Çfarë është QAnon?

Amerika

Çfarë është QAnon?

Nga: Sokol Neçaj Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 14:37
Çfarë është QAnon?

QAnon dikur ishte një fenomen i skajshëm – e tillë që me siguri shumica e njerëzve e injoronin. Por në muajt e fundit, ajo ka mbërritur në mediat kryesore. Për muaj me radhë, mbështetësit e QAnon kanë përmbytur mediat sociale me informacione të rreme rreth Covid-19, protestat e Black Lives Matter dhe zgjedhjet e vitit 2020.

Disa mbeshtetes të QAnon gjithashtu janë akuzuar për krime të dhunshme, si për vrasjen e një bosi mafie në Nju Jork vitin e kaluar dhe një tjetër që u arrestua në Prill dhe u akuzua se kishte kërcënuar për të vrarë Joseph R. Biden Jr. Byroja Federale e Hetimit ka paralajmëruar se QAnon përbën një kërcënim për terror.

QAnon është termi ombrellë për një seri të gjerë teorish konspiracioni në internet që pretendojnë, në mënyrë të rreme, se bota drejtohet nga një klikë pedofilësh adhurues të Satanait, të cilët po komplotojnë kundër z. Trump ndërsa po operojnë një rrjet global të trafikut seksual të fëmijëve.

Ndjekësit e QAnon besojnë se kjo klikë përfshin demokratë ne nivele të lartë si Hillary Clinton, Barack Obama dhe George Soros, si dhe një numër personalitetesh të famshëm të Hollivudit si Oprah Winfrey, Tom Hanks, Ellen DeGeneres dhe figura fetare si Papa Françesku dhe Dalai Lama. Shumë prej tyre gjithashtu besojnë se, përveç keqtrajtimit të fëmijëve, anëtarët e këtij grupi vrasin viktimat e tyre në mënyrë që të nxjerrin një kimikat nga gjaku i tyre që zgjat jetën.

Sipas QAnon, Z. Trump është rekrutuar nga gjeneralët e lartë ushtarakë për të kandiduar për president në 2016 në mënyrë që të shkaterronte këtë komplot kriminal, t'i jepte fund kontrollit të saj të politikës dhe mediave dhe t'i sjellë anëtarët e saj para drejtësisë.

E gjitha kjo filloi në tetor 2017, kur u shfaq një postim në 4chan, bordi famëkeq i mesazheve toksike, nga një llogari anonime që e quante veten "Q Clearance Patriot". Ky poster, i cili u bë i njohur thjesht si "Q", që pretendoi se ishte oficer i lartë i inteligjencës me qasje në informacionin e klasifikuar për luftën e Z. Trump kundër klikës globale.

Q parashikoi që kjo luftë së shpejti do të kulmonte në "The Storm” (Stuhia) - një kohë të caktuar kur Z. Trump më në fund do të demaskonte klikën, do të ndëshkonte anëtarët e saj për krimet e tyre dhe do të rikthente Amerikës madhështinë..

U quajt “Stuhia” si referencë ndaj një batute që Z. Trump bëri gjatë një foto op në tetor 2017. Kur kishte pozuar përkrah gjeneralëve ushtarakë, Z. Trump tha, "Ju djema e dini se çfarë përfaqëson kjo? Ndoshta është qetësia para stuhisë”. Besimtarët e QAnon e sjellin këtë moment si provë që Z. Trump po dërgonte mesazhe të koduara në lidhje me planet e tij për të prishur klikën globale, me ndihmën e ushtrisë.

Identiteti i Q ende mbetet i panjohur, megjithëse ka pasur spekulime në lidhje me të për vite me rradhë.

"Drops” quhen postimet e Q nga ndjekësit e QAnon. Deri tani janë rreth 5,000 prej tyre dhe shumica marrin formën e një mesazhi të koduar kriptik. Shumë ndjekës të QAnon përdorin aplikacione “Q Drop” që mbledhin të gjitha postimet e Q në një vend dhe i lajmërojnë sa herë që vjen një postim i ri.

Një element i ri në QAnon është një numër parashikimesh të qarta dhe specifike se kur dhe si do të ndodhte "Stuhia". Për vite, Q ka parashikuar që arrestime masive të anëtarëve të bandës do të ndodhnin në ditë të caktuara, se raporte të caktuara qeveritare do të zbulonin keqbërjet e klikës dhe se republikanët do të fitonin vende të shumta në zgjedhjet mes mandatit të 2018. Asnjë nga ato parashikime nuk u realizua. Por shumica e besimtarëve të QAnon nuk u interesonte. Ata thjesht gjetën mënyra për të riformuluar rrëfimin dhe për të injoruar mospërputhjet, dhe vazhduan tutje.

Është e vështirë të thuhet sa anëtarë ka kjo levizje sepse nuk ka asnjë direktori zyrtare të anëtarësimit, por numri nuk është i vogël. Para se Facebook të bllokonte postimet e QAnon, disa grupe të njohura QAnon në platformë kishin qindra mijëra anëtarë dhe NBC News raportonte këtë vit në një studim në Facebook ajo gjeti mijëra grupe QAnon, me miliona anëtarë midis tyre.

Ky numër është rritur ndoshta gjatë pandemisë, kur vetë QAnon perpiqet dhe rekruton anëtarë të rinj nga grupet fqinje të teorisë së komplotit. Një keqkuptim i zakonshëm është se QAnon është thjesht një lëvizje politike. Por funksionon, për njerëzit që besojnë në të, si një komunitet shoqëror dhe një burim argëtimi.

Disa njerëz e kanë krahasuar QAnon me një lojë masive multiplayer online, për shkak të mënyrës se si i fton pjesëmarrësit të krijojnë një lloj realiteti të përbashkët të mbushur me personazhe të përsëritura, duke zhvendosur linjat e historisë dhe kërkime të ndërlikuara për zgjidhjen e enigmave. QAnon është krahasuar me kishën, sepse u siguron ndjekësve të saj një strukturë mbështetëse sociale, si dhe një rrëfim organizues për jetën e tyre të përditshme.

Fenomeni QAnon ia detyron shumë popullaritetin e saj mediave sociale si Twitter, Facebook dhe YouTube, të cilët kanë amplifikuar mesazhet QAnon duke ua rekomanduar grupet dhe faqet e QAnon të rinjve, përmes algoritmeve të tyre.

Në muajt e fundit, rrjete sociale i kanë ndaluar përmbajtjet e QAnon në shërbimet e tyre, duke përmendur rrezikun e dëmeve pertej internetit. Në tetor, Facebook dhe YouTube shpallën ndalimin e QAnon dhe hoqën mijëra llogari, faqe dhe kanale nga platformat e tyre. Twitter ka ndaluar mijëra llogari QAnon për përfshirje në ngacmime të koordinuara. Dhe disa platforma më të vogla, të tilla si Etsy, Pinterest dhe Discord, kanë marrë gjithashtu hapa për të kufizuar ndikimin e QAnon.

Në narrativën kryesore të QAnon, Z. Trump është figura qendrore dhe heroike, patrioti trim që u zgjodh për të shpëtuar Amerikën nga konspiracioni global. Si rezultat, besimtarët e QAnon analizojnë imtësisht fjalët dhe veprimet e Z. Trump, duke kërkuar kuptimet e fshehura. Kur Z. Trump thotë numrin 17, ata e marrin atë si një shenjë se ai po u dërgon mesazhe të fshehta. (Q është shkronja e 17-të e alfabetit.) Kur ai mban një kravatë rozë, ata e interpretojnë atë si një shenjë se ai po liron fëmijët e trafikuar. (Disa spitale përdorin "kodin rozë" si kod për rrëmbimin e fëmijës në proces.)

Nuk dihet nëse Z. Trump i di detajet e teorisë QAnon apo jo. Por ai nuk ka dalur kundër lëvizjes, duke thënë në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë se "kam dëgjuar se këta janë njerëz që e duan vendin tonë". Ai gjithashtu refuzoi të denonconte QAnon kur u pyet në lidhje me të gjatë një bashkbisedimi në NBC në tetor, duke thënë se gjithçka që dinte për lëvizjen ishte se "ata janë shumë kundër pedofilisë". Dhe natyrisht ai dhjetëra herë ka shpërndarë postime nga ndjekësit e QAnon në llogaritë e tij në rrjetet sociale

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat