Me veprimtarin e njohur John Dauti në SHBA - Bota Sot
Me veprimtarin e njohur John Dauti në SHBA

Amerika

Me veprimtarin e njohur John Dauti në SHBA

Nga: Moza Boletini Më: 20 dhjetor 2019 Në ora: 16:58
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me aktivistin e patriotin Haxhi John Dauti na kanë lidhur veprimtari të shumta të çështjes kombëtare, duke përfshirë ato për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Çamërinë, viset e tjera shqiptare dhe të drejtat e popullsisë shqiptare në përgjithësi.

Njëherësh kemi bashkëpunuar edhe për evente të ndryshme kulturore, ku Haxhi John Dauti ka performuar me kitarë e ka kënduar këngë të kompozitorëve tanë e të huaj. Si artist ka marrë pjesë në disa festivale të këngës pranë Radio-Televizionit Shqiptar. Edhe pse tepër i ri atë kohë fitoi shumë miq të mirë edhe në Shqipëri, të cilët flasin me konsideratë për atë. Dy prej tyre janë gazetari i Televizionit Shqiptar Engjëll Ndocaj dhe operatori Arben Tafili, opinionet pozitive të të cilëve për Haxhi John Dautin patëm rast ti dëgjonim në mbrëmjen festive të 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në New Jersey që organizoi Këshilli Shqiptaro - Amerikan.

Haxhi John Dauti është i martuar me Znj. Sekine Dauti, kanë tre fëmijë sëbashku, dy vajza e një djalë, të tre kanë krijuar familjet e tyre dhe John me të shoqen ndihen të lumtur mes fëmijëve, nipërve e mbesave të tyre.

Në një nga ditët e dhjetorit vizituam zyrat e Këshillit Shqiptaro - Amerikan në NJ, atje takuam zotërinjtë John Dauti dhe Kalosh Sela, u njohëm nga afër me veprimtarinë e Këshillit dhe konkretisht kontributin e Z. Dauti. Kudo foto, e dokumenta bashkëpunimi me udhëheqës të lartë shqiptarë, amerikanë dhe europianë. Të cilat pasqyronin qartë veprmtarinë e tij. Çdo gjë e arshivuar dhe sistemuar në dosje e rafte sipas profileve përkatëse. Më poshtë po ndalemi më tepër tek figura e John Dautit dhe aktivitetit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Njëzetë e tetë vite më parë, respektivisht në vitin 1991, në New Jersey filloi aktivitetin e tij Këshilli Shqiptaro Amerikan ( Albanian American Council) Hapin e parë për këtë projekt e hodhi Z. Haxhi John Dauti, një patriot dhe aktivist i zellshëm i çështjes shqiptare. Haxhi John Dauti nga Struga emigroi në SHBA në një moshë fare të re. Fillimisht ai u angazhua me Ligën Shqiptaro Amerikane si drejtues i degës në Nju Xhersi, të udhëhequr nga i mirënjohuri Joe Diogardi. 

Më pas ai bashkëveproi dhe u zgjodh kryetar i PPD-së për diasporën tejoqeanike, duke ndërmjetësuar vizitat e liderëve të kësaj partie në Departamentin e shtetit Amerikan dhe shumë takime me Senatorë dhe Kongresmenë. 

Pas këtyre eksperiencave teje të suksesshme, John Dauti i mbështetur nga disa bashkpuntorë dhe miq të idealit në vitin 1991 themeluan Këshillin Shqiptaro Amerikan. Lidhjet dhe miqësitë e krijuara me diplomacinë e tij, ai tashmë i vuri në funksioni të Këshillit, duke e bërë atë pjesë teje të rëndësishme dhe të respektuar nga institucionet dhe personalitetet e politikës amerikane. Po në të njëjtin vit Këshilli Shqiptaro Amerikan merr ftesë për të qënë pjesë e një takimi në Uashington të organizuar nga Kongresi i të drejtave të njeriut ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të qeverisë së Maqedonisë, respektivisht ministri i jashtëm Denko Malevski dhe priftit të patriarkanës maqedonase, të cilët erdhën në SHBA për të marrë pjesë në Kongresin e të drejtave të njeriut dhe për të njoftuar me detaje qeverinë Amerikane lidhur me shtetin e sapoformuar të Maqedonisë. Malevski në drekën e shtruar me këtë rast parashtroi shqetësimet kryesore që sipas tij tangonin shtetin e ri. Ai foli për pakicat maqedonase në Bullgari madje edhe ato në Shqipëri foli edhe për çështje tjera ekonomike duke mos përmendur fare popullin dhe çështjen shqiptare në Maqedoni, edhe pse kjo ishte faktor kyç për themelimin por edhe ekzistencën e këtij shteti. 

Në atë moment reagoi kryetari i Kêshillit shqiptaro Amerikan i cili duhet thënë se u bë pjesë e këtij aktiviteti falë respektit dhe ftesës së profesorit të nderuar David Philiphs i cili personalisht e ftoi në atë takim për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve të Maqedonisë.  Kryetari Dauti theksoi para senatorëve dhe kongresmenëve se problemi thelbësor në Maqedoni është shtypja dhe diskriminimi i popullit shqiptar. Ky pohim publik shtangu dhe befasoi zyrtarët maqedonas, që pa dyshim nuk e kishin pritur dhe nuk ishin pregatitur për këtë. Reagimi i dha kahje tjetër gjithë debatit duke devijuar plotësisht agjendën propagandistuse të ministrit Denko Malevski dhe bashkpuntorëve te tij.

Pa asnjë dyshim ky ishte fillim i mbarë dhe  i guximshëm këshillit shqiptaro amerikan.

Në periudhën e vështirë të tranzicionit që sapo kishte filluar në Shqipëri, gazeta prestigjoze Amerikane New York Times publikoi një intervistë me Gramoz Pashkon. Pashko shfaqi shqetësimin e tij për mungesën e madhe të veshmbathjeve më gjithë territorin shqiptar, respektivisht këpucëve e cila ishte edhe si pasojë e bllokimit të punës të disa fabrikave në Shqipëri. Kriza ishte e thellë, por mirësia e popullit amerikan ishte si gjithmon në nivel. Artikulli gazetaresk kishte rënë në sy të humanistit Jim Ocanoll në Californi i cili kishte grumbulluar një sasi të madhe këpucësh dhe kishte vendosur ti dërgojë në Shqipëri, por problemi ishte transporti. Jim Oconoll përmes At Lioneli të kishës së Bostonit kishte kontaktuar z.Haxhi Dauti për të kërkuar një alternativë. 

 

Këtë situatë Dauti ja parashtroi znj.Mira Barata - Rikardel, atëkohë asistente e senatorit Bob Doll (mik i madh i popullit shqiptar). Me urdhër të senatorit Doll zyrtarë të ushtrisë Amerikane, kontaktuan me kryetarin e Këshillit Shqiptaro Amerikan dhe me aeroplanët e ushtrisë amerikane aksioni u realizua me sukses.  Mijëra palë këpucë ndihma për popullin shqiptar u transportuan drejtë Shqipërisë. Ky akt human u pasqyrua gjërësisht nga mediat amerikane ku u theksua veçanërisht edhe rroli i rëndësishëm ndërmjetësues i Këshilli Shqiptaro Amerikan i cili ishte hallka kryesore për realizimin e plotë të këtij misioni. 

 

Disa muaj më vonë Këshilli ndërmjetësoi takimin e parë tepër të rëndësishëm mes kryetarit të kryqit të kuq shqiptar Dr.Gaqo Trebicka dhe kryqit të kuq Amerikan. Takimi u realizua në Uashington dhe që atë moment mbështetja e madhe e popullit amerikan për shqiptaret vetëm se është intensifikuar. Edhe ky aktivitet bëri bujë në mediat e të dyja vendeve. 

 

Duke pasur parasysh rëndësinë dhe ndikimin e madh që zhvillimet në Amerikë kishin për situatën e shqiptarëve në Ballkan, Këshilli Shqiptaro Amerikan u angazhua edhe në jetën politike, duke u bërë pjesë e kampanjës për atëkohë kandidatin për president z.Bill Klinton. Edhe ky mision përfundoi me sukses, ndërsa të gjithë e dimë më pas kontributin e qeverisë amerikane dhe z.Klinton për çështjen shqiptare. 

 

Në dekadën e fundit Këshilli shqiptaro Amerikan ju kushtoi një vëmendje të veçantë zhvillimeve në Maqedoni. I mbështetur në forma të ndryshme nga disa bashkveprimtarë shqiptarë, miq amerikanë nga Columbia University kryetari John Dauti zhvilloi një fushatë sensibilizuese të dokumentuar për rëndësinë e Marrveshjes së Ohrit. Ai realizoi dhjetra takime me figurat kryesore politike në Maqedoni për tju bërë me dije atyre, rëndësinë e madhe dhe thelbin e këtij dokumenti për të cilin janë garant edhe SHBA-të.  

Në kuadër të këtyre zhvillimeve aktiviteteve të Këshillit ju bashkangjit vetë ish ambasadori i OSBE-së në Kosovë, i mirënjohuri dhe miku i madh i shqiptarëve William Walker. Walker dhe Dauti realizuan takime intensive me bllokun politik shqiptar në Maqedoni në përpjekje për ti bashkuar rreth një kauze të qartë pë shqiptarët në Maqedoni. 

Bashkpunimi dhe komunikimi i besueshëm që Albanian American Council ka ndërtuar me Departamentin amerikan ka ndikuar dhe ka ndërmjetësuar me dhjetra takime të liderëve politik shqiptar me zyrtarë të lartë amerikanë, duke e ngritur çështjen shqiptare në nivelet më të larta të qeverisë amerikane. Roli i madh i Këshillit u vlerësua edhe nga vetë presidenca e Shqipërisë. Presidenti Ilir Meta ishte mysafirë special i Këshillit në një vizitë të realizuar së fundmi në SHBA. 

Niveli, serioziteti dhe konsiderata që Shteti Amerikan dhe institucionet ndërkombëtare europiane kanë ndaj Këshillit, del në pah edhe në letërkëmbimet mes institucioneve repsektive. Dhjetra madje qindra letërkëmbime zyrtare mes Këshillit, institucioneve dhe zyrtarëve të rëndësishëm botëror janë në arkivë në zyrën e Këshillit Shqiptaro Amerikan në New Jersey. Mes tyre edhe letërkëmbime me Shtëpinë e Bardhë, Zyrën e Bashkimit Europian e të tjerë.

Ky përshkrim në vija të përgjithëshme i aktiviteteve të Këshillit Shqiptaro Amerikan bëhet për shënimin e 28 Vjetorit të themelimit të tij, ndërsa me shpresë një rast tjetër do të mundemi të dokumentojmë më gjërësisht aktivitetin e madh kombëtar të tij duke i dhënë kështu vendin e merituar mes organizatave më të shquara për aktivitet kombëtar brenda dhe jashtë vendlindjes. 

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat