Kleriku Gazmend Aga: Pandemia nuk e ndal agjërimin. Në fund do festojmë një Bajram të trefishtë

Amerika

Kleriku Gazmend Aga: Pandemia nuk e ndal agjërimin. Në fund do festojmë një Bajram të trefishtë

Nga: Beqir Sina - New York Më: 23 maj 2020 Në ora: 07:27
Kleriku Gazmend Aga

Më datë 24 prill, për të gjithë besimtarët myslimanë do të nisë muaji i shenjtë i Ramazanit. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit besimtarët do të jenë të kufizuar për të kryer ritualet e tyre. Grumbullimi i besimtarëve në mbrëmje, për thyerjen e agjerimit është i ndaluar, pasi përbën rrezik për përhapjen e virusit. Edhe vendi i shenjtë për besimtarët myslimanë, Meka, në Arabinë Saudite është mbyllur këtë periudhë, për të shmangur grumbullimet masive të njerëzve. Sikurse gjatë ditëve të Pashkës kur kishat qëndruan të mbyllura, për tubime do të qëndrojnë gjatë Ramazanit edhe xhamitë.

Kleriku mysliman, Gazmend Aga, në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Euronews Albania nga SHBA, tregoi rreth përgatitjeve të besimtarëve myslimanë për muajin e Ramazanit.

"Jo vetëm muaji i Ramazanit, por e gjithë kjo kohë nuk ka qenë e lehtë për të gjithë besimtarët, për të gjithë njerëzit. Megjithatë tashmë u bënë rreth 3 muaj që njerëzit po mësohen me stilin e ri të jetesës. Besimi është një pjesë e rëndësishme për shumë njerëz, sidomos muaji i Ramazanit, i cili do të jetë shumë ndryshe nga të gjithë vitet e tjera. Megjithatë ajo që ka rëndësi është se duke ruajtur shëndetin, duke ruajtur njëri-tjetrin, ta kthejmë këtë atmosferë në dobi të të gjithë njerëzimit, por edhe të gjithë besimtarëve. Është shumë e vështirë për një besimtar që të kalojë një muaj Ramazani larg njerëzve, larg tryezave me shumë të afërm, larg njerëzve në nevojë fizikisht. Megjithatë është shumë e rëndësishme për çdo besimtar kryerja e ritit të agjerimit, por gjithashtu të jetë pranë edhe të gjithë njerëzve në nevojë, gjithmonë duke ruajtur edhe distancën sociale", tha Aga.

Kleriku mysliman flet edhe për rëndësinë e lutjeve në grupe si dhe për ndarjen këtë vit prej kësaj tradite.

"Janë disa rite ku tubimi është kusht prej zotit, ndërsa në disa rite të tjera tubimi nuk është kusht, mgjithatë kuptohet që i gjithë shpirti i fesë, i gjithë shpirti i besimit, përveçse ka anën individuale ka edhe atë sociale e shoqërore. Nuk mund të themi se njerëzit do të përfitojnë në muajin e Ramazanit duke qëndruar në shtëpi të vetmuar, siç do të përfitonin po të të ishin bashkë. Megjithatë nuk është pengesë që një person, qoftë në punë ose jo, të vazhdojë agjerimin si më parë. I vetmi ndryshim është që faljet që bëhen çdo natë në xhami, këtë herë do të bëhen në shtëpi. Këtu në SHBA, që është vatra e coronavirusit, megjithëse të gjithë objektet fetare janë të mbyllura, ka shumë shtete që nuk e kanë përdorur fjalinë: Është i ndaluar tubimi në tempujt e fesë. Kjo është e rëndësishme sepse e drejta për të ushtruar fenë është një prej të drejtave themelore", tregoi Aga.

“Kjo sëmundje nuk do të zgjasë përgjithmonë, edhe kjo do të mbarojë. Kush e di, për Bajram do të kemi mundësi të jetojmë një Bajram të trefishtë; Bajram që kemi mundur të agjërojmë muajin e Ramazanit, Bajram që do të bashkohemi së bashku dhe Bajram që do të ketë mbaruar edhe kjo sëmundje”, përfundoi kleriku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat