U zgjodh kryetari i Federatës gjithshqiptare “Vatra” - Bota Sot
U zgjodh kryetari i Federatës gjithshqiptare “Vatra”

Amerika

U zgjodh kryetari i Federatës gjithshqiptare “Vatra”

Nga: Qamil S. Dardhankodra Më: 28 janar 2020 Në ora: 15:38
U zgjodh kryetari i Federatës gjithshqiptare “Vatra”

Më 19 janar 2020 në Detroit SHBA u mbajt Kuvendi Zgjedhor i “Vatrës”. Të pranishëm qenë delegatët nga të gjitha degët e saj që janë në SHBA si dhe nga dega e Torontos nga Kanada. Mikpritëse qe dega e Detroitit e cila u bani delegatëve nji pritje të shkëlqyeshme. Mysafirët u vendosën në hotelin e z. Mynyr S. Nazifi, i cili kishte përgaditë nga nji shportë dhuratash dhe nga nji flamur për çdo vatran. Kuvendi u mbajt në lokalet e Teqes së baba Rexhepit e cila qe lëshue falas për “Vatrën”. Kuvendi filloi punimet rreth orës 10, në fillim u intonue hymni shqiptar dhe ai amerikan, mbasandej punimet e Kuvendit i uruen dhe i bekuen kryefetarët; i zoti i shtëpisë baba sheh Pashai dhe imzot Ndue Gjergji, nga kisha shqiptare e këtushme “Zoja Pajtore”. Mungoi hoxha nga xhamia e këtushme për të cilin më thanë se ka shumë vjet që nuk vjen në manifestime të këtilla – më erdhi shumë keq.

Qenë dy pika të rendit të ditës; zgjedhja e kryetarit të ri dhe disa plotësime statutore me gjithë telashen që nxori dega e qytetit të Vashingtonit. Për kryetar të “Vatrës” ishin dy kundërkandidat dhe që të dy nga Kosova, njeni nga Gjakova tjetri nga Mitrovica. Drohej nga ndonji përqarje, të gjithë folësit që dolën në foltore thanë që duhet të fitojë “Vatra” dhe që nga ky vend të mos dilet me ndonji përqarje. Mbas përshëndetjeve dhe urimeve të rastit filluen diskutimet për disa ndryshime e plotësime statutore, këtu u ngrit tensioni bukur shumë tue i falënderue disa zhurmaxhive e poteraxhive saqë drejtuesi u kërcnue se njenin prej tyne do ta nxirrte jashtë. Këto ndryshime u tejkaluen dhe u lanë për nji herë tjetçr.

Dy kandidatët për kryetar i paraqitën vizionet e tyne për punën që do të banin në krye të “Vatrës”, mbasi filluen pyetjet dhe përgjigjjet, kandidati z. Agim Rexha u tërhoq. Edhe kjo pikë që ishte dhe dukej mjaft e ndieshme kaloi me pak zhurmë – u zgjodh kryetari i ri Elmi Berisha nga Gjakova, ndërsa Agim Rexha u zgjodh kryetar nderi, meqë kryetari i deritashëm kaloi në amshim. Vuna re se në mesin e delegatëve nuk ishte askush nga Maqedonia, kjo me brengosi thellë. Kishte delegatë nga Mali i Zi, Kosova madje edhe nga Çamëria. Punët kaluen pa ndonji telashe ma të madhe, nji delegat më tha se na ndihmoi bekimi kryetarëve dhe fakti se u mbajt mbledhja në vend të shejt. Për teqen e babes Rexhep kisha ndëgjue shumë – ishte ma shumë objekt patriotik sesa fetar. Aty qenë fotografitë e rilindasve kombtarë, aty e pashë Isa Boletinin e Adem Jasharin, atdhetari i madh baba Rexhep ishte fotografue me të madhin Fan Noli, Antony Athanas, etj. Më bani përshtypje nji fotografi e NMT mbretit Zog bashkë me 4 kryetarë fotografue në Pallatin mbretnor: qenë dy priftërij njani katolik e tjetri ortodoks, nji hoxhë dhe nji sheh. Faik Knica, Fan Noli e mbreti Zog dhe dr. Rugova qenë kokat ma të mençme të derisotme.

Kur filloi të shqyrtohej disidentllaku i degës së Vashingtonit zhurma përsëri filloi megjithatë kjo degë u përjashtue nga “Vatra”. Kryetari i deritashëm Dritan Mishto nji njeri tepër i zoti kishte vendosun të mos kandidohej sepse disa e kishin marr nëpër gojë ngase prindi i tij (nga Elbasani) paska qenë komunist, se paska dhanë urdhna për kështu e ashtu, etj. Të gjithë folësit i kërkuen falje z. Mishto edhe unë i kërkova falje në emën të degës së Torontos, unë mendoj se kemi ba mëkat të madh ndaj tij dhe se edhe 30 vjet “Vatra” nuk do të ketë kryetar me aftësi të tillë. Në vazhdim z. Mishto paraqiti raportin mbi punën dyvjeçare, shihej se ky njeri asht i denjë për ndonji punë në diplomaci, ndërsa pjesën e sulmit dhe akuzës e kaloi me disa thanie të Platonit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat