Gjokaj: Tërheqja e njohjes së Kosovës dhe dalja nga NATO, do të destabilizonte jo vetëm Malin e Zi, por edhe rajonin

Amerika

Gjokaj: Tërheqja e njohjes së Kosovës dhe dalja nga NATO, do të destabilizonte jo vetëm Malin e Zi, por edhe rajonin

Nga: Nexhat Haziri Më: 6 shtator 2020 Në ora: 14:36
Gjon Gjokaj

Zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit në Mal të Zi,dhe fitorja e bllokut opozitar proserb dhe pro rus kan shtyer shtetin e vogël ballkanik në një nga dilemat më të mëdha apo luhajtje të vet ekzizstimit të tij si shtet. Cfarë sollën këto zgjedhje, cfarë arritën dhe cka dështuan partitë politike shqiptare, cili do të jetë fati i shtetit malazez tani një këto konjuktura politike të realitetit të ri pas zgjedhor, flet në një interviste , publicisti dhe veprimtari i komunitetit shqiptar në SHBA, z. Gjon Gjokaj. Por, për të analizuar situatën aktuale politike në Mal të Zi, pas realitetit të ri që prodhuan zgjedhjet paralamentare të 30 gushtit, thellimin e ndajres në mes malazezëve dhe serbëve, roli i shqiptarëve, padyshim që biseda me z. Gjokaj, duhej të ishte më e gjatë, më e detaizuar për të sjellë edhe fakte e argument nga historia, mbase për t’iu dhënë përgjigje dilemave që sikur shpërthyen me realitetin e krijuar në këtë ish-republikë të vogël jugosllave, Malin e zi shtet sot, por neser…

Një vlerësim për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të cilat u mbajtën të dielën që lamë pas, ku partitë pro-serbe po deklarohen si fituese ?

Gjokaj: Unë nuk e di nëse nacionalizmi malazez po bie apo nacionalizmi serb po rritet në këtë mini-republikë shumëkombëshe me 600 mijë banorë, por një gjë e di, se ishte parashikuar që partia e DPS e udhëhequr nga z. Milo Gjukanoviq ishte në lëkundje dhe do të pësonte një humbje të padëshiruar në këto zgjedhje parlamentare. Diçka që as partitë e pakicave kombëtare si ato boshnjake dhe shqiptare nuk do të dëshironin.

Si lexohet rezultati i partive shqiptare, gjegjësisht i dy koalicioneve që fituan nga njëdeputet, është rezultat i mirë apo…?

Gjokaj: Këtë herë shqiptarët dolën pak më të fortë se në zgjedhjet e fundit, duke fituar 2 mandate me dy koalicione, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2016, të cilat me tre koalicione fituan vetëm një mandat. A mund të quhet një rezultat i mirë vetëm kur shqiptarët në dy qytetet e tyre Ulqin dhe Tuz, ku së bashku nuk arritën të fitojnë 40% të votave, mendoj se jo.

Për herë të parë kemi DPS e presidentit Gjukanoviq, që më gjasë do të mbetët opozitë?

Gjokaj: Po kjo mbetet për t’u parë, pasi bartësit e pushtetit kanë mundësinë të manovrojnë me parti të vogla, të cilat shpesh rrisin interesin për pushtet më shumë sesa bindjet e tyre. Unë nuk e di se sa kohë do të duhet, por mendoj se po, Gjukanoviç do të largohet dhe ai do të ketë fatin e mbretit Nikolla. Ai do të largohet atje, ku dhe do ta tregojë koha. Këtu kemi të bëjmë me një sistem të korruptuar klientelist, të udhëhequr nga presidenti aktual Milo Gjukanoviq, i cili ka ndërtuar një nga kleptokracitë më të përkushtuara të krimit të organizuar në botë.Sot është udhëheqësi më i fuqishëm i çdo partie dhe presidenti më jetëgjatë i ndonjë shteti në Europë, 6 herë kryeministër dhe dy herë president i vendit, i cili ka drejtuar shumë lehtë për tre dekada një shtet shumkombësh me rreth 600 mijë banorë. Si i tillë ky sistem nuk mund tëquhet asgjë tjetër veç një shtet me një sistem kleptokratik. Për ngujimin e tij në krye të shtetit,ai kurrë nuk ka qenë në gjendje ta bëjë atë vetëm, por ka kërkuar ndihmën e boshnjakëve dhe shqiptarëve, këta të fundit nuk e kanë kushtëzuar kurrë që të zgjedhë ndonjë nga interesat e tyre qytetare ose kombëtare, por gjithmonë e ka pas nga ata “free ride”(gratis).

NDRYSHIMI DRASTIK I MARËDHËNJEVE SERBO-MALAZEZE

Ҫfarë do të thotë kjo për shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për rajonin e Ballkanit formimi i qeverisë nga ish-blloku opozitar që mbeshtet linjën serbo-ruse?

Gjokaj: Por t’iu përgjigjur pyetjes suaj duhet kërkuar fija e lëmshit të mbështjellë që disa shekuj.Te malësorët e vjetër, kur bëhet fjalë për serbo-malazezët, ekziston një fjalë e urtë popullore“Korbi, korbit nuk ia nxjerrë sytë”, por tani marrëdhëniet malazeze-serbe kanë ndryshuar në mënyrë drastike, që nga pavarësia e Malit të Zi në 2006 dhe shqiptarët i dhanë mbështetje masovike. Këtu kemi të bëjmë me një fenomen dramatik të kahmotshëm dhe tepër shqetësues për ne shqiptarët. Mali i Zi, deri në mesjetën e vonshme si territor dhe popullsi i përkiste rajonit të tokave të Arbërit, dhe më vonë pas ri-okupimit të territoreve shqiptare nga osnamlitë, qytetit të Shkodrës apo me mirë të themi në varësinë e sanxhakut të Shkodrës deri e fillim të shek XVIII. Kjo popullsi shqiptare mbeti e skizmatizuar nga shtrirja e sundimit të dinastisë së Namanëve në territorin shqiptar në fund të shek. XIV, kryesuar nga Car (Stefan) Dushani. Faktet historike tregojnë se origjina e dinastisë Cernoviq (1326-1516), e njohur nga historianët shqiptarë si Zezalitë-Zezaj, ishte shqiptare dhe pothuajse të gjithë princërit e tyre ishin martuar me princesha nga dyert e fisnikëve shqiptarë dhe si të tillë do të përfaqësonin në Beslidhjen e Lezhës më 1444, pas kthimit të Skënderbeut në Krujë. Gjoni -Ivani (1465-1490),i cili ishte sundimtari më i fortë i kësaj dinastie, që vdiq në atdheun e tij ishte djali i Stefan Cernoviqit(1451-1465) dhe Marie Gjon Kastriot dhe ishte martuar me Princeshën Goisava,vajza e Gjergj Aranit Komnenit të Durrësit, sikurse gjyshi i tij Gjergji (1403–1435), babai i Stefanit, i cili ishte martuar me vajzën e fisnikut të Zadrimës, Kojë Zaharisë. Unë e shpreha këtë, thjesht për të kujtuar serbët, se këtu nuk kemi asnjë lidhje me origjinën sllavo-malazeze, përkundrazi kjo dinasti shqiptare bazuar në dokumente historike për një periudhë të bukur të gjatë ishin në luftë dhe armiqësi të vazhdueshme me shtetin serb dhe sunduesin Brankoviq. Përgjatë viteve 1452-1453 Stefan Cernoviqi organizoi disa aksione të suksesshme kundër ushtrisë së Gjergj Brankoviqit, duke zgjedhur zotërimet e tij deri në Moraçë dhe duke kapur në dorë edhe Medunin.

Nga vijnë problemet dhe kush ka të drejtë në Mal të Zi?

Gjokaj: Në fund të shekullit. XVII, pasi tokat shqiptare ishin rënë nën sundimin Osman dy shekuj më parë, Danillo I, emërohet peshkop nga kisha serbe, ku fillon krijimin e një dinastie të re Petroviq. Gjatë kushtimit të patriarkut serb Arsenije III, ai i lëshoi Danilos të drejtën e funksionit të Senegalit, me të cilin u themelua juridiksioni i Mitropolitit të Cetinës. Dokumenti përfshinte vendet e mëposhtme, të cilat Serbia i kishte synuar t’i bënte për vete,si: Mali i Zi, Grbali, Pashtroviqi, Kotorri, Lushtica, Tivari, Podgorica, Shkodra, Ulqini, Zhabjaku, Zeta, Kuçi, Bratonozhiqi, Palabardhi dhe Pipëri. Por Danillo nuk arriti me realizuar asnjë nga këto, sepse u dëbua me dhunë na Katuni nga forcat osmane. Në tetor të vitit 1714, ushtria turke, e cila udhëhiqej nga Niman – Pashë Qupriliqi, sulmoi Malin e Zi, duke e shkatërruar e mposhtur plotësisht. Peshkopi Danilo ishte në gjendje të shpëtojë e udhëtoi për në Rusi, ku qëndoi për disa muaj. Rusët në marrëveshje të fshehta me osmanët, siguruan kthimin Danilos mbrapa, duke u kthyer në Mal të Zi me një sasi totale që mori nga Cari i Rusisë, me13,400 rubla, 2,000 dukat dhe dy gramë imperialë, të cilët janë bërë baza e bashkëpunimit dhe miqësisë ruse-malazeze. Car Pjetri i premtoi Danillos ndihmën e vazhdueshme për manastirin e Cetinës në vlerë prej 500 rubla në vit. Kështu Rusia cariste, me ndihmën e kishës ortodokse serbe doli të shkëpuste një pjesë të vendbanimit malor të Malit të Llovqenit, të ashtëquajtur Katunska Nahija (Cetina e sotme), ku miti kombëtar serb u kristalizua në rrethin e Katunit. “Kunora e Maleve”(Gorski Vijenac) e Njegoshit, do të bëhet burimi kryesor i frymëzimit kombëtar për shumë dekada të ardhshme të historisë serbe. Në këngën ”Nahija;, ku Njegosh thërret atdheun e tij – Katun Nahija: ”Ti je nëna e Malit të Zi Serb”;(Ti si mati srpske Crne Gore).Kështu fillon një mit tjetër i ri kombëtar serb, shekuj pas mitit të luftës së Kosovës më 1389, ku u zhvillua lufta gjoja në territorin serb të Vuk Brankovitit.Këtu fillon burimi i një principate të re malazeze të Serbisë, me popullin skizmatik shqiptar e ndihmuar kryekëput nga Rusia për dy shekuj me radhë..Nga këtu e tutje filloi një sundim i ri dhe mizor në tokat shqiptare dhe ndaj popullsisë shqiptare, ku me ardhjen në pushtet të vëllezërve princ Danilo dhe vojvodës Mirko Petroviq,në fillim të mesit të shek. XIX dhe më vonë djali i xhelatit Mirko, princi Nikolla, gjithë trevat shqiptare të këtij vendi i vunë në terror, masakër dhe presion të sundimtarëve serbo-malazez,duke u monopolizuar nga kisha serbo-malazeze, shqiptarët u detyruan që të konvertohen në fenë ortodokse, kështu që malësi e qytete gradualisht do të asimilohen dhe dalëngadalë do të shkëputen nga feja tradicionale e krishterë dhe traditat shqiptare duke përqafuar me dhunë sllavizmin e tyre.

Kthehemi tek aktualiteti, a ka rrezik një tensionim i situatës në Mal të Zi nga ky rezultat që prodhuan zgjedhjet parlamentare të së dielës së fundit të Gushtit?

Gjokaj: Një fjalë e famshme angleze thotë: “Asnjë perandori nuk zgjat përgjithmonë”. Formimi i qeverisë nga ish blloku i opozitës që mbështeste vijën serbo-ruse ka të ngjarë të vijë, por nuk e di nëse është në interes të Serbisë së sotme një konflikt i ri, një konflikt që mund të ndizet nga agjentura ruse përkrye nate, një gjë e tillë do të prishë marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin, e cila aktualisht po luan kartën e paqes për të përdorur taktikat e modelit të vjetër për një zgjerim të ri në Ballkan. Jo rrallë historia përsëritet, një proverb amerikan thotë; – “Backfire” (zjarri që kthehet mbrapa) një bumerang, përmbysje me pasoja të padëshirueshme. Në këtë zjarr, nëse shpërthen, si gjithmonë gjatë historisë, shqiptarët do të digjen së pari. Nuk thuhet kot : Ballkani është një fuçi baruti, por natyrisht as serbët nuk do ta dinin fatin e tyre. A ka ndonjë rrezik? Po ka rrezik, gjithçka varet nga mënyra se si do të ndodhë funksionimi i palëve dhe vizioni politik, nëse serbët vijnë në pushtet.

ROLI I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI ËSHTË I PARCIALIZUAR

Thuhet se trupi votues i shqiptarëve në Mal të Zi arrin diku në 24.000 votues potencial, ndërsa dy koalicionet shqiptare morën diku mbi 11.000 vota. A do të thotë kjo se një pjesë e mirë e votuesve shqiptarë preferojnë më shumë partite joshqiptare?

Gjokaj: Edhe pas fitores së dy mandateve, përsëri shqiptarët në këtë republikë, dështuan kolektivisht, pasi pothuajse gjysma e 24 mijë votuesve shqiptarë në këtë republikë nuk votuan për subjektet e tyre politike shqiptare, duke dorëzuar votat e tyre në kazanin e huaj. Pse them dështuar, sepse shqiptarët në këtë republikë në bazë të popullsisë mund të kenë të paktën 4-5 përfaqësues në parlamentin e Malit të Zi, ku ata mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për interesat e qytetarëve shqiptarë, siç po shohim sot 4 mandate vendosin fatin e qeverisë së ardhshme në këtë shtet.Fati dhe roli i shqiptarëve në këtë Republikë është i parcializuar. Qeveria aktuale e ka vënë në dispozicion shpërndarjen e popullsisë sllave, kryesisht boshnjakë në këto territore shqiptare, duke ndryshuar strukturën demografike në të gjitha komunat shqiptare. Votat e fundit në Malësi flasin më së miri këtu, pasi shqiptarët nuk mund të sigurojnë më një shifër më të lartë se 40% të votuesve në komunën e Tuzit. Këtu, mbase jo për faj të udhëheqësve shqiptarë, por për faj të atyre që nuk ndihen shqiptarë. Por nuk është vetëm kjo, se disa udhëheqës shqiptarë, madje nga shtëpitë e njohura të Malësisë, Ulqinit dhe Plavë-Gucia pa asnjë turp trumbetojnë në këto zona si përfaqësues të partive të ndryshme sllave dhe dalin të na shesin mend se çfarë po bën qeveria aktuale për shqiptarët. Atëherë lind pyetja:- çfarë të presësh nga boshnjakët ose shqiptarët e boshnjakizuar?. Ndoshta ata nuk e dinë se kjo nuk është vetëm një dëm për ta, por edhe për të gjithë shoqërinë në përgjithësi të cilët jo vetëm që arrijnë me rrëmbyer votat e elektoratit shqiptar, por ata pranohen në rrethin e tyre dhe besojnë se gëzojnë autoritet si përfaqësues partiak. Në fakt, ky është një degradim i shoqërisë dhe përbaltim i mentalitetit, integritetit dhe identitetit të shqiptarëve në këtë republikë.

Ҫfarë duhet të bëjnë partitë politike shqiptare që t’i bindin këta votues që votat e tyre t’i drejtojnë te partitë shqiptare e jo te ato malazeze e serbe?

Gjokaj: Shqiptarët në këtë republikë mbetën të okupuar herë pas here nga Kongresi i Berlinit,Konferenca e Londrës, Mbretëria e vjetër Jugosllave, Komunizmi Jugosllav dhe më pas te“demokracia” e Malit të Zi. Nuk mund të mohohet një fakt historik, që në historinë e tyre shqiptarët kishin vetëm tre vjet të gjalla të lirisë kombëtare, në kohën e qeverisjes së Mustafa Merlika Krujës, i cili arriti nën pushtimin fashist italian me nxjerrë dhe bashkuar çdo pëllëmb të territorit shqiptar. Pas kësaj periudhe dhe ardhjes së komunizmit sllav në pushtet, shqiptarët për dhjetë vjet me radhë u shtypën, u vranë, u burgosën dhe u persekutuan nga bandat komuniste jugosllave,(dhe ato komuniste-shqiptare). Shqipëria ra në duart e një sistemi ndër më të egrit komunist në botë, të montuar nga vetë komunistët jugosllavë(serbo-malazezë).Kështu, shqiptarët autoktonë në këtë republikë mbeten të shtypur dhe të lënë pas dore, pothuajse gjysma e popullsisë ka migruar jashtë vendit për dyzetë vjet me radhë për shkak të jetës së keqe dhe dëbimit masiv perms konjukturave të ndryshme, për arsye hegjemonike, tjetërsimit të strukturës etnike shqiptare. U desh gati gjysmë shekulli që shqiptarët të riorganizoheshin përsëri. Më 9 shtator 1990 në Tuz të Malësisë u mblodhën përfaqësuesit nga të gjitha trevat shqiptare në Malin e Zi, në koordinim me veprimtarët malësorë në SHBA dhe dr. Ibrahim Rugovën, ata themeluan subjektin e parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi, Lidhjen Demokratike, simotra e LDK-së, të Kryetarit e Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, partisë së parë politike shqiptare në ish-Jugosllavi (23 dhjetor 1989). Me plotë kuptimin e fjalës kishte karakterin e një Lëvizjeje Kombëtare. Në vitin 1992 shqiptarët nën Mal të Zi, në koordinim dhe marrëveshje me veprimtarët kyç të diasporës shqipatre në Amerikë, me Gjergj Dakun Gjokaj, udhëheqës, në mbledhjen e 22 gushtit dhe 12 shtatorit 1992, miratuan tekstin e Memorandumit për Statusin Special të Shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin e nënshkruan 39 delegatë shqiptarë nga gjithë trevat shqipare në Mal te Zi. Ky akt i tillë u mirëprit nga mbarë diaspora dhe nga subjektet shqiptare kudo në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Me këtë Dokument për definimin e statusit special të shqiptarëve në treva të veta,përfaqësuesit e shqiptarëve: Mehmet Bardhi, Gjergj Gjokaj dhe Lekë Lulgjuraj morën pjesë në bisedimet shqiptaro-malazeze në Konferencën e Paqes për ish-Jugosllavinë në Bruksel e Londër. Pra kjo ishte nisje serioze dhe ringjallje e këtij populli të vuajtur për të definuar statusin e trevave etnike shqipare në këtë republikë. Por pushteti malazez duke parë unitetin e popullit dhe të liderëve shqiptarë, që shkonin drejt një uniteti dhe faktori serioz të statusit dhe të drejtave të tyre nacionale, ata nëpërmes satelitëve të vetë futën përçarjet, duke filluar fraksionet dhe mospajtimet e brendshme deri në krijimin e shumë subjekteve të reja politike, ku ndikoi në shkapërderdhjen e tyre si në aspektin lokal ashtu edhe në atë qendror, ku çështja e shqiptarëve tashmë ishte fragmentizuar, sipas interesave të klaneve dhe individëve të ndryshme. Dhe që nga kjo kohë, e cila mund të quhet lirisht – Koha e Patriotëve, shqiptarët në Mal të Zi, humbën boshtin e tyre dhe lidhjen e vërtetë me interesat kombëtare dhe statusin e tyre të veçantë ose Autonominë Territoriale, e cila në të gjithë botën, por edhe nga vetë Malazezët njihej si një tokë e okupuar nga Mali i Zi për zgjerimin territoresh. Por e gjithë kjo i shkoi për shtat qeverisë së Tiranës, e cila sipas kushtetutës së Shqipërisë do të duhet të dëgjojë zërin e shqiptarëve të lënë jashtë kufirit politik të Shqipërisë. Ata jo vetëm që nuk e ngushtuan Malin e Zi për të drejtat tona në këtë republikë, por nuk folën asnjë fjalë për lirimin e shqiptarëve dhe aksionin famëkeq të qeverisë malazeze, të ashtuquajtur “Fluturimi i Shqiponjës”, ku u terrorizua e gjithë Malësia dhe u burgosën dhe torturuan 20 malësorë vendas dhe qytetarë shqiptaro-amerikanë. Edhe përkundër të gjitha represaljeve shtetërore malazeze, Tirana zyrtare, gjithëherë kërkoi nga shqiptarët e shtypur ta mbështesin qeverinë e Gjukanoviqit pa asnjë kusht. Dhe më së miri e përforcoi kryeministri Edi Rama javën e kaluar, ku ai në mënyrë të patyrpshme bëri thirrje përmes një video në gjuhën serbe për të votuar për qeverinë aktuale të Malit të Zi.

I nderuari Nexhat, ju pyetet çfarë të bëjnë shqiparët tani?! Pyetje që nuk ka përgjigjen e duhur. Shqiptarët nuk janë më unikë as kompaktë në kërkim të të drejtave të tyre kombëtare.

Meqenëse ata janë të koklavitur kolektivisht është e pamundur të rigrupohen pa gjetur mbështetjen e një faktori të fuqishëm shqiptar, i cili do ta ruante ardhmërinë e tyre në këtërepublikë që zhbënë shqiptarë. Është e vërtetë që malësorët e Malësisë shkruan historinë e tyre me fitoren e komunës së Tuzit dy vite më parë, nga koalicioni i tre partive politike shqiptare, të udhëhequr nga Nikë Gjeloshaj, Nikollë Camaj dhe Fadil Kajoshaj, por me ndihmën e fortë të Mërgatës Shqiptare, në veçanti asaj amerikane, kryesuar nga Z. Mark Gjonaj, Këshilltar i Bashkësisë në qytetin e New York-ut dhe anëtarët e kryesisë së dy shoqatave shqiptare Malësia e Madhe – New York dhe Malësia e Madhe – Michigan. Dhjetë vjet më parë, në prani të përfaqësuesve të shoqatave shqiptare të New York-ut, kërkova të thirret një -Kongres Shqiptar, një takim i madh, ku do të merrnin pjesë intelektualë të ndryshëm, përfaqësues dhe drejtues politikë nga atdheu, biznesmenë dhe aktivistë shqiptarë nga diaspora, që të diskutohej një ide dhe të shkëmbenim mendime, se si tëorganizohej dhe të lobohej për çështjen dhe shpëtimin e shqiptarëve në Malin e Zi.

A prisni që të ndryshojë kursi i politikës së jashtme të Malit të Zi në raport me Kosovën, nëse bëhët qeveria nga blloku i partive pro-serbe?

Gjokaj: Sikurse serbët të kishin fituar përqindjen e nevojshme në parlament, ata mund të tërhiqnin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por unë besoj se nëse ata do të formojnë një qeveri, ata së pari duhet të mbajnë stabilitetin e qeverisë dhe më së pakti ju intereson një destabilizim i politikës së brendshme ose të jashtme. Unë besoj përsëri se perëndimi duhet të tregoj kujdes në rast krize, nëse duan të parandalojnënjë luftë të re në Ballkan. Për fat të mirë, perëndimi ka shumë ndikim, Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE. Çfarëdo që të ndodhë më pas? SH.B.A besoj se gjithçka e ka nën vëzhgim situatën, për faktin se Europa gjithherë mbyll sytë kur ushtrohet dhunë në Ballkan, sepse interesat dhe strategjitë e tyre janë të ndryshme.

MALI I ZI NË MES TË ARDHMËS SË PËRBASHKËT, APO…

Ҫfarë do të thotë kjo për Malin e Zi, fundi i ekzistimit të tij si shtet apo…?

Gjokaj: Çetnikët serbë, si gjithëherë, të ushqyer nga nacionalizmi të cilën malazezët kurrë nuk i kanë pare as në shpatull të pulës, tani të frymëzuar si kurrë më parë nga anullimi i kulturës dhe kishës së tyre ka çuar në acarimin midis qeverisë aktuale dhe kishës ortodokse serbe. Kjo e fundit, në kundërshtimin e saj ndaj Ligjit për Liritë Fetare të qeverisë aktuale ka kaluar në një sërë qëndrimesh destabilizuese dhe një ofensivë të mirëfilltë politike. Protestat disa mujore kanë kapluar qytete malazeze, të orkestruara dhe nën orientimin e drejtpërdrejtë të kishës serbe, ashtu si në kohën e Millosheviqit në Kosovë. Kjo ndoshta edhe ka ndikuar edhe në rritjen e elektorati serb dhe ramjen e elektoratit të kryetarit Gjukanoviq dhe pastisë së tij. Sot kemi katër shtete Ballkanike të cilat u krijuan nën ndikimin e kohës dhe Fuqive të Mëdha; të cilat siç janë sot, bazuar në problemet ndërnacionale dhe kufijve etnikë e kanë vështirë për të mbijetuar si shtete të pavarura të qëndrueshme dhe një nga këto është Mali i Zi, qytetarët e të cilit me një shtet të vërtetë demokratik nuk do të dëshironin të jetonin së bashku, por të gatshëm të bashkoheshin me shtetin e tyre amë. Këtë do ta dëshironin shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e Kosovës, si dhe serbët dhe kroatët e Bosnjës. Por kur bëhet fjalë për Malin e Zi edhe pse këta dy popuj (serbë dhe malazezë), të cilët kanë lëruar së bashku për dy shekuj edhe pse janë pothuajse identikë nga ana kulturore, sot interesat dhe vizioni i tyre ndryshon rrënjësisht, ku tani për tani ata nuk kanë mundësi për ndonjë debat ose marrëveshje të ndërsjellë midis tyre, sepse asnjëri prej tyre nuk kërkon territor të caktuar dhe të dy kërkojnë dominimin e plotë të vendit. E gjithë kjo nuk jep ndonjë parashikim për të ardhmen e tyre të përbashkët, sepse ata janë një racë e përzier mesvete pa identitet të rrjedhshëm kombëtar dhe me interesa strategjike diametralisht të kundërta, pro-perëndimore dhe pro-ruse. Vështirë që ata mund të kenë ndonjë marrëveshje të ndërsjellë, kështu që ekzistenca e të ardhmes së shtetit të Malit të Zi është në një ngërç.SHBA dhe BE, me gjithë ndikimin dhe fuqinë e tyre nuk mund të jenë një faktor i brendshëm në ruajtjen e unitetit të këtij mikro-shteti makroetnik. Sikurse shqiptarët do të ishin një factor plotësues, megjithëse nuk i harrojnë zezat e malazezëve, gjithmonë do të favorizonin Malin e Zi pro- perëndimor, por jo ndonjë sistem klandestin, ku mund të shpëtonin ato pak toka qëkanë mbijetuar deri më tani si shqiptare.

A mund të tërhiqet njohja e Kosovës, dhe a mundet Mali i Zi të dal nga NATO?

Gjokaj: Po, kabineti i ri qeveritar i Malit të Zi mund të nxisin që vendi të largohet nga NATO, por Serbia nuk mendoj se e dëshiron këtë gjë, sepse nuk është në interesin e saj. Ajo do të humbiste lidhjet miqësore me Aleancën, e cila i kërkonte t’i bashkohej NATO-s. Mali i Zi mund të largohet nga NATO dhe të kërkojë tërheqjen e njohjes për Kosovën, por një gjë e tillë do të destabilizonte jo vetëm Malin e Zi, por edhe Serbinë e më gjerë. Nëse Serbia e lejon një gjë të tillë, atëherë do të dalë hapur se është kundër çdo interesi dhe bashkëpunimi me SH.B.A, BE dhe NATO-n. Por kabineti i ri malazez duhet të shikohet edhe me një sy tjetër, nëse do të marrë udhëzime të drejtpërdrejta nga Rusia, në këtë rast, nuk është ekzagjerim të thuash se në këtë vend mund të kemi përshkallëzime të paparashikueshme, ku pa dyshim për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti të ri, NATO e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërhyntemenjëherë.

Po paralajmërohet formimi i Qeverisë nga patitë pro-serbe me ndihmën edhe të disa partive të tjera siҫ është ajo URA e Dritan Abazovicit. Si duhet të sillen partitë shqiptare, apo dy deputet shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, t’i bashkohen këtij koalicioni apo të mbesin në opozitë?

Gjokaj: Koalicioni i partive pro-serbe me ndihmën e partisë URA të Dritan Abazoviç mendoj se ata kanë numrat për të formuar qeverinë e re, përndryshe Koalicioni për Ardhmërinë e Malit te Zi, e cila kryeson listën serbe; pa njerën nga këto të dyjat koalicioni; Paqja është kombi ynë”.dhe “E bardha në të zezë”, nga shqiptari Dritan Abazoviç, nuk do të jenë në gjendje tëformojnë qeverinë e re. A duhet të marrin pjesë shqiptarët në këtë kabinet? Për dy arsye mendoj se jo. Njëra është se kjo qeveri nuk ka çfarë tu ofrojë shqiptarëve dhe e dyta është se kjo qeveri nuk ka nevojë për shqiptarë, sepse ata kanë numrat e duhur për një kabinet të ri. Dritan Abazoviq, shqiptari që mban boshtin e qeverisë së ardhshme në Mal të Zi, të cilin disa analistë shqiptarë nxituan ta shpallin në mënyrë euforike Kryeministrin e ri të Malit të Zi, si kandidat të partisë “E Zezë në të Bardhë” me katër vende në parlament. Si një politikan malazes, ai me të vërtetë prej vitesh ishte në luftë me kryetarin e Partisë Socialiste Demokratike, Milo Gjukanoviq. E gjithë kjo duket se e sjell në krye të një partie të re, si një udhëheqës malazez, por pa një orientim ideologjik ose mbështetje të ndonjë kombësie të veçantë.

Dy ditë më parë, Dritan Abazoviq deklaroi se Mali i Zi nuk do të bëhej “Sparta Serbe”dhe as një “Krahinë e Shqipërisë së Madhe”. -A duhet analizuar kjo, kujt i flet ai këtë gjuhë?!

Gjokaj: Ai po kandidon me listën serbe, kundër malazezëve dhe si shqiptar mohon atdheun e tij Shqipërinë. -Kujt po i shërben me këtë fjalor të paskrupullt? Ai është një intelektual, idealist i pa qëndrueshëm, lider jo prepotent, në shërbim të askujt, aq më pak në shërbim të Ulqinit, origjinës së vet, të shqiptarëve në Malin e Zi, ku ai lindi, u rrit dhe u edukua. Kësi lloj intelektualësh dhe politikanësh kemi mjaft në Ballkanin shqiptar, shqiptarë të mentalitetit liberal, komunist,”Univerzalac” të tipit jugosllav, të cilët une do ti quaj “pro-rusët e rinj” , të cilët mohojnë origjinën, identitetin dhe kulturën e tyre, siç kemi parë më parë në sulmet ndaj figurave tona më të ndritura kombëtare si; Gj. K. Skënderbeut, Shën Terezës, Markagjonajve,Ernest Koliqit, Martin Camajt, Xhafer Devës etj. Këta lloj intelektualësh dhe politikanësh në këtë republikë ende festojnë Ditën e Çlirimit të qyteteve shqiptare që u okupuam përsëri nën Jugosllavi, Komunizëm dhe Mal të Zi. Pra ne festojmë datat shtetërore të një shteti që na mban peng tokën, lirinë, flamurin dhe të drejtat tona kombëtare.Një gjë te ngjajshme e kishte bërë më parë edhe Driton Abazoviq në një shfaqje televizive serbe, ku ai kishte shpallur serb nënën, pastaj babin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Vërtetë se ai për këtë kishte kërkuar falje publike, por kjo do të thotë që ai nuk e ka shfletuar historinë kombëtare e aq më pak se ka sadopak ndjenja kombëtare. Kjo duhet t’i falet, por a mund ta falim kur ai kundërshton vendosjen e monumentit të Skënderbeut në qendër të Ulqinit, i cili sponsorizohet nga diaspora vendase e shqiptarëve të Amerikës. Ai e quante të panevojshëm vendosjen e këtij monumenti, duke thënë se është më mirë të vendosni peshkatarët e ndjerë të Ulqinit, një hotel me pesë yje apo shkrimtarin spanjoll Miguel de Cervantes. Sigurisht se me këtë Dritoni ka dashtë me na rikujtuar romanin- Don Kishoti, dhe dëshiren fisnike për të bërë gjëra të mira, ku Cervantes kërkon t’i imponojë shoqërisë idealin e tij të dashurisë. Me këtë, për shqiptarët Abazoviqi ka kaluar kufirin e mohimit të identitetit të tij kombëtar si shqiptar, por ai është i ri dhe është ende në gjendje të riatdhesohet kombëtarisht, duke refuzuar të bëhet një “Kal i Trojës” midis gërshërëve serbo-malazezë, që gjithmonë u kanë prerë fatin shqiptarëve. Sidoqoftë, Dritanit shqiptar i urojmë suksese në karrierën e tij politike, dashtë Zoti, edhe në shërbim të shqiptarëve. Por ai duhet të jetë vigjilent, tani është një “cic-mici” i qeverisë malazeze, ai mund të anojë tek subjektet politike pro-serbe ose pro-malazeze, por të mos harroi se këtu është Ballkani, sot ju jeni në krye, nesër xhiron i fundit, ku mund të bëhesh vetëm kokërr “cic-mici”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat