Misioni shqiptar katolik “Shën Nënë Tereza” në Kanada solidarizohet me të dëmtuarit e tërmetit në Shqipëri - Bota Sot
Misioni shqiptar katolik “Shën Nënë Tereza” në Kanada solidarizohet me të dëmtuarit e tërmetit në Shqipëri

Amerika

Misioni shqiptar katolik “Shën Nënë Tereza” në Kanada solidarizohet me të dëmtuarit e tërmetit në Shqipëri

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 09:24
Don Pren Kola

Edhe komuniteti shqiptar në Kanada, me dhembje të madhe e ka përjetuar humbjen e jetërave të njerëzve dhe pasojat e tërmetit që e goditi Shqipërinë ditë më parë. Pos lutjeve shpirtërore në meshën e organizuar nga Misioni Shqiptar Katolik “Shën Nënë Tereza” në Toronto, Kanada, komuniteti shqiptar atje ka shprehur solidarizimin e tij duke grumbulluar mjete materiale, të cilat përmes kanaleve zyrtare të Ipeshkvisë së Torontos do t’i dërgohen Ipeshkvisë së Durrësit, për të arritur deri te nevojtarët e shumtë, të cilët akoma po përballen me pasojat e rënda të tërmetit.

Drejtuesi i Misionit Katolik Shqiptar, don Pren Kola, i cili pas shërbimit 12 vjeçar në Evropë, ditë më parë ka arritur në Toronto, tha se ”jemi lutur bashkë me besimtarët, me zë dhe me brendësinë e shpirtrave tanë për të ndihmuar popullin tonë në Shqipëri. Dorëdhania nuk na varfëron dhe dhënia e dhuratave materiale për ata që kanë nevojë, i jep gëzim dhe hare jetës sonë dhe lutemi që kjo gjendje të kapërcehet dhe vendi ynë, trojet tona, ta gjejnë përsëri gëzimin dhe lumturinë”.

Don Pren Kola, misionin  e tij si meshtar e ka filluar në vitin 1992 në Milot dhe ka vijuar pastaj në vende të ndryshme në Kosovë. Ka shërbyer pesë vjet në Austri dhe Çeki, 8 vjetët e fundit në Zvicër, ndërsa që nga dhjetori i këtij viti është dërguar për të shërbyer në misionin Katolik Shqiptar “Shën Nënë Tereza”, në Toronto,Kanada.

Misioni ynë, thotë don Pren Kola ka për detyrë punë në ecje, punë në shtegtim, apo siç thuhet ndryshe predikim në fluturim dhe synimi ynë është që përmes meshës në gjuhën amëtare, të ruhet gjuha shqipe, sepse përmes ruajtjes së gjuhës e komunikimit ne ruajmë identitetin tonë.

Don Pren Kola njihet edhe si poet, publicist, përkthyes, humansit dhe veprimtar i dalluar i çështjes shqiptare. Ai deri më tani ka botuar me dhjetra tituj librash dhe botime tjera në fushën e publicistikës.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat