Rezistenca në Kosovë përmes edukimit diskutohet në Universitetin Georgetown

Amerika

Rezistenca në Kosovë përmes edukimit diskutohet në Universitetin Georgetown

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 21:07
Afërdita Krasniqi

Historia e Kosovës nuk është e panjohur për një grup studentësh të Departamentit të Sociologjisë në Universitetin Georgetown. Por ditët e fundit ata patën rastin të diskutojnë mbi një temë të veçantë: rezistencën e Kosovës përmes institucioneve arsimore kundër shtypjes së regjimit serb të Sllobodan Millosheviçit. Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me autoren e kësaj ligjërate, Afërdita Krasniqi.

“Kosova: Edukimi si rezistencë” është tema që u ligjërua para studentëve të Universitetit Georgetown në Uashington DC nga ekspertja e arsimit ndërkombëtar dhe zyrtare e programit amerikan të edukimit Fullbright, Afërdita Krasniqi.

“Fillova me ngjarjet e vitit 1981 të cilat i kujtoj edhe personalisht sepse kam jetuar në qendër të Prishtinës, kur ishin protestat masive të studentëve e ku kërkohej Kosova republikë dhe të drejtat që na takonin. Pastaj theksova ngjarjet e viteve 89 dhe fillimi i viteve 90 kur ne u përjashtuam nga ndërtesat shkollore të arsimit të mesëm dhe të lartë në Kosovë. Kur vazhduam të protestonim dhe të njëjtën kohë kishim për detyrë dhe kishim vullnet, solidaritet të jashtëzakonshëm që të mësonim si studentë por edhe që të protestonim vazhdimisht deri kur arrihet kulmi i protestave në vitin 1997 dhe 1998 kur fillon lufta”, tha zonja Krasniqi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Vetë zonja Krasniqi mbaroi studimet në Universitetin e Prishtinës gjatë viteve 1992-1997.

“Është dashur të studiojmë nëpër depo të ndryshme duke improvizuar. Familjet që kishin pak mundësi na dhuronin ndonjë dhomë të ndjenjes, ndonjë dyqan, siç ka ndodhur shpesh. Nuk kishim karrige për tu ulur por as libra që ishte më me rëndësi”, thekson ajo.

Por, sfidat e shumta, thotë ajo, vetëm sa i frymëzonin më shumë drejt arritjes së synimit kryesor për një shtet të lirë dhe të pavarur.

“Të gjitha të drejtat na u cenuan mirëpo ne prapë e gjetëm mënyrën se si të tejkalojmë gjithë këto sfida. Arsimi, mendoj dhe të gjithë pajtohen, besoj se na mbajti gjallë në atë periudhë kur kishim edhe krizë ekonomike, kur kishim cdo llojë krize dhe kur tentohej nga regjimi serb që të asimilohej populli shqiptar përmes arsimit duke na cenuar të drejtat që të mësojmë”, shton zonja Krasniqi.

Ligjëruesja u dha një porosi studentëve të cilët sot ndodhen në rrethana krejtësisht tjera krahasuar me kohën kur ajo ishte në studime.

“Këtyre studentëve u thashë që t‘ia dini vlerën arsimit sepse ju po shkolloheni në një universitet të jashtëzakonshëm, të keni parasysh se jo të gjithë e kanë fatin e tillë prandaj le të shërbejë kjo ligjëratë e sotshme si frymëzim që të studioni sa më shumë dhe t’i shfrytëzoni të gjitha mundësitë që i keni”, përfundon zonja Krasniqi.

Ndërsa universiteteve në Kosovë dhe studentëve u sugjeron të investojnë në hulumtime akademike dhe mendimin kritik.

Afërdita Krasniqi është zyrtare me përvojë në Fullbright, programi që financohet nga zyra e Departamentit të Shtetit për Arsim dhe Kulturë. Programet administrohen nga Instituti për Arsim Ndërkombëtar, ku zonja Krasniqi drejton zyrën për Evropën dhe Euroazinë në Nju Jork./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat