Përurohet parku “Nënë Tereza” dhe shtatorja e shenjtores në New Jersey - Bota Sot
Përurohet parku “Nënë Tereza” dhe shtatorja e shenjtores në New Jersey

Amerika

Përurohet parku “Nënë Tereza” dhe shtatorja e shenjtores në New Jersey

Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 20:20
Vlora Çitaku

Në qytetin Garfield të shtetit New Jersey u zhvillua ceremonia e inaugurimit të parkut “Nenë Tereza” si dhe u zbulua një shtatore e misionares katolike, aktivitete këto me rastin e 107 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ceremonia ishte një organizim i Aleancës Shqiptare të New Jerseyt me mbështetjen e Bashkisë së qytetit.

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, tha se statuja e Nënë Terezës është nderim për ne, ndërkohë që ne nderojmë Nënë Terezën nëse udhëhiqemi nga shembëlltyra e saj.

“Dhembshuria, solidariteti dhe përkujdesja që iu ofrua të goditurve nga tërmeti në Shqipëri, është monumenti me të cilin nderojmë Shenjtoren tonë”, shkroi Çitaku në Facebook.

Edhe Ambasadorja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, ishte e pranishme në përkurimin e parkut “Nënë Tereza” dhe shtatores së shenjtores sonë në Nju Xhersi.

“Komuniteti shqiptar në Garfield New Jersey e shndërruan parkun e qytetit në Parkun e Nënës Terezë. Ndonëse temperaturat shumë të ftohta, shumë shqiptarë e amerikanë i bashkoi sot Nëna Terezë”, shkroi Sahatqija në Facebook.

“Harmonia fetare, si vlerë e jona e fuqishme, edhe kësaj radhe shkëlqeu në dritën e saj më të bukur”, tha më tej ambasadorja e Kosovës në New York.

Të pranishëm në përurimin e parkut dhe shtatores së Nënë Terezës ishin edhe Kryebashkiaku i Garfieldit, Richard Rigoglioso, Zëvendësambasadori i Shqipërisë në SHBA, Armand Shandro, përfaqësues të klerit fetar dhe udhëheqës të shoqatave shqiptaro-amerikane në New Jersey.

Image
Image
Image

 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat