Me rastin e inagurimit të bustit të Kryeheroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- SKËNDERBEU në Triesh të Malësisë së Madhe

Amerika

Me rastin e inagurimit të bustit të Kryeheroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- SKËNDERBEU në Triesh të Malësisë së Madhe

Nga: Gjon K. Gjokaj Më: 20 tetor 2019 Në ora: 14:56
Foto ilustrim

FJALË E PËRFAQËSUESIT TË KOMUNITETIT SHQIPTAR TË DIASPORËS TRISHEIANE NË SHBA, Z. GJON KOLË GJOKAJ, ME RASTIN E ZBULIMIT TË BUSTIT TË GJERGJ KASTRIOTIT - SKËNDEBEUT NË TRIESH TË MALËSISË SË MADHE

I nderuari kryetar i Komunes së Tuzit, z. Nikë Gjeloshaj, me bashkëpunëtorët,
I nderuari drejtor, nxënës dhe mësimdhënës të shkollës së Trieshit,
Të nderuar bashkatdhetarë,
Mysafirë të nderuar,
Të nderuar vëllezër e motra malësorë,
Të dashur vëllezër trieshianë,
Zonja dhe zotërinj,

Mirë se vini në trevën e folesë së shqipeve, në Triesh, në territorin e parë të çliruar shqiptar nga okupatori osman në shek. XX, të ashtuquajtur Lemaja e Trieshit, dhe aty ku u hodhën themelet e para të Autonomisë Shqiptare në Greçe të Trieshit, i shkruar në Librin e Kuq -Memorandumit të Greçës në vitin 1911.
Mire se vini në Bajrakun e Trieshit, që ishte dhe mbeti ndër shekuj i pastër dhe i pashkelur nga zaptuesit turko-sllavë, falë trimave dhe trimëreshave luftëtarë që u kalitën nëpër besë të "Kuvendit të Dheut" dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit, që nga Arbëria e lashtë e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.
Ndihem i nderuar dhe shumë i emocionuar, mbase janë emocione shumë të ligjshme dhe tepër të natyrshme, që, si i deleguar i diasporës trieshiane në SHBA gjendem sot me ju këtu, para këtij tempulli të diturisë, ku qindra nxënës dhe dhjetëra gjenerata kaluan ditët më të bukura të rinisë së tyre.

Të nderuar bashkatdhetarë shqiptarë,


Jemi tubuar sot këtu të vendosim simbolin më të madh, jo vetëm të kombit shqiptar, por edhe mbrojtësin e qytetërimit perëndimor të shekullit të XV.
Sot ndihemi më krenar se kurrë, ku bashkërisht të gjithë po festojmë këtë ditë të bekuar, vendosjen e bustit të Kryeheroit të kombi tonë, Gjergj Kastrioti- SKËNDERBEU, të këtij Heroi, që i bëri ballë furisë Osmane për 25 vjet rresht duke e mposhtur atë; të këtij Heroi, që nami i tij ruajti gjenin e shqiptarisë në periudhat më të errëta të robërisë së gjatë osmane; të këtij Heroi, që frymëzoi breza të tërë për të mbajtur gjallë tharmin e kombit, gjuhën shqipe, traditën, unitetin vëllazëror dhe identitetin tonë të pamposhtur shqiptar.
Kohërat kanë sprovuar, se kultura e një populli nuk lind pa lirinë e tij, ndërsa liria nuk vjen pa dijen dhe trimërinë e bijve të vet. Gjergj Kastrioti, si stërnip i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe Pirros së Epirit, i kishte kushtuar veten lirisë me vetëmohim të plotë.
Ai botërisht ishte i njohur me një mendjemprehtësi dhe inteligjence të rrallë, zotëronte shumë gjuhë të huaja pasi kishte shkëlqyer ne shkollën e Içogllanëve në Ederne. Si strukture trupore ishte burrë shtatlartë dhe shumë i fuqishëm, mejdanxhi i pathyeshëm dhe mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës dhe armëve te tjera. Për trimërinë dhe fitoret e tija në beteja të mëdha, Sulltani i kishte dhënë gradën gjeneral.
Edhe pas të gjitha te këtyre të arriturave, edhe pse pozita e tij kishte të siguruara privilegje dhe lukse të pakufi në gjirin e Perandorisë më të zotuar të kohës, ai ishte i palëkundur, qëllimi i tij nuk ishte të mbronte autoritetin e madh që gëzonte në kreun e ushtrisë osmane, sepse ëndrra e tij e vetme ishte, t’i kthehej Atdheut dhe bashkonte Princërit shqiptarë dhe ta themelonte shtetin e Pavarur te Arberit.
Për 25 vjet me radhë dhe 25 betejave të mëdha të Skënderbeut kundër sulltanëve anadollakë, Kruja, që ishte kryeqyteti i Arbërisë, do të quhej nga studiuesit e mëdhenj të kohës, Akropoli i Kristianizmit të Evropës, për shkak se Skënderbeu u bë diga, mbrojtja dhe rezistenca e krishterë ndaj ushtrisë osmane. Mbretin e Arbrit, Vatikani do ta njihte si Atlet i Krishtit, ndërsa Evropa do ta cilësonte hero kombëtar të shqiptarëve, dhe do të njihej botërisht si themeluesi i parë të Aleancës Euro-Atlantike.
Shek. XV i kohës së Skënderbeut, quhej, Shekulli i Humanizmit dhe Renesancës. Para se Perandoria Osmane ta pushtonte Arbërinë, shqiptaret kishin Universitetin e tyre në Durrës, krah universiteteve të para të Evropës, por ishte u zhduk nga barbarizmat turke. Me çlirimin e Shqipërisë nga ana e Skënderbeut, do të fillojë lulëzimi i kulturës shqiptare, përbërë nga humanistët e mëdhenj shqiptarë, të cilët u bënë pjesë e lëvizjes përparimtare të humanizmit europian, duke nxjerre emra të shquar, si Gjon Gazulli, Pal Engjëlli, Dhimitër Frangu, Martin Segoni, Marin Barleti, Marin Beçikemi, Leonik Tomeu etj. Të gjithë këta huministë shqiptarë, studimet dhe veprimtarinë e veta ia kishin kushtuar Skënderbeut dhe falë tyre sot kemi të ndriçuar historinë e shkruar të Skënderbeut, të rikapitlaizuar nga qindra studiues, qindra vepra, në qindra gjuhë të huaja.
Humanistët e Arbrit, duke e ruajtur krenarinë e ndërgjegjen për shqiptarinë, ishin ndër profesorët më të dalluar në Universitetin më prestigjioz të Europes, atë të Padovës. Këta ishin të njohur në Evropë si personalitete të artit, kulturës, diplomacisë dhe shkencës. I dalluar nga këta ishte njeriu i besuar dhe diplomati i Skënderbeut, Gjon Gazulli, i cili arriti të revolucionarizojë disiplinën shkencore të Astronomisë, duke hedhur poshtë teorinë e deriatëhershme të "Sistemit gjeocentrik", dhe duke futur në lëvizje "Teorinë heliocentrike", të cilën e çuan përpara pasardhësit e tij të mëdhenj Nikolla Koperniku, Galile Galileu etj.
Historia jonë e shkruar lindi, kur u ndezën fijet e kulturës së popullit shqiptar me kthimin e Skënderbeut në Krujë, në nëntor 1444, ku sipas dëshmisë okulare të Dhimitër Frangut, bashkëpunëtorit, humanistit dhe historianit të parë të Skënderbeut, u ngrit Flamuri i Arbrit në Kështjellën e Krujës, më 28 nëntor 1444.

Të nderuar të pranishëm,


Ky përkujtim i sotëm dhe kjo vepër e lartësimit të bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, udhëheqësit të Kuvendit të Lezhës dhe krijimit të Besëlidhjes Shqiptare, të vitit 1444, si ngjarje kulmore, zë vend nderi në panteonin e historisë së kombit tonë. Mesazhet që i la si trashëgim Skënderbeu për popullin e vet, janë ato mesazhe që rrezatojnë edhe sot e kësaj dite dhe të cilat nuk janë shuar asnjëherë, por janë rikthyer fuqishëm këtu në Trieshin e Malësisë.
Ky kujtim dhe ky bust të cilin po e lartësojmë në oborrin e shkollës sonë, përjetësojnë momente të rëndësishme në historinë tonë kombëtare, momentin kur ky Hero Kombëtar ka bashkuar kombin përballë rreziqeve të kohës. Skënderbeu ishte këtu, ishte gjithandej në Malësi, Kosovë, Shqipëri dhe në zemrën e gjithë shqiptarëve të të gjitha trojeve të gjeografisë sonë etnike. Ai është pjesë e dritës dhe ndriçimit në rrugën tonë. Kjo vepër e artit monumental e ngjall edhe një herë Kryeheroin Skënderbe, e fisnikëron dhe e lartëson veprën e tij të pavdekshme në shërbim të kombit.

Trieshianë të mi nderuar, nxënës dhe mësimdhënës të dashur,


Ideja e vendosjes së bustit të heroit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit - Skënderbeu, ashtu si para gjysmë shekulli pagëzimi i këtij tempulli me këtë emër, nuk është një koincidencë e kohës, por lindi si një pasurim i brendshëm i vlerave kulturo-historike të atdhedashësve trieshianë, të cilët me një mendjemprehtësi të rrallë, edhe përkundër reprezaljeve të kohës, këtë "testament" arritën me sukses ta trashëgojnë në gjeneratat e reja, falë njohjes së mirë së historisë shqiptare, historisë së Skënderbeut, veprave të humanistëve dhe rilindësve shqiptarë, të cilët me sakrificë e vetëmohim arritën me ruajtur dhe kultivuar gjuhën shqipe dhe për ta formuar shtetin e ri modern shqiptar.
Trieshi qysh herët ishte vatër e njohur e patriotizmit dhe çerdhe intelektualësh të njohur në arenën kombëtare. Në këtë trevë linden figura të shquara të Treshit dhe të kombit; linden vëllezërit Ivanaj, ideologët e Rilindjes sonë Kombëtare dhe reformatorë të guximshëm të arsimit kombëtar, Martiri i Kombit, Françeskani shqiptar, Andrea Gjekaj(Lul Vuksani Gjurashaj), historiani dhe filozofi i madh shqiptar, Dr. Athanas Gega, i cili në vitin 1936, në Universtetin Louvain të Belgjikës, mbrojti doktoraturën në historinë e Skënderbeut "L'Albanie et I'Invasion turque au XV ' siècle". (Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin XV). Këtu linden veprimtarët e mëdhenj të çështjes shqiptare, Tomë Gjokaj dhe Gjekë Gjonlekaj, që me inteligjencën dhe pasurinë e tyre arritën te internacionalizojnë dhe sensibilizojnë çështjen e Kosovës, tek institucionet më të larta amerikane, Kongresin Amerikan dhe Shtëpinë e Bardhë.
Në Triesh lindi Çeta e misionarëve të parë të arsimit në Malësinë e Madhe. Me këta pishtarë, do të fillojë tradita e arsimit dhe zhdukja e analfabetizmit, errësirës dhe e paditurisë në Malësi të Madhe, duke filluar nga patrioti dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Gjon Gjeka Lucaj, Tomë Smajli Gjeloshaj, Kolë Preloka Gegaj, Kolë Gjoni Gjokaj, Preloc Marku Lekoçaj, Nikollë Zefi Prenkoçaj, Tom Leka Lucaj etj., që ishin dhe do të mbeten nderi i Trieshit dhe Malësisë mbarë.
Krahas këtyre pishtarëve të parë, në këtë vend të bekuar lindën edhe plejada e artë e arsimit të trieshanëve, duke filluar me mësuesit e parë të diplomuar, që ushtruan këtë mision të shenjtë në mbarë trevat e Malesise, si; Lucë Doka Lucaj, Preloc Marku Margilaj, Gjergj Marashi Hasanaj, Vasel Marku Margilaj, Fran Nou Gjokaj, Gjon Marku Gjonaj, Prelë Marku Gegaj, Gjergj Gjoku Gjokaj, Pjetër Toni Gjuravçaj, Zef Doda Gegaj, Nua Nikolla Lekoçaj, etj.
Nëse kthehemi ne retrospektive, kujtojmë rrugëtimin e gjatë dhe patriotik të misionarëve të arsimit në Triesh, të cilët çdo herë kishin një vizion të veçantë kombëtar, ndoshta pak sa të heshtur për opinionin, por gjithherë filozofik dhe të hapur në kohën e duhur.
Në kohën kur institucionet arsimore në trevat shqiptare në Mal të Zi, emërtoheshin me emra revolucionarësh të periudhës komuniste jugosllave, Këshilli arsimor i shkollës fillore tetëvjeçare në Triesh, bënte kërkesë legjitime për emërtimin e shkollës së vet me emrin Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.
Pagëzimi i Shkollës Fillore së Trieshit, me emrin Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, në vitin 1968, nga ana e drejtorit Gjergj Hasanaj, me kolektivin e vet shkollor, ishte një guxim dhe kryevepër patriotike e arsimtarëve trieshianë, por ajo barte me vete edhe një fenomen tjetër largpamës atdhetaresk, Shkolla Fillore e Trieshit, në atë kohë ishte shkolla e parë e plotë fillore, vetëm në gjuhën shqipe në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi.
Si reflektim dua t'ju përkujtoj, se, në një kohë kur mohoheshin veprat e klasikeve shqiptare, në shenjë atdhedashurie shumë trieshianë në shtëpitë e tyre me krenari mbanin portretin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe mbajtja e kësaj figure të ndritur edhe sot rrezaton të shtëpitë dhe shpirtin e malësorëve trieshian.
Dy shekuj më parë, shkrimtari romantik francez, Viktor Hygo thotë: "Mësuesit e bëjnë Kombin". E unë besoj, që mësuesit e vjetër të Trieshit dhe pasardhësit e tyre, sollën historinë e Skënderbeut, emrin e Skënderbeut dhe sot sublimohet me vendosjen e Lapidarit të Skënderbeut në këtë vend para këtij tempulli të shkronjave të bekuara shqipe.

Të nderuar miq të dashur,


Qëllimi ynë për vendosjen e bustit të Skënderbeut para godinës shkollore në Triesh ishte të realizohej për nder të Jubileut të Madh të 550 - vjetorit të shkuarjes në amshim të Kryetrimit tonë Skënderbe, por vonesa erdhi për shkaqe teknike.
Idenë për ndërtimin e bustit të Skënderbeut, frymëzim, të cilin kisha të trashëguar nga trungu familjar, e shpreha për të parën herë në vitin 2011, në shtëpinë e drejtorit të atëhershëm, zotëri Zef Ton Gjuravçaj, të cilën ide ai e mirëpriti dhe e përkrahu pa rezervë. Një vit pas kjo ide u jetësua nëpërmes korrespodencës zyrtare. Këtë iniciativë, pastaj unë e kisha shtruar dy herë radhazi para dy komuniteteve të Detroit-it dhe New York-ut, unanimisht e pa asnjë kundërshtim u aprovua nga të gjithë trieshianët, të cilët ishin rritur, edukuar e frymëzuar me emrin e Skënderbeut.
Para tre viteve, me formimin e Fondit Humanitar TRIESHI - NY, i cili tashme ishte bërë zëri i Trieshit në Amerikë dhe Vendlindje, iniciativën për ngritjen e bustit të Gjergj Kastriotit, e kalova në Kryesine e kësaj shoqate, ku edhe u mirëprit duarhapur, dhe prej kësaj dite Kryesia e Fondacionit-“TRIESHI”, bashkarisht vazhduam të gjitha veprimet e nevojshme për realizimin e këtij projekti madhor.
Me t’u hapur aksioni, për ngritjen e bustit të Skënderbeut, trieshianët iu përgjigjën thirrjes së Fondit Humanitar-“TRIESHI”, për të përkrahur këtë iniciativë me përmasa kombëtare, ku po punohej të bëhej hapi i duhur për vendosjen në vend të një pjese të historisë sonë, e cila ishte ëndërr e kamotshme e trieshianëve.

Të dashur vëllezër trieshianë,


Malësorët trieshianë të Amerikës tani e gjysmë shekulli, janë shquar për dhënien e kontributeve kombëtare për sensibilizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të asaj kosovare në veçanti, deri te institucionet më të larta të shtetit amerikan, duke dhënë për lirinë e Kosovës kontribute të ndryshme, logjistike, financiare dhe ushtarë të lirisë, të cilët dolën edhe nga këto banka shkollore, si dhe duke iu përgjigjur aksioneve të shumta për dekada me radhë, në mbarë treva shqiptare dhe Malësi të Madhe, qoftë në aspektin humanitar, kulturor dhe fetar.
Diaspora e Trieshit në Amerikë tregoi një interesim dhe entuziazëm të jashtzakonshëm për dekada me radhë, për përmirësimin e kushteve të banorëve të Trieshit. Këtu nuk kam për qellim të preku historikun dhe kontributin e mëhershëm të trieshianëve të Amerikës për vendlindjen e vet, që është tepër i çmueshëm, por nuk mundem pa përmend, rikonstruktimin e Kishës së Trieshit, Kishën në Koritë, kontributet për ndërtimin e Shtëpisë së Rinisë, festimin e 250 vjetorit të themelimit të Famullisë së Trieshit etj.
Gjatë vitit 2016, lindi ideja për rikonstruktimin e rrugës së Trieshit, nevojë shumë e rëndësishme për banorët e kësaj treve. Trieshianët e komuniteteve të New York-ut e Detroit-it dhe vise të tjera ku gravitojnë malësorët, për ndërtimin e kësaj rruge bënë një vepër të madhe, nga djersët e tyre ata dhuruan shumën rreth $1.000.000(një milion),duke u radhitur si një nga fushatat më të fuqishme në historinë e shqiptareve të Amerikës. Dua të theksoj se Udhëheqësia e Fondit Humanitar -Trieshi në New York, në bashkpunim me vellëzërit tonë në Detroit, po shtyrtojnë mundësinë e shpejtë të fillimit organizimit të asfaltimit të rrugës së papërfunduar Delaj-Poprat. Kjo është dhe mbetet një detyrë e jona që duhet përfunduar në një afat shumë të shpejtë. Ky është vendim i prerë i Fondit Humanitar TRIESHI.

Të nderuar vëllezër e motra trieshian,


Me këtë rast, në emër të Fondit Humanitar -TRIESHI, dëshiroj të falënderoj të gjithë aktivistët dhe personalitetet, të cilët kanë merita të jashtëzakonshme, që me vullnetin e tyre në shumë aspekte kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti madhor.
Se pari dua të falënderojmë ish- drejtorin e Shkollës Fillore të Trieshit, z. Zef Gjuravçaj, me të cilin e nisëm këtë iniciativë. Në emër të Fondit “Trieshi” dhe në emrin tim personal, z. Zef Gjuravcaj i dëshirojmë pensionimin me dëshirën që të ketë shëndet dhe të gjitha të mirat në jetë.
Falënderojmë, skulptorin Fiqiri Kasa, për një bashkëpunim të ngushtë me Kryesinë e Fondit Humanira “Trieshi”, deri në arritjen përfundimtare të kësaj vepre madhore.
Me punimin artistik skulptori i talentuar, z.Kasa, ka skalitur në bronz figurën e kryetrimit tonë, një Skënderbej burrë shteti dinjitoz e fisnik, me përkrenare në krye dhe me vështrim të rreptë e krenar në të njëjtën kohë, me pamje dhe tipare shqiptare dhe shkallë të lartë inteligjence, kjo vepër juaja përjetësisht do të hijeshojë këto ane, duke e kthyer Trieshin në një muze nën Qiellin e hapur.
Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që me dorën e tyre bënë punë të ndryshme për zbukurimin e këtij ambientit, e në veçanti dy familjeve Lucaj, të bijve të Nikë Pjetër Prelës dhe Dode Prekë Gjoles, të cilët i dhuruan Shkollës pjesë të pronave të tyre, vetëm që busti i ambient shkollore të marrë një pamje më të bukur panoramike.
Falënderojmë drejtorin e shkollës, “Gjergj Kastioriti-Skënderbeu”, z. NIkollë Dukaj dhe anëtarët e komisionit, zotërinjtë, Nikë Gjeloshaj, Dedë Lekoçaj dhe Zef Gjokaj, për punën e tyre të shkëlqyeshme dhe bashkëpunimin që kemi ndërtuar mbi marrëdhënie të ndërsjella dhe respekti.
Në mënyrë të veçantë falënderojmë kryetarin e Komunës së Tuzit, z Nikë Gjeloshaj, për kontributet e tij të në përmirësimin e objektit shkollor, njëkohësisht kryetarit Gjeloshaj, i urojmë detyrën e re si Kryetar i Komunës dhe mbarë malësorëve të Malësisë së Madhe. Shfrytëzojmë momentin që Kryetarin ta falënderojmë për bashkëpunim të ndërsjellë gjatë fushatës parazgjedhore, dhe për një fillim të mbarë për nisjen e përmbushjes së premtimeve të dhëna në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve të Malësisë.
Falënderoj të gjithë donatorët trieshianë të Amerikës e më gjerë, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar duke derdhur djersën nga kursimet e tyre për ndërtimin e Bustit të Skënderbeut dhe për zbukurimin e këtij ambienti shkollor.
Falënderoj edhe të gjithë ata dashamirë të Trieshit, të cilët në mënyrë vullnetare kontribuuan në realizimin e kësaj vepre kolosale.
Një falënderim të posaçëm e përçoj për intelektualin, z. Nua Pali Dedivanaj nga Detroiti, i cili në mënyrë të përkushtueshme ka dhënë kontributin e tij shumëdimensional, bashkë me vëllezërit trieshianë të komunitetit të Detroit-it.
Tani në përfundim dëshiroj të falënderoj stafin punues e drejtues, përkatësisht të gjithë anëtarët e Këshillit të Fondit Humanitar – “TRIESHI”, për kontributin e dhënë përgjatë këtyre viteve të fundit. Falë përpjekjeve të tyre të jashtëzakonshme u finalizua ky projekt i madh dhe ky synim i kahershëm u shndërrua në realitet, duke mos kursyer paratë as kohën e tyre, vetëm që ky projekt dhe kjo ditë e madhërishme të marr pamje dhe efekte historike.
Falënderoj, aktivistët dhe humanistët, z. Marash K. Lucaj (kryetar), Dodë P. Curanaj, Tomë L.Gjonlekaj, Kolë Z. Cacaj, Shtjefën K. Nikprelaj, Fran V. Gjonaj, Vasel Gj. Nikprelaj, Nua N. Dedivanaj, Nikë Z. Gjuravçaj, Nikollë D. Gjurashaj, Pjetër N. Lucaj etj. Në përbërje të këtij këshilli përfaqësoja edhe unë, duke bërë përpjekje që të jap kontributin tim, do ta vlerësoja modest, kundrejt vlerave dhe rëndësisë që kishte realizimi i kësaj vepre të kësaj figure historike që sot e kemi mes nesh.
Bashkatdhetarë të nderuar,
Të ndërtosh një bust të tillë, nuk do të thotë të ringjallësh një epoke historike, por një gjakim që ngërthen me shumëçka që lidhet me figurën më të madhe historike të kombit tonë të të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu; është një obligim i këtij brezi që të vihen në vend vlerat themelore historike të një populli të lashtë ilio-arbëror rezistues dhe liridashës, i cili gjatë rrugës historike nuk kurseu asgjë për dheun e të parëve.
Në emër të bashkëvendësve trieshianë, me banim në SHBA, në emër të Kryesisë së Fondit Humanitar – “Trieshi”, të cilët si nismëtar i kësaj iniciative, më caktuan për t’u prezantuar me këto fjalë sot këtu para Jush, si dhe ne emrin tim personal, nga zemra ju uroj te gjithëve mirëseardhjen në këtë tubim madhështor të përurimit të këtij Busti të Kryetrimit të Shtetit të Arbrit, Gjergj Kastrioti- SKËNDERBEU.


E gëzofshi, Ju vëllezër të mi trieshianë, Bustin e Kryeheroit të Pavdekshëm, Gjergj Kastriotit - Skënderbeut!
Lavdi Heroizmit të Skënderbeut tonë të Madh!
Zoti e bekoftë Malësinë e Madhe dhe popullin e saj!
Zoti i bekoftë shqiptarët dhe kombin shqiptar!

Ju faleminderit!

Triesh, 15 tetor 2019
Gjon K. Gjokaj - NEW YORK (SHBA)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat