Kur hapen portat e një shoqate shkrimtarësh

Amerika

Kur hapen portat e një shoqate shkrimtarësh

Nga: B.S Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 16:23
llogo e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Përherë në këto vite të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, jeta e saj i ka ngjarë një zinxhiri festash që ndjekin njëra–tjetrën. Festa të promovimeve të librave të rinj. Aktivitete për autorë të spikatur. Veprimtari poetike. Takime krijuesësh në vende të ndryshme. Shkrimtarë të mirësardhur në portat e saj. Edhe fillimviti 2020 ka qenë mjaft i begatë. Të tjerë shkrimtarë futen në radhët tona. Të gjitha këto ditë i kanë ngjarë festave të bukura, të paharruara, mbresëlënëse. Të tjera vepra shkruhen e botohen e të gjithë jemi krenarë për atë që bëhet e optimistë për atë që do të bëjmë.

Për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptari- Amerikanë, ky fillimi i vitit të ri 2020 fillon me një ogur të mirë. Në gjirin e saj erdhën katër anëtarë të rinj. Ata janë Xhemal Gora, Jani Plasi, Ermira Mitre dhe Frank Shkreli. Shoqata i mirëpret duke u uruar mirëseardhje.

Shoqata e Shkrimtarëve vazhdon të jetë një lidhje elitare. Pas një procedure profesionale, duke i plotësuar kriteret, siç janë botimet letrare dhe miratimi nga grupi punues i kryesisë së saj ajo pati jetën e saj të vrullshme. Pranon shkrimtarët që i plotësojnë kushtet dhe denjësisht rrugëtojnë në rrugën e vështirë të letërsisë. “Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t'i sjellë komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari letrare të cilësisë së lartë, në përputhje me standartet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç'të jetë e mundur, që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.

Para jush po sjellim katër krijues letrarë, që jetojnë dhe punojnë në komunitetin tonë. Ata janë Xhemal Gora dhe Jani Plasa që jetojnë në Massachusets dhe vijnë nga qyteti i Bostonit, Ermira Mitre vjen nga Nju Xhersi, ndërsa Frank Shkreli nga Nju Jorku. Ne i mirëpresim anëtarët e rinj që po na bashkohen në familjen e madhe të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, aq më tepër në këtë vend të lirë ku jetojmë e ku frymëzohemi për të shkruar letërsinë.

Anëtarët e rinj

Xhemal Gora me origjinë është nga fshati Gusmar i Labërisë, por është lindur në vitin 1942, në Golem të Kavajës, Fëmijërinë e kaloi në Kuçovë. Në vitin 1959 vendoset në Fier, ku punon si kryesondist në shpimin e puseve të naftës në Patos. Në vitin 1967-1970 punon si mekanik në Uzinën Bujqësore në Fier. Studimet e larta i kreu në vitet 1970 -1974 në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë - Letërsi Shqipe. Nga viti 1974 deri 1993, ka punuar nëpër shkolla të disa fshatrave si mësues gjuhe dhe letërsie në arsimin 8-të vjeçar dhe si drejtues shkolle. Në vitin 1993 është ftuar të fillojë punën si nëpunës pranë bashkisë Fier. Në Në vitin 2000 del në pension të parakohshëm, duke iu kushtuar tërësisht letërsisë. Në vitin 2006 emigron në SHBA dhe jeton pranë fëmijëve të tyre në Boston.

Veprat e botuara:

“T’ju kem gjithmonë pranë”, poemë, Tiranë, 1974

“Ali Pashë Tepelena”, poemë, Tiranë, 1998

“Nëse do të jetosh”, poezi, Tiranë, 2001

“Stratulla”, novelë, Tiranë, 2003

“S’do të desha gjë tjetër”, poezi, Tiranë, 2004

“Gjenerali i dy mbretëreshave”, roman, Tiranë,2005

“Pengu i zemrës së lënduar”, roman, Tiranë, 2013

“Liria, ëndërr e madhe”, roman në vargje, Tiranë, 2016

“Fate në udhëkryq, roman. Tiranë, 2017

“Shtigje përjetësie”, poezi, Tiranë, 2019

Jani Plasa ka lindur në Korçë, me 30 gusht 1940. Si kreu shkollën e mesme në qytetin e lindjes, në shtator 1959 me bursë shteti shkoi për studime të larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega gjuhë shqipe-letërsi. I mbaroi studimet në qershor 1963. Qysh prej atij vitit e deri në gusht 1996 ka punuar si mësues i letërsisë dhe i gjuhës shqipe në shkolla të kategorive të ndryshme,në Berat dhe në Korçë. Prej vitit 1999 jeton në Boston.

Veprat e botuara:

"Dashuri e internuar", roman, "Kotti", Korçë, 2009

"Monstra në kostum", roman, “Kotti ", Korçë, 2010

"Hije dhe drite", tregime, " Kotti ", Korçë, 2012

"Në parkun e kujtimeve", poezi, " Kotti ", Korçë, 2014

"Ujvare malli", poezi," Kotti ", Korçë, 2017

"Iriqi poterexhi", përrallëza, “Kotti ", Korçë, 2019

Ermira Mitre ka lindur në Durrës në tetor, 1958, në një familje qytetare durrsake. Ajo kreu studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, për Gjuhë Angleze, 1980. Punoi si mësuese e gjuhës angleze në Pukë, Korçë, dhe Durrës. Më pas kreu studimet pasuniversitare për Marrëdhënie Ndërqeveritare në New York University, USA, më 1996. Punoi si specialiste në administratën lokale, dhe më pas si menaxhere zyre, drejtuese ekipi dhe projektesh, përkthyese, për organizatat ndërkombëtare American Catholic Relief Services dhe Care International në Durrës, dhe si konsulente për Bankën Botërore dhe Ministrinë e Punës e Shërbimeve Publike, në Tiranë. Ermira është ideatore, inisiatore dhe zbatuese e disa projekteve lokale dhe kombëtare në Shqipëri dhe Amerikë, njëri prej tyre projekti për hapjen e universitetit katolik në Durrës, inisiativë e një pune disavjeçare që çoi në hapjen e universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, dhe në miratimin e ligjit për hapjen e universiteteve private në Shqipëri.

Ermira Mitre Kokomani është poete, eseiste, përkthyese në dy gjuhë si dhe bashkëpunëtore shkencore. Ajo ka shkruar e botuar poezi, tregime të shkurtra, studime dhe artikuj shkencorë dhe publicistikë si dhe propozime për grante. Ermira jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen e saj. Ajo ka dhënë mësim në kolegjet e New Jersey-it, ndërsa punon në një bibliotekë akademike te “Rutgers University”. Ermira është anëtare e grupit të shkrimtarëve “Write Group”, të qytetit Montclair në New Jersey. Përktheu nga shqipja në anglisht romanin “The King’s Shadow” të shkrimtarit Viktor Canosinaj, 2018.

Veprat e botuara:

“Graviteti i shpirtit”, poezi, Dyrrah, Tiranë, 2019

Frank Shkreli shkollën fillore e ka kryer në vendlindje afër Ulqinit, ndërsa shkollën e mesme klasike në seminarin katolik të salezianëve në Kroaci dhe Slloveni. Me të ardhur si refugjat politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 1970, ai filloi studimet universitare në “Lehman College” të Nju York dhe i vazhdoi në “George Washington University”, ndërkohë që ka frekuentuar një numër kursesh specializimi gjatë punës së tij, në detyra të ndryshme 30-vjeçare në qeverinë federale të Shteteve të Bashkuara.

Karierën e tij gazetareske ai e ka filluar qysh në moshë të re, në bankat e kolegjit Lehman për gazetën e këtij enti dhe si anëtar i këshillit redaktues të revistës “Jeta Katolike” në Nju York. Mirëpo, kariera e tij merr hov me të shkuar në Uashington DC në qershor 1974 ku fillon punën si gazetar dhe redaktor në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), seksioni shqip, nga viti 1974 deri në vitin 1984. Po tek kjo radio, Shkreli ka shërbyer si shef i seksionit shqip (1984-1985). Vajta e tij në Uashington, i punësuar pranë “Radio Zëri i Amerikës”, ishte një rast që ndryshoi përgjithmonë jetën e tij. Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Europiane të “Zërit të Amerikës”, për programet në18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë Zëvendës Drejtor në këtë radio. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, Shkreli ka qenë Drejtor i Drejtorisë Europiane (më vonë euro-aziatike) të “Zërit të Amerikës”, drejtori nga e cila, përveç 18-gjuhëve të ndryshme europiane, varej, veç të tjerash, edhe seksioni në gjuhën shqip i VOA-s.

Veprat e botuara:

“Demokracia nuk pret” I, II, III, Botimet Morava, Tiranë, 2016/2018

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat