porse Presidenti Trump vazhdon të mburret me faktin se sa e fortë e madhe është ekonomia amerikane - "më e mira në botë, deri më tani".

Mbështetësit e Demokrateve për të mos i dhënë kredi Trump për nivelin e Ekonomisë, kërkojnë të krahasojnë të pakrahasueshmen, duke thënë “se performanca e ekonomisë nuk është shumë e ndryshme, nga sa ishte nën presidencën e Pres. Obama dhe shumë dhe më pak nga sa premtoi zoti Trump.”  Në lidhje me nivelin e papunësisë që ka qenë më i miri në 50 vjet, kritikët e Trump-it përpiqen te arsyetojnë se “ Po, është e vërtetë që  shumë amerikanë të papunë janë rikthyer në listat e pagesave. Po, shkalla e papunësisë vazhdon të bjerë, siç ndodhi nën Z. Obama. Por jo, ritmi i punësimit nuk ka qenë më i shpejtë se sa ishte gjatë një periudhe të ngjashme nën administratën Obama”.

Shembulli i Michiganit

Por le të shohim çfarë tregon shembulli i Michiganit. Në vitin 2009, në kohën e recensionit, shkalla e papunësisë në Michigan arriti në 14.6 për qind. Punëdhënësit po mbyllnin vendet e punës dhe miliona punonjës u lanë të kujdesen për veten e tyre.   Një dekadë më vonë, shkalla e papunësisë së shtetit ka rënë në afërsisht 4 përqind, dhe shumë prej atyre punëtorëve janë bekuar me mundësi të mira për karrierë. Në fakt, Michigani, aktualisht është duke përjetuar rritjen më domethënëse në krijimin e vendeve të punës, qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Nën Presidentin Trump, papunësia në Michigan ka arritur nivelin e saj më të ulët të shekullit. Për shkak të Ligjit për Shkurtimet e Taksave - nënshkruar nga Presidenti Trump në vitin 2017 - dhjetëra punëdhënës të Michigan tani kanë më shumë para për të shpenzuar për zgjerimin e biznesit dhe krijimin e vendeve të punës. Për shkak të niveleve më të ulëta të taksave dhe shkurtimeve  kompanitë po i shpërblejnë punëtorët me paga më të larta, dhe kanë rritur kontributet 401 (k) dhe kanë pasur madje shpërblime bujare. Kjo nuk është parullë politike. Mjafton të shohësh, tabelat me shënimet “Help needed”, “We are hiring  now”, kërkojmë të punësojmë, në çdo cep rruge.

Iluzionet socialiste dhe puna kapitaliste

Puna do t’i jepte mundësi “për të pasur siguri financiare për familjen dhe të drejtën për t’u anëtarësuar në sindikatë”  thoshte presidenti Obama qe theksonte, nga ana tjetër se ai nuk kishte shkopin magjik për të kthyer punët e manifakturës. Por si mundi Trump-i t’i kthejë ato, thjesht me “Amerika e Para” ?

Më shqetëson shumë opinioni në të rinjtë amerikanë dhe në kandidatët demokratë se të gjitha do të jenë falas dhe arsimi dhe shëndetësia dhe kompensimet për zezakët, të gjitha dhe kujdesi shëndetësor për emigrantet e paligjshëm. Kjo është shumë e bukur për të qenë e vërtete. Atyre do t’u bëja disa pyetje të thjeshta. Në cilat vende në SHBA ka radhë për shërbime?

Dhe përgjigja është vetëm në zyrat shtetërore; në Postë, në Sekretarinë e shtetit, në Zyrat e Social Security ( Sigurimeve Sociale). Pse?  Dhe për t’i bindur, do t’u tregoja atyre shembullin e Shqipërisë komuniste. Kur shqiptarët nuk punonin më, madje as aq sa ishte e nevojshme, promovimi ishte vetëm një fletë lavdërimi, si shpërblim për punën e mirë!?…Njerëzit u përshtaten me perceptimin: “Shteti bën sikur paguan dhe ne bëjmë sikur punojmë!”…Për pasojë u krijua një sistem i përmbysur vlerash si rezultat i çoroditjes ekonomike me emrin ekonomi socialiste…Çoroditja ekonomike solli edhe çoroditjen sociale për pasojë lulëzuan veset; dembelizmi dhe hajdutëria masive!…Këto janë rezultat i drejtpërdrejtë i eksperimentit shqiptar me emrin ekonomi socialiste! Kjo shihet dhe në Kubë kjo shihet edhe sot në Venezuelë, vendi më i pasur ne naftë në Amerikën Jugore, që ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.  Ne shqiptarët e dimë mire këtë, lypset ta dinë dhe amerikanët. 

Ballafaqimi me botën Perëndimore mbas vitit 1990 pastaj e tregoi më qartë shëmtinë e moralit socialist sepse shumë shqiptarë të mësuar në atë sistem hileqar menjëherë sa dolën ne perëndim nisen të kërkojnë mënyrat me te lehta të të fituarit! Disa u dhanë pas fitimeve të menjëhershme, pra jo të ligjshme, drogës prostitucionit, disa tjerë mbas të jetuarit qyl domethënë me format me parazitare të mundshme, ndihmat sociale te shteteve, ku kërkuan azil dhe menjëherë nisën të luajnë me sistemin si në socializëm !

Shtete te mira për shumë shqiptare mbeten ato shtete “Qe kanë sistem social! Që të paguajnë shtëpi e ushqime pa punuar!”…Si Suedia apo Danimarka, apo Irlanda...( Çuditërisht ato që aspirojnë të majtët amerikanë të tipit të kandidatit të majtë për president Bernnie  Sanders apo kongresistja Alexandra Octavio Cortez. Por janë ato, vërtet vende socialiste, natyrisht që jo)

Kësaj vere po kthehesha nga Shqipëria ne aeroportin e Frankfurtit, takova një shqiptar nga Tropoja që nuk dinte as dy fjalë anglisht, që po kthehej në Irlandë, u përpoqa ta ndihmoj. Ai po më theksonte rëndësinë e sistemit social, të Irlandës që jepte atij shtëpi, dhe mundësi të punonte vetëm 6 orë në javë në një piceri. A kishte punuar në piceri në Itali më parë. Mendimi i tij me ngriti nervat. E përcolla deri tek gate, i Irlandës dhe e lashë me përbuzje.

 Nuk kanë qenë gjithmonë kështu shqiptarët, në fakt! Njerëzit kanë punuar përpara kohës së marrëzisë kolektive me emrin socializëm…Kanë punuar sepse kishin token e tyre, gjënë e tyre dhe kujdeseshin për mallin e vet!… apo ndoshta kanë punuar “sa u duket e domosdoshme”, por kanë punuar ama. Dhe për këtë arsye Shqipërinë e kanë dashur më shumë.

Por sa është e domosdoshmja është vështirë te caktohet, kjo varet nga kufiri që i vë vetes.  Shqiptarët në Shqipëri ambicien e kane te madhe, por dëshirën për punë të vogël. Tregojini paranë shqiptarit dhe ata do të vënë në rrezik dhe jetën për të. Por në SHBA kufiri është caktuar duhet guxim dhe punë. Dhe ndodh paradoksi, që intelektualë me shkolla të mbaruara në Shqipëri punojnë në një kompani pastrimi, të një biznesmeni shqiptar me shkolle të mesme. Në SHBA, puna qiellin ka kufi, ndaj e nderojnë punën.

Ndaj për ne shqiptarët, duhet nxitje, rregulla, dhe jo punë shteti, që varet nga politika. Jo më kot Konica, thërriste  “Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri , f. 214).

Së pari, ekonomia do të mbetet vetëm e fortë për sa kohë që politikat reale mbështesin rritjen reale. Kush e mohon këtë nuk e kupton vlerën e punës .

Konsumi- zhgënjimi i recensionistëve 

"Një re e errët ka zënë vendin e saj në horizont, një  telash i mundshëm i madh për ekonominë Trump." "Kërcënimi i recesionit është real." Thonë këta histerikë që urrejnë Trump - të gjithë ata, natyrisht, duke jetuar jetë të rehatshme - në të vërtetë dëshirojnë një recesion, sepse ata mendojnë se kjo është mënyra më e mirë për të hequr qafe Trump-in.

Gjëja më e keqe është se ata mendojnë se idiotësia e tyre panik mund të ketë efekte në botën reale. Në fund të fundit, ekonomia nuk është diçka abstrakte. Është një gjë njerëzore, rezultat kolektiv i vendimeve të panumërta njerëzore. A duhet ta blej atë mobilje të re ? Apo jo. A duhet të punësoj atë punëtor shtesë? A duhet ta hap atë fabrikë të re? Të gjitha këto vendime njerëzore bazohen në besimin për të ardhmen. Pra, në të vërtetë, idiotët e Wall Street-it dhe main stream mediave, mendojnë, fjalë për fjalë, se ata mund të shkaktojnë një recesion, vetëm duke vazhduar këtë propagande .

Gjëja më e zgjuar që kam dëgjuar javën e kaluar për frikën e recesionit erdhi nga Brian Moynihan, CEO i Bank of America - dikush që e di mirë se për çfarë po flet. Ai fajësoi faktorët ndërkombëtarë për trazirat në tregjet financiare dhe theksoi disa fakte themelore në lidhje me ekonominë reale, dhe shtoi se "Punëtori mesatar po punon, po paguhet më shumë". " Në ekonominë reale, agjenda e administratës Trump mbi sipërmarrjen po funksionon. Taksat më të ulëta dhe më pak rregullore u dhanë bizneseve besimin për të investuar. Kjo do të thotë më shumë risi dhe prodhimtari më e lartë e punëtorëve. Kjo do të thotë se krijohen më shumë vende pune, dhe punëtorët paguhen më shumë sepse prodhojnë më shumë. Ky është vlerësimi më i madh që mund t’i bësh punës. Kjo do të përkthehet në një ecuri të mirë krediti nga ana e konsumatorit.

Rreziku i vërtetë për ekonominë e SHBA është nëse blerjet e konsumit ngadalësohen. "Pika më e rëndësishme që bëri Moynihan ishte kur ai tha këtë: "Ne nuk kemi asgjë për t'u frikësuar për një recesion tani, përveç frikës nga recesioni”. Shqiptaro-amerikanët duhet ta mbajnë parasysh edhe këtë. Punë të mbarë !   

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...