Mirënjohje Amerikane për të Nderuarin Sulejman Gashi, në Ditën e Falenderimeve

Amerika

Mirënjohje Amerikane për të Nderuarin Sulejman Gashi, në Ditën e Falenderimeve

Nga: Drilon S. Gashi Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 17:29
Mirënjohje Amerikane për të Nderuarin Sulejman Gashi

Në Ditën e Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është kulturë që të shprehësh mirënjohje dhe vlerësime për njerëzit më të veçantë në jetën tuaj. Familja ime dhe unë ndiejmë mungesën e madhe të Babait tim Sulejman Gashi në këtë kohë, për më të veçantin e familjes sonë. Ai ishte udhëheqës i familjes, na bënte krenar me punën dhe veprën e tij, dhe na mrekullonte çdo mbledhi e ndejë familjare me tregime, batuta, mësime dhe dashuri.

Në ato ditë të vështira në Prishtinë, para dy muajve, kur ne po bashkëpunonim me autoritetet qeveritare për të organizuar një lamtumirë sa me dinjitoze e kombëtare për Babain, na shkroi miku i familjes Legislator Vedat Gashi. Miku i Egzonit dhe i imi, profesionisti për të cilën më kishte folur me shumë krenari Babai. Kur unë u ktheva që të punoj në Kosovë në vitin 2008, Babai më tha që të takohem pikërisht me këshilltarin e atëhershëm te Kryeministrit, Vedat Gashi. Vedati, që vet ishte një shqiptaro-amerikan i kthyer për të kontribuar në Kosovë, do të dinte të më orientonte më shumë.

Kur i shkroi Vedati Egzonit ato ditë, ai tha që Qarku Westchester në New York donte që ta nderonte Sulejman Gashin me një rezolutë për nder të tij. Të shprehte mirënjohjen dhe vlerësimin e madh për Babain. Qarku Westchester dhe Vedati na nderoi Babain dhe familjen tonë, dhe për këtë i falenderojmë nga zemra. Jemi krenar që e kemi Vedat Gashin, njeriun tonë të dashur e të nderuar, Ligjvënës të Qarkut Westchester.

Sot po e ndaj këtë rezolutë të cilën e mbajmë me krenari në familjen tonë dhe e cila përbën një tregues të rëndësishëm për Babain. Ai do të jetë përgjithmonë Zëri i Shpresës për Kosovën nga Amerika, në kohët më të errëta të saj, por edhe për të lajmëruar lirinë dhe më pas pavarësinë e saj. Por ai bëri krenar gjithashtu komunitetin e tij shqiptaro-amerikan, miqtë dhe kolegët e tij shqiptarë dhe amerikanë në Gazetën Illyria dhe nga bashkëpunimet e tjera, kolegët e tij në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe kolegët e tij në Departamentin e Shtetit Amerikan.

Ikja fizike e Babait nga ne na pikëllon shumë neve familjarëve por edhe gjithë ata që e kanë dashur dhe e kanë njohur Babain. Ajo gjithashtu na jep familjarëve dhe mua detyrën e rëndësishme: qëllimin për një jetë e një vepër sa me të dinjitetshme, sa më kombëtare, e sa më domethënëse. Qëllimin që vepra e shenjtë e të nderuarit Sulejman Gashi të vazhdojë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat