Ndahet nga jeta shqiptarja e njohur e komunitetit shqiptar në Kanada

Amerika

Ndahet nga jeta shqiptarja e njohur e komunitetit shqiptar në Kanada

Më: 29 janar 2021 Në ora: 17:55
Voisava Lena

Pas një sëmundjeje të rëndë dhe një lufte gati 5-vjeçare është ndarë nga jeta në Toronto të Kanadasë Voisava Lena.

Për gati dy dekada, Voisava Lena ishte bashkëproducente së bashku me bashkëshortin e saj Ilir Lena, në kanalin televiziv shqiptar në Kanada “Pasqyra Shqiptare”.

Lajmin e bëri të ditur në profilin e tij në Facebook bashkëshorti i saj Iliri, i cili në fillim thekson se “Për 18 vjet bashkëproducente e emisionit tonë, mbështetje e pakursyer dhe frymëzim për mua. Unë humba gruan dhe shoqen e jetës, por edhe komuniteti shqiptar humbi një shqiptare të mirë.”

Menjëherë pas publikimit të lajmit të kobshëm, aktivistë të komunitetit shqiptar, shkrimtarë, artistë e intelektualë të këtushëm e kujtojnë karakterin e saj fisnik si një njeri pozitiv për shoqërinë në përgjithësi, dhe për komunitetin shqiptar në veçanti.

Shkrimtari shqiptar në Kanada Përparim Kapllani, ka kujtuar momente të mira me të. “Të dashur miq! Më lejoni që në këto çaste të hidhëruara për komunitetin, të ndaj një moment të bukur me zonjën Voisava Lena, bashkëshorten e Ilir Lena, drejtorit të Pasqyra Shqiptare TV. Ishte maji i vitit 2017 dhe Lena më kishte ftuar për një intervistë në zyrat e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Toronto. Për çudinë time, bashkë me Ilirin kishte ardhur edhe Voisava, megjithëse nuk ndihej mirë nga sëmundja e rëndë. Ndonëse e zbehtë, sytë i ndrisnin nga një energji shpërthyese dhe në fytyrë kishte një mirësi gati ëngjëllore. Flokët i kishin rënë për shkak të trajtimit mjekësor, por ajo ishte ende një zonjë tërheqese e fisnike, që të bënte për vete me çarmin e vet. U ndjeva disi ngushtë, pasi Voisava kishte bërë një sakrificë përtej të pamundurës, për të vazhduar punën në Pasqyrën Shqiptare TV. E vëreja, sesi merrej me vendosjen e kamerave apo projektorëve, duke bërë të pamundurën që ajo intervistë të shkonte sa më mirë.E them me plot bindje se pa ndihmën e saj të pakursyer, Pasqyra Shqiptare TV nuk do të ekzistonte. Të rrojë përjetë kujtimi i kësaj gruaje të lartë dhe fisnike që bëri aq shumë për komunitetin”- shkruar ndër të tjera shkrimtari Kapllani.

Aktivistja e njohur dhe ish-kryetarja e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze në Toronto Ruki Kondaj, ka shkruar nje euologji prekëse për të: “Një album për ty sot në këtë ditë të trishtë për familjen tënde të shtrenjtë, Ilirin , Tonin që të ndenjën pranë në këtë histori të dhimshme 4-5 vjeçare, për nënën tënde që i këpute shpirtin, për nënën e Ilirit që qante si për vajzën e saj sot, motrën tënde Ana që këto kohë veç foto tua postonte, shoqet e tua të fëmijërisë, për miqte e tu këtu e larg, për të gjithë ne që të deshëm e na deshe shumë. Do të kujtojmë kështu midis nesh të qeshur e të dashur e kështu do të mbetesh midis nesh po e qeshur , e dashur, me shpirt të paqte, racionale si askush, e drejtë , e qeshur si lulet në Maj, selektive sepse ti nuk pajtoheshe me të keqen!”

Edhe ambasadori i Shqipërisë në Kanada Z. Ermal Muça, i cili prej ardhjes në detyrë ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm me Pasqyrën Shqipare duke evokuar  ka reaguar duke u shprehur: “I pikëlluar për lajmin e trishtë. E kam njohur nga afër gjatë këtyre viteve, ku me kënaqësi jemi takuar dhe kemi bashkëbiseduar në shumicën e aktiviteteve kombëtare e komunitare. Përcillte mirësi dhe optimizëm…”- u shpreh ambasadori.

Janë të shumta reagimet me rastin e kësaj humbjeje të rëndë, me ç’rast mund të themi se pa Voisavën Pasqyra Shqiptare e ka humbur njeriun e dytë të saj, e komuniteti shqiptar në Kanada një grua humane që deri në çastet e fundit, duke u përballur me sfidën e jetës, ka dhënë kontribut të pashoq në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe në informimin e publikut shqiptar në Kanada në kohë të duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat