“The New York Times”, në vitin 1991, mes komunitetit shqiptaro-amerikan

Amerika

“The New York Times”, në vitin 1991, mes komunitetit shqiptaro-amerikan

Nga: B.S Më: 19 mars 2020 Në ora: 18:33
Sami Repishti

Si sot, 26 vjet më parë, “The New York Times” botoi një artikull për komunitetin shqiptaro-amerikan.
Pikënisja për shkrimin ishte rivendosja e marrëdhënieve dplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Gazetari Tim Golden vizitoi lagjen Belmont, në Bronx, për të folur me shqiptarë të ndryshëm në atë kohë si dhe foli në telefon me disa aktivistë dhe klerikë shqiptaro-amerikanë për të marrë mbresat e tyre për këtë ngjarje.
Rënia e komunizmit, rihapja e dyerve, emigrantët e vjetër dhe të rinj, ishin të gjitha tema me interes për gazetarin.

“Ishte si një ëndërr”, citon ai Sami Repishtin duke kujtuar se si kishte rënë zilja e telefonit të tij në Long Island një mëngjes, një vit më parë”. Ishte i vëllai që i telefononte nga Shqipëria, diçka fare e pamundur për 40 vjet me radhë.
Mes emrave të njohur që citohen janë edhe Imam Isa Hoxha, At Artur Liolin, Harry Bajraktari etj.
Duke qenë se ishte vetëm një shkrim gazete, ai paraqet vetëm një fotografim të kufizuar dhe të përciptë të komunitetit shqiptar. Megjithatë, një fotografim shumë interesant në të cilin mund dhe mund të mos e njohim veten tërësisht.
Shkrimi ka problemet e veta. Mjafton që nga titulli: “Ndryshimet në Shqipëri Rizgjojnë Krenarinë mes Emigrantëve” . Shqiptarët besojnë se kanë qenë gjithnjë krenarë për prejardhjen e tyre, ndonëse vendi ka pasur një regjim komunist.

Mund të mos kenë qenë dakord me politikën, por nuk i kanë vënë ndonjëherë në dyshim rrënjët e tyre. Gazetari duket se nuk i ka kuptuar shumë nga tregimet që ka dëgjuar.
Një nga udhheqësit e transformimit të pronave të patundshme të zonës Harry Bajraktarin citohet në shkrim. Ai flet për historinë e shqiptarëve që janë mësuar të jenë në situata në dukshme të pazgjidhshme por që gjithmonë ia kanë ndalë mbanë.
Për fat të keq, “Zonja e hirtë” e gazetarisë amerikane nuk i ka rezistuar dot tundimit për zhytje në ekzotizëm në përshkrimin e komunitetit shqiptar të zgjuar nga rënia e komunizmit, duke bërë këqpërshkrimin e radhës për Kanunin e Lek Dukagjinit, duke gjetur arsye kulturore për përplasjet mes bandave shqiptare e hispanike të kohës, etj.
Po edhe shqiptarët vetë e kanë nxitur pak paradën e vellos së misterit që vjen me ruajtjen e zakoneve të panjohura nga një tokë e largët. Sa kemi ndryshuar vërtet që atëhere. 26 vjet ngjajnë si një jetë e tërë. E megjithatë të duket sa kanë ikur në një çast.

Kohët gjithashtu kanë ndryshuar. Dikur shqiptarët që jetonin në Bronx e tregonin hapur se mbanin armë. Kriminaliteti ishte i lartë dhe lagjia kishte emër të keq. Shqiptarët luajtën rol në rivitalizimin e kësaj hapësire njujorkeze. Sot, shumë biseda me gazetarin amerikan do të zhvilloheshin ndryshe.
Shqiptarët si pjesë vendimtare e rivitalizimit të jetës në Bronx nuk sollën dhunën aty, por përkundrazi e dëbuan që andej, duke shtruar rrugën për zhvillimin ekonomik e sigurinë që ekziston sot.

Në fund mbyllet me bisedën e një shqiptari të porsaardhur nga Shqipëria, Gjergj Uli që kishe ardhur përpara disa muajve nga Shqipëria, ishte ende pa punë në botën e re dhe kishte kritika për atë që e quan “cekëtinë e kulturës amerikane”.
Kjo më kujtoi diçka interesante. Tetë vite pas botimit të këtij shkrimi, kur nuk kisha shumë që isha vendosur në New York, rastësisht takova pikërisht Gjergj Ulin. “I papuni” i vitit 1991 ishte tashmë pronar i një biznesi në Arthur Avenue. Unë po bëja një shkrim për bizneset shqiptare dhe ndalova në zyrën e tij, pa e ditur se kush ishte. Në bisedë e sipër më ndihmoi duke më treguar se si hapej një llogari personale bankare, diçka që nuk e kisha bërë ende.

Nuk e di se çfarë bën sot Gjergj Uli, po ky shkrim i vjetër, veç të tjerash, më kujtoi edhe këtë episod të vogël dhe tipik për mërgimtarët këtu në atdheun tonë të dytë. 
 

“Ndryshimet në Shqipëri Rizgjojnë Krenarinë mes Emigrantëve”

Sami Repishti duke dëshmuar përpara Kongresit.

¶ Ndërsa Shqipëria shkund të kaluarën e saj staliniste, jehona e largët po ndihet edhe në disa pjesë të New York-ut.
“Ishte si një ëndërr”, thotë Dr. Sami Repishti, duke kujtuar se si tringëlloi zilja e telefonit të tij në Long Island, një mëngjes të vitit të kaluar — 23 vjet pasi autoritetet shqiptare kishin nxjerrë jashtëligjit fenë dhe makinat private, e kishin ndërprerë komunikimin e qytetarëve të tyre me botën e jashtme. “Nuk arrija ta besoja kur dëgjova zërin e vëllait tim. Më solli shpresa Shqipëria mund të bëhej një ditë demokratike”.
Nga lagjia Belmont, në Bronx, ku klubet sociale shqiptare janë strukur mes picerive, te restorantet e errëta në Manhattan, ku ithtarë të ish-Mbretit Zog bëjnë plane për rikthimin e tyre, grupe burrash, të rrethuar me tym cigareje dhe raki, flasin për gjëra që duken ende si çudira: protesta dhe liri politike në atdheun e tyre, njerëz me anije shqiptare që mbërrijnë në grigjet italiane proteste, madje edhe rrëzimi i statujave të ish-udhëheqësit Enver Hoxha.
Diskutimet shpesh humbasin. Jo pak kohë pas mbërritjes në Amerikë, mërgimtarët e quajtur Gjergj shpesh bëhen “George” dhe disi më qetësisht shqiptarë; në një restorant shumë të preferuar në Manhattan, pronari shqiptar dhe mysliman, një burrë me emrin Sejdi, njihet nga klientët si Sergio.

Mirëpo, ndërsa të tjerët i shohin shqiptarët në New York shpesh me imazhin e izoluar dhe të dhunshëm të një vendi të vogël ballkanik, zhvillimet e përtej Oqeanit kanë hapur një dritare ku dallohet një komunitet me një fuqi dhe sukses të jashtëzakonshëm. Dhe për mërgimtarët që janë mësuar t’ua tallin origjinën, mendimi se Partia e Punës e Shqipërisë por rrëzohet si dominotë e fundit komuniste në Europë, ua ka ringjallur krenarinë.
“Njerëzit thonin ‘Je shqiptar? Domethënë je nga Albany? Apo je Albino?’ thotë At Arthur Liolin, kancelar i Arkdioqezës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. “Tani njerëzit e dinë se kush jemi”.
Të premten, pas më shumë se një gjysëm-shekulli antagonizmi dhe mosnjohjeje, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë rilidhur marrëdhëniet e plota diplomatike. Zyrtarë amerikanë e kanë arsyetuar këtë hap duke thënë se duan të t’u japin zemër pluralizmit të rid he përparimit të zgjedhjeve shumëpartiake të caktuara për në 31 mars. Por, megjithë premtimin për lidhje me të ngushta me atdheun që pas gati katër dekadash, dukej si i humbur në kohë, jo të gjithë shqiptaro-amerikanët janë gati të festojnë.

Një shpërthim energjie

“Jemi duke pritur për ndryshimin e madh – të bëhet një vend i lirë”, kishte thënë, më herët, Imam Isa Hoxha, udhëheqësi shpirtëror në Brooklyn i mijëra shqiptarëve njujorkezë.
E megjithatë, një shpërthim energjie dhe aktivizmi është vërë në re qysh tani mes shqiptaro-amerikanëve. Në vilën elegante në Flatbush që strehon xhaminë e tij, imami tregon se ka një rritje të qartë të numrit të pjesëmarrësve në lutje. Përballë Kishës Katolike Shqiptare në Bronx, një zgjatim i shkretuar i Park Avenue, bllokohet çdo të dielë nga tri rreshta makinash të parkuara, Volvot dhe Toyotat që copëtojnë shiringat e drogës të lëna në rrugë.
Në javët e fundit, kisha ortodokse shqiptare ka mbledhur qindra pako ushqimesh, veshmbathjesh, dhe sende të tjera për t’u dërguar në Shqipëri. Edhe zogistët, emri me të cilin njihen monarkistët, thonë se po vënë re një vërshim anëtarësh të rinj, ndërkohë që rivalët e tyre të vjetër, përkrahës të Ballit Kombëtar, thonë se u janë shtuar dëgjuesit e emisionit të tyre në stacionin e radios etnike, WNWK-FM.

Mirëpo, disa mistere të Nju Jorkut Shqiptar mbeten të padepërtueshme. Askush nuk e di për shembull se sa shqiptarë jetojnë në këtë hapësirë, sepse shumë erdhën nga krahina jugore e Jugosllavisë, Kosova, e cila u nda nga Shqipëria në 1913. Sipas llogarive të komunitetit dhe drejtuesve të kishave, numërohen nga 75,000 deri në 150,000 njerëz, mirëpo të tjerë thonë se numri mund të jetë shumë më i vogël.
Mirëpo, ka edhe mistere që shqiptaro-amerikanët janë shumë më të lumtur që t’i zbulojnë. Për shembull sesi përkushtimi i paprekshëm ndah një kodi të lashtë etik që përcakton çështje si martesat, plaçkitjet, deri edhe dëmin e bërë nga derrat e një familjeje, shërbeu si recetë për suksesin e biznesit në Bronx.
Pasi një grup i madh shqiptarësh erdhi në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 1900 dhe një i dytë pasi vendin e morën komunistët në 1944, historia thotë gegët filluan të vendoseshin në Bronx. Gegët, si thirren shqiptarët veriorë (për t’i shquar nga toskët e Shqipërisë së jugut), kanë qenë gjithmonë trimërisht të pavarur. Disa kanë qenë bujq malesh që u arratisën përmes kufijve e mbyllur të Shqipërisë, të tjerët ishin kosovarë që u lejuan të lënë Jugosllavinë në fillim të viteve 1960.

Nëpërmjet miqve shqiptarë, ata gjetën shtëpira të rrënuara në lagjet Fordham, Belmont dhe Bedford Park në Bronx si dhe vende pune si pjatalarës dhe punonjës mirëmbajtjeje. Pa mësuar mirë anglishten, ata u ngritën në përgjegjësi duke u besuar me gatimin dhe menaxhimin e restoranteve, apo me drejtimin e mirëmbajtjes të pallateve të banimit. Si dhe duke u shkëputur nga tradita e shoqërisë së mbizotëruar nga burrat në Shqipëri, shumë gra filluan të punojnë jashtë shtëpive.
Më vonë, duke mbledhur bashkë kursimet e miqve dhe kushërijve, ata blenë picerira dhe gjelltore, si dhe palate të rrënuara banimi, me qindar apartamente, në Bronx.
“Kishte pronarë ndërtesash që po iknin nga Bronx, kishte pronarë që kishin frikë të vizitonin ndërtesat e tyre dhe shqiptarët erdhën, u vendosën këtu, i kapën fëmijet që zhgarravisnin muret dhe u thanë: “’Hej! Mos të të shoh më duke bërë këtë!’” kujton

Harry Bajraktari, i cili erdhi nga Kosova 20 vjet më parë dhe tani, në moshën 34-vjeçare komandon një flotë zyrash të pronave të patundshme në lagjn Belmont. “Sa herë që një shqiptar thotë: “Do ta bëj këtë punë’, ai e mban fjalën”.
Të pyetur se nga e ka origjinën pasha e hekurt e fjalës së tyre, këta burra shpesh citojnë “Kanunin”, Kodi i Lek Dukagjinit.
I emërtuar sipas një aristokrati shqiptar të shekullit të 15, Kanuni përfshin ligje që nuk duket se kanë gjithmonë kuptim në New York-un e shekullit të 20. “Nëse njerëzit pranojnë gjykimin e Krerëve dhe Pleqve”, thotë një nga rregullat, “ai është ligj dhe ata duhet të thërrasin në kor, ‘Këmba e tjetrit, kokët tona!’ ”
Kanuni megjithatë ka ligje që rregullojnë jetën e përdishme – disa me pasoja të tmerrshme si prerja në besë, shkelja e fjalës apo e drejta për hakmarrje – që ende kanë vlerë për shtëpitë shqiptare nga New Jersey në Long Island.

Me famën për kokëfortësinë kanë ardhur edhe titujt e pazakontë të gazetave – të gjakmarrjeve në Lower East Side, sekuestrimit të armëve në Bronx dhe betejat për kontroll territoresh mes rinisë me prejardhje shqiptare e hispanike. Shqiptarët thonë se kjo ka të bëjë më shumë me historinë sesa me Lekën.
“Në vendin tonë, gjithmonë na kanë përplasur pas murit, kështu që historia na mësoi që të bëhemi të fortë”, thotë zoti Bajraktari, duke kujtuar pushtimet e bullgarëve, serbëve, turqve, italianëve, grekëve dhe gjermanëve nazistë, veç të tjerëve. “Kur erdhëm këtu, njerëzit na shtynë, por ne nuk u tundëm”.

Moderniteti, duket se dikton vetëm zgjedhjen e armëve. Kaq shumë superintendentë shqiptarë në pallate mbajnë armë saqë ankesat nga banorët e tyre të nervozuar janë bërë diçka e zakonshme. “Nuk janë në fakt kriminelë” thotë Togeri Frank Viggiano, komandant i Skuadrës së Dedektivëve të Komisariatit të 49, në Bronx. “Është punë tradite – një lloj shenjë burrërie”.

Tony Shkreli, i një agjensie udhëtimi në Bronx, nuk e kundërshtoi faktin. “Nuk mbajmë armë për të dëmtuar të tjerët”, tha ai. “Por ne shqiptarët, si burra, duhet të dëshmojmë se jemi në gjendje të mbrojmë veten”.
Po vetë zoti Shkreli, një burrë gjenial me flokë që po i thinjen dhe një kostum me shirita, a mban armë? “Ëh… Eh… Po”, ishte përgjigjia.

A do t’ia tregonte njeriut që i kishte ardhur për vizitë?
“Shqiptarët kanë një traditë”, shpjegoi zoti Shkreli. “Kalin, gruan dhe pushkën mos ia trego askujt. Po ky rregull vlen edhe këtu”.
Për një komunitet kaq të vetëpërmbajtur saqë anëtarët e tij shpesh i marrin me mend pikëpamjet politike të njëri-tjetrit vetëm nga mbiemri, aq tradicional saqë ka nuk mungojnë as martesat me shkesi, protestat për demokraci në Shqipëri kanë sjellë një ndjesi të madhe çlirimi.

Është shumë e qartë tani se çfarëdo që ishte atje tej mbahej me anë të shtypjes”, thotë At Rrok Mirdita, prifti Kishës Katolike “Zonja e Këshillit të Mirë”, në Bronx, duke folur për versionin e ndërlikuar të komunizmit në vendin e tij. “Kjo i ka ndihmuar shumë njerëz këtu që të dalin nga një lloj kompleksi inferioriteti, një lloj ndjenje faji që kanë pasur për 40 vjetët e fundit. Ka qenë çliruese moralisht dhe psikollogjikisht”.

Mirëpo, shqetësime të reja kanë trazuar gëzimin. Ndërsa bumi i pronave të patundshme në vitet 1980 u ka sjellë shumë pronarëve shqiptarë të ndërtesave begati të papritur dhe shtëpi në rrethinat e pasura të qytetit, përmbysja në vlerat e pronave të momentit ka vënë në hall disa prej tyre. Dhe shumë druhen se tradita e bukur shqiptaro-amerikane e mikpritjes bujare do të sfidohet nga numri tepër i madh i shqiptarëve që pritet të vërshojnë në New York, tani që rivendosja e marrëdhënieve diplomatike do të ndihmojë bashkimin e familjeve të ndara prej vitesh.

Nua Shala, kreu i shoqatës së pronarëve shqiptaro-amerikanë të ndërtesave tha, “gëzohesh kur i sheh dhe je i lumtur për ta, por pastaj duhet edhe që t’i ndihmosh”.
Dhe megjithë eksitimin për lirinë dhe mallrat e konsumit, disa nga të porsaardhurit nuk janë të bindur se vendi ku kanë ardhur i justifikon ëndrrat e tyre.

Gjergj (George) Uli, që mbërriti në Bronx vjeshtën e kaluar pas 35 vitesh në Tiranë, kryeqyteti shqiptar, ndihej i shkurajuar pas muajsh pa punë. Ai ishte veçanërisht i zhgënjyer nga ajo që e shihte si cekëti të kulturës amerikane. “Në televizor, nuk shoh klasikët e letërsisë, të muzikës”, u ankua ai. “Dhe keni gati 100 kanale!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat