Sfidat e komunitetit LGBTQ+ fillojnë në familjet konservatore shqiptare

Amerika

Sfidat e komunitetit LGBTQ+ fillojnë në familjet konservatore shqiptare

Më: 13 mars 2021 Në ora: 21:07
Blake Kaba, shqiptaro-amerikane që jeton në shtetin e Uashingtonit

Të drejtat e komunitetit LGBTQ+ vazhdojnë të sfidohen nga paragjykimet dhe diskriminimet që vijnë nga segmente të ndryshme të shoqërisë. Kjo çështje vazhdon të trazojë familjet shqiptare edhe kur ato ndodhen në vende demokratike si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Homofobia është edhe më e theksuar në vende si Shqipëria e Kosova. Zëri i Amerikës sjell rrëfimet e disa pjesëtareve të këtij komuniteti që arritën të përballojnë trysninë e shoqërisë duke pranuar veten ashtu siç janë. Sot ato janë zë i të gjithë shqiptarëve që janë pjesë e këtij komuniteti të stigmatizuar. Materiali i realizuar nga kolegu Burim Goxhuli sjell më shumë hollësi.

Blake Kaba, shqiptaro-amerikane që jeton në shtetin e Uashingtonit mundohet t’i ofrojë vajzës së saj jetën që ajo vetë nuk e kishte.

Gruaja me origjinë nga Struga u largua nga shtëpia në moshën 20 vjeçare dhe që nga ajo kohë humbi kontaktin me prindërit. Shkak për këtë u bë orientimi i saj seksual.

“Ishte një udhëtim shumë i vetmuar për mua. Për fat të keq ata nuk janë ende pjesë e jetës sime. Jam larguar prej tyre para 14 vitesh. Është e vështirë t’u ndryshosh mendjen, që thjesht të më pranojnë. E kam të vështirë të flas për këtë gjë, sepse jam fëmija tënd, pa marrë parasysh rrethanat, duhet të duash fëmijën tënd pa kushte. Por kjo gjë më bëri nënë të mrekullueshme dhe më shtoi dashurinë për vajzën time më shumë sesa mendoja se është e mundur”, thotë Blake Kaba.

Zonja Kaba mendon se mungesa e përvojës dhe frika nga paragjykimet e shoqërisë ndikojnë në mënyrën se si familjet shqiptare i trajtojnë personat e këtij komuniteti.

“Mundohem të kuptoj edhe prindërit e mi. Kjo është mënyra se si jemi rritur. Edhe unë deri sa kam ardhur në Amerikë në moshën 12 vjeçare, nuk kam parë persona gay ose lesbike. Nuk ishte normale dhe njerëzit fshiheshin nga frika. Kur dola publikisht kisha vështirësi ta pranoja veten time. Për një kohë i thosha vetes, se çfarë janë këto ndjenja të çuditshme dhe frikësohesha, se do ta zhgënjeja familjen. Sikur na kishin shpërlarë trurin se kjo gjë nuk është në regull dhe nuk është normale”, thotë ajo.

Sot, shqiptaro-amerikanja ka një karrierë të suksesshme. Ajo është kuzhinierja kryesore në një klub të njohur golfi në shtetin e Uashingtonit.

Por kjo nuk do të kishte vlerë thotë Blake, nëse ajo nuk do të pranonte veten për atë që është.

“Unë mund të isha bërë ajo që nëna ime donte të shihte tek unë, mund të isha martuar me një burrë dhe ta bëja nënën të lumtur. Por ku e lë kjo lumturinë time? Nuk do të isha e lumtur. Duhet të jesh vetja. Nuk pendohem më sikur dikur, që ndihesha me faj se turpërova nënën, sepse ashtu i dukej asaj. Tani jam e lumtur. Sigurisht që gjatë rrugëtimit, do humbisni njerëz. Unë nuk kam humbur vetëm prindërit, por edhe shoqërinë dhe anëtarë tjerë të familjes. Por ata nuk janë të rëndësishëm sa unë. Unë jam personi më i rëndësishëm në jetën time”, thotë Kaba në intervistën për Zërin e Amerikës.

Blake ngre zërin për komunitetin sikur edhe Rremida Shkoza, shqiptaro-amerikane tjetër që lindi në Shkodër, por që jeton në ShBA nga viti 1991.

Duke shpalosur jetën e saj, ajo frymëzon pjesëtarët shqiptarë të komunitetit ndërsa edukon pjesën tjetër të shoqërisë. Nisma e saj sociale quhet SOFRA LGBTQIA.

“Të kesh një grua të gjinisë së njëjtë dhe të qenit shqiptare nuk është gjithmonë e lehtë, por ishte një udhëtim i mrekullueshëm, sepse jam zhvilluar. Kam mësuar që të mos kem një qasje ku u them të tjerëve se ju duhet të më pranoni, ju jeni gabim, jeni injorantë. Të tjerëve u them se kjo është përvoja juaj, prandaj ka kuptim për ju. Por kjo nuk e bën të drejtë qëndrimin tuaj. Tani a keni vullnet të më dëgjoni, sepse unë nuk do të ndryshoj. Mendoj se kështu duhet të fillojë biseda, ndërtimi i urës nga të dyja anët”, thotë zonja Shkoza.

Rremida u drejtohet prindërve shqiptarë, kur thotë se edhe komuniteti i tyre meriton të gëzojë lirinë e demokracisë.

“Dua të flas tek zemrat e prindërve dhe t’u them se ne të gjithë jemi fëmijët e dikujt. Të gjithë i përkasim një familjeje. Si anëtarë të komunitetit njëra nga gjërat më të dashura dhe më të rëndësishme për ne është familja. Ne e duam familjen tonë. Ne i duam prindërit tanë, gjyshërit, hallat, xhaxhallarët, kusherinjtë. Jemi të pikëlluar sepse ndihemi të larguar, pasi nuk na është dhënë mundësia të shfaqim atë që jemi. Jemi njerëz të mirë. Jemi të frytshëm. Duam të ndihmojmë kulturën dhe popullin tonë. Ju lus të hapni zemrat, sytë dhe mendjet tuaja për ne dhe na lini brenda, sepse ndihem sikur izolimin që e kemi përjetuar gjatë komunizmit dhe privimin e asaj kohe e ndjejmë ende, pas tridhjetë vitesh kur Shqipëria është vend demokratik”, shton ajo.

Edukimi i shoqërisë mbi këtë çështje kërkon kohë, por nuk ka alternativë thotë Anila Duro, profesore e shkencave shoqërore në Kolegjin e Drejtësisë Penale John Jay.

“Na u deshën shumë vite për të mësuar se ekziston një binar gjinor, pra mashkull ose femër dhe se ekziston vetëm marrëdhënia heteroseksuale. Dhe do të na duhen kaq shumë vite për të pranuar se ishim keqinformuar e të mësojmë të vërtetën rreth identitetit gjinor dhe orientimit seksual të njerëzve. Jepini vetes kohën e nevojshme dhe filloni të edukoni veten dhe të angazhoheni me komunitetin, sepse do ta zbuloni ashtu siç e zbuluam disa prej nesh, se komuniteti LGBTQ+ është sikur secili prej nesh. Ju ftoj të çlironi veten nga urrejtja dhe të mos i bëni askujt dëm, sepse është e dëmshme për ju së pari”, thotë ajo.

Të dhënat e ekspertëve të shëndetit mendor tregojnë rëndësinë e trajtimit të kësaj çështjeje.

Ne e dimë se pjesëtarë të komunitetit LGBTQ+ kanë katër herë më shumë gjasa të kryejnë vetëvrasje. Ata janë më të prirur të vuajnë nga ankthi, depresioni, të ngelin pa shtëpi dhe të përdorin droga. Këto probleme nuk vijnë për shkak të identitetit të tyre por për shkak të mënyrës se si shoqëria identifikon ata”, thotë ekspertja e shëndetit mendor Ariana Brunçaj-Metalia.

Zonja Brunçaj-Metalia këshillon pjesëtarët e komunitetit të kërkojnë ndihmë profesionale, nëse u duhet, ndërsa pjesës tjetër i bën thirrje që të përpiqet të praktikojë në realitet vlerat që mbron me fjalë.

“Gjithmonë më është dukur interesante se si shqiptarët vazhdimisht thonë se familja është vlera kryesore e tyre, por kur fëmijët nuk u përshaten pritjeve të tyre, pra dalin nga kutia që ata kanë përgatitur për ta, asgjë nuk ka më rëndësi. Mund të jetë traumatike edhe për prindërit, sikur edhe për fëmijët, kur ndodhë ndarja. Prandaj, mendoj se nëse duam t’u përmbahemi vlerave tona me të cilat krenohemi kaq shumë, se jemi të orientuar nga familja, atëherë duhet të qëndrojmë pas asaj që themi. Nëse bëni përpjekje të qëndroni afër fëmijëve tuaj edhe ju do të ndjeheni mirë, sepse po qëndroni pas vlerave që na bëjnë shqiptarë”, thotë ajo.

Shumë studime tregojnë se pandemia COVID-19 theksoi edhe më shumë sfidat e komunitetit LGBTQ+ duke i ekspozuar pjesëtarët edhe më shumë ndaj rreziqeve shëndetësore dhe ekonomike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat