Presidenti Trump thotë se Biden fitoi, por përsërit pretendimin pa bazë se zgjedhjet u manipuluan

Amerika

Presidenti Trump thotë se Biden fitoi, por përsërit pretendimin pa bazë se zgjedhjet u manipuluan

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 03:45
Donald Trump

Presidenti Donald Trump duket se pohoi të dielën për herë të parë publikisht se rivali i tij demokrat Joe Biden i fitoi zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, por më pas u tërhoq duke thënë se nuk do ta pranojë humbjen.

Ai përsëriti në Twitter pretendimin e tij të pabazuar se vota ishte e manipuluar. "Ai fitoi sepse zgjedhjet u manipuluan," shkroi Presidenti Trump. Twitter i shtoi postimit komentin: Ky pretendim për mashtrim zgjedhor është i debatueshëm.

Pak më vonë Presidenti Trump sqaroi: Biden fitoi vetëm në sytë e mediave të rreme, unë nuk pranoj asgjë. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Unë do të fitoj.

Ekipi i Presidentit të zgjedhur Joe Biden reagoi ndaj komenteve të Presidentit Trump. Duke folur në emisionin "Meet the Press" të televizionit NBC, Ron Klain, shef i stafit të zotit Biden, tha: “Nuk janë komentet e zotit Trump në Twitter që e bëjnë Joe Bidenin president ose jo president. Këtë e bëri populli amerikan”.

Vendimi i agjencisë së shërbimeve qeveritare (GSA) për të mos e njohur zotin Biden si president të zgjedhur, po e pengon ekipin e tij të marrë hapësira për zyra qeveritare dhe fonde që normalisht i jepen një administrate të re për të siguruar një tranzicion të qetë. Agjencia kryesohet nga Emily Murphy, e emëruar në këtë post nga Presidenti Trump.

Pa e përmendur tranzicionin, zoti Trump vlerësoi administratoren e agjencisë, duke shkruar në Twitter: "Punë e shkëlqyer Emily!"

Komentet vijnë një ditë pasi dhjetëra mijëra mbështetës të Presidentit Trump vërshuan në kryeqytetin Uashington për t’i bërë jehonë pretendimeve të tij për mashtrim zgjedhor.

Dje, autokolona e Presidentit kaloi nëpër turmën e njerëzve gjatë rrugës për tek fusha e tij e golfit, duke u përshëndetur me brohoritje nga demonstruesit. Pas kthimit në Uashington, autokolona përsëri u përshëndet me thirrje nga mbështetësit e tij, njoftoi televizioni Fox News.

Marshimi ishte kryesisht paqësor, por pasi u err, midis mbështetësve të presidentit Trump dhe antiprotestuesve pati përplasje të shumta. Një person u godit me thikë dhe 20 persona u arrestuan. Dy policë u plagosën.

Ekipi i zotit Trump ka ngritur padi që kërkojnë të përmbysin rezultatin në disa shtete, megjithëse pa sukses, dhe ekspertët ligjorë thonë se sfidat gjyqësore kanë pak shans për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Nga ana e tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden, pritet të vazhdojë edhe sot privatisht takimet me këshilltarët rreth ndërtimit të kabinetit të ardhshëm dhe politikat që do të ndjekë pas betimit në 20 janar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat