Sylejman Gashi, figurë emblematike e Kombit

Amerika

Sylejman Gashi, figurë emblematike e Kombit

Nga: Luz Thaqi Më: 16 shtator 2020 Në ora: 15:49
Sylejman Gashi

NEW YORK : (15 Shtator 2020)Ditë më pare u shkëput nga jeta, gazetari, reporteri emblematik, nga zëri i të cilit, kur edhe Zoti kishte hequr dorë nga ne, shpërndante rrezet e shpresës, intelektuali dhe atdhetari i devotshëm për një jetë, Sylejman Gashi.

Ishte familjar i devotshëm,profesionalist dhe emblemë e gazetarisë që i tejkalonte kufijtë shqiptarë; intelektual dhe lobuees mbi 30 vjet në qarqet më të larta të SHBA-ve dhe OKB-se për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me një fjale i njohur anë e mbanë botes shqiptare. Mbi te gjitha ishte dhe mik i imi për mbi 25 vjet.

1.Dhe, kur të vdes një mik, sikur të sëmbon në shpirte, të prek në ndërgjegje, të drithëron, për zbrazëtirën e pakompensuar që shkakton mungesa e tij. Humbja e tij, të kthen në retrospektivë dhe t’i shprush kujtimet, të mbush shpirtin me plot zjarr, të fut në thellësitë e vorbullave që të ka kakatandisur jeta: jeton me emrin e tij, me kujtimet dhe gjurmët e tij, të cilat çdo njeri i lë si vulë të kohës për misionin e kryer para familjes, të afërmeve dhe ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare.

Me një realitet të tillë u ndeshem këtyre ditëve me ikjen e Sylejman Gashit, me ikje në amshim duke mbetur vravashke e pafikur.

Në jetën shoqërore, rëndom ndodh që njerëz të shquar, të kulturës, politikës, artit e shkencës, si dhe historisë sonë kombëtare, të veçohen nga ata të tjerët, për aftësi intelektuale, për përkushtim në çështjet madhore, për veprimtari të devotshme dhe pathyeshmëri të vullnetit dhe idealit të lartë që kanë në shpirt e që lidhet me fatin e popullit të vet. Të tillë njerëz lindin në çdo kohë, janë të nevojshëm për jetën, shoqërinë dhe kombin dhe, si të tillë secili në fushën e vet ndaras dhe bashkërisht forcojnë trungun e historisë se një kombi. Brezat që pasojnë, si begati më të çmuar, të kaluarën e rimarrin, pikërisht nëpërmjet këtyre njerëzve të spikatur.

Njëra nga këto figura që do lë gjurmë në historinë tonë më të re të kombit për liri dhe pavarësi, pa dyshim se është miku dhe bashkatdhetari i cili me pietet jetoi një jetë në shërbim të kombit dhe atdheut të cilit aq shumë i dha dhe aq shumë e deshi.

2.Është e pamundur që me disa rreshta modest të përshkruhet në jetë dhe vepër aq e madhe e mikut tim nga një çerek shekulli, por jeta dhe vepra e tij flasin vet. Këtë ma se miri e shpreh P.Marko: ”Askujt mos i beso përveç veprës sate. Të gjithë të lënë pos asaj”.

Megjithatë ndjej obligim shpirtëror dhe miqësor, ose borxh ndaj një fjale për mikun tim në amshim Sylejman Gashin: Ishte dimër i vitit 1991 kur ishim të larguar nga puna dhe jetonim me shpresat te i madhi Zot, që të bënte diç për ne, ndërsa ato të tjerat shpresa ishin të humbura. Në një çajtore në Kline përplot mysafirë përcillnim Ditarin e mbrëmjes të RTP-së, gjersa në atë të ftohtë xhamat nga brenda ishin mbuluar me avull. Pritnim me padurim raportimin e Sylejman Gashit. Zëri i tije ishte i vetmi zë i shpresës që fati ynë mund të ishte edhe i ndryshëm nga realiteti që na kishte katandisur. Thosha në veten time, nga e bazonte Syla këtë shpresë? Dhe tri vite më pas kur edhe vetë u vendosa në NY pata rastin që të shoqërohemi dhe bashkëpunonim së bashku, e kuptova qasjen e Sylejman Gashit. Thjesht, Syla me devotshmëri u përgjigjej kërkesave të popullit në përputhje me kohën kur kombit tonë po i përgatitej një kataklizëm e tmerrshme nga forcat e errëta serbo-sllave. Në këto stuhi të këtij udhëkryqi, Syla tregonte orientimin e tij fizik e shpirtëror që ishte pjese e qenies së popullit dhe se ishte i gatshëm për çdo sakrificë, duke e kryer me ndershmëri misionin e tij para ndërgjegjes kombëtare, si një nga përfaqësuesit e denjë të epokës të cilës i takoj, duke i dalë zot pareshtur atdheut të vet.

3. I pandalur ishte Sylejman Gashi në mision e shenjtë të reporterit të devotshëm të atdheut nga Kryeqyteti i Botës dhe vendi më vendimmarrës për fatet e popujve në botë. Duke mos mund t’i përthekoja bashkëpunimet e tij që nga themelimi dhe puna si redaktor në gazetën”Illyrija” në N.Y., RTP (RTK),”Rilindjen”e me dhjetëra gazeta e portale ane e mbanë medieve shqiptare, Syla ishte unik. Dhe në shtëpinë e tije shumë vite më parë do ma tregoi zyrën nga e cila raportonte pa ndalë, për të më shtuar kërshërinë se sa orë punonte në ditë dhe kur pushonte. Me thoshte:”Më duhet të zë kohen dhe raportimet në mediet në atdhe, punoj ndonjëherë edhe 20 orë në dit, por kjo më jep kënaqësi”!

Syla ishte i pranishëm në çdo vend dhe institucion amerikan, ku debatohej për Kosovën. Ishte i akredituar në OKB, punonte për Departamentin e Shtetit, udhëhiqte dhe moderonte si dhe u përkthente grupeve politike,ushtarake, kulturore, qeveritare e tjera nga tërë bota shqiptare që vinin në SHBA. Ai caktonte takime, i përgatite ato, u ndihmonte mysafirëve nga atdheu që t’u dukshin sa më në nivel, çfarë të kërkonin, që të lëne përshtypje që imponojnë. Shumë nga ta i thërriste edhe mysafirë në shtëpi dhe në fund i intervistonte për mediet në atdhe. Pra, çdo gjë fillonte dhe përmbyllej me angazhimin e pandalur të Sylejman Gashit. Pas çlirimit ai u përcaktua që përvojën e tij shumëvjeçare nga SHBA-te ta praktikonte për disa vite në Kosove duke e lënë familjen e tije te mrekullueshme në N.Y.

Sylejman Gashi, nuk ishte vetëm një reporter-gazetar, por ishte shumë më shumë se kjo. Ai sensibilizonte qeveritarët dhe njerëzit ma me influencë të SHBA-ve dhe nga mbarë bota në OKB-e për çështjen e Kosovës. Syla nuk e kreu detyrën e Ambasadorit, edhe pse nga Qeveria e Kosovës qe emëruar ambasador i parë pranë OKB-së, por bëri më shumë për Kosovën se shum ambasador te tjetër. Në këtë rrugëtim të tij të madhërishëm Sylejmani ishte shumë pedant,profesional, principial dhe i dinjitetshëm. Thjesht, ishte njeri i vecante,qe rrezatonte kulture,edukate. Dhe deri në çastet e fundit të frymës së tij, ai u gjend brenda qenies dhe shpirtit të këtij populli.

Andaj, edhe pse Sylejmani ndërroj jetë do jetë përherë pranë këtij populli, ashtu siç e kujtojmë: të dashur, me buzëqeshjen e jetës, me një titanizëm jetësor…

Përjetësisht i falem kujtimit, punës dhe veprës së këtij atdhetari unikal.Vepra të cilën e la trashëgim, me frymëzimin e saj do t’i kapërcej shekujt.

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës miku i im, Sylejman Gashi, për të cilin aq shumë bëre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat