Diaspora në Michigan, SHBA – U shënua 150-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës

Amerika

Diaspora në Michigan, SHBA – U shënua 150-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 06:06
Diaspora në Michigan, SHBA – U shënua 150-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës

Nën organizimin e Shoqatës “Jehona e Malësisë”, u shënua në Michigan-SHBA, 150-vjetori i lindjes së njërit ndër figurat më të shquara kombëtare shqiptare, At Gjergj Fishtës.

Aktiviteti u zhvillua të dielën, më 24 tetor, në sallën e mbushur përplot të Kishës Katolike Shqiptare në Rochester Hills – Michigan.

Mysafiri kryesorë i mbrëmjes dhe folësi i rastit ishte Akademiku Prof. Dr. Anton Kolë Berishaj, ndërkaq të pranishmëve iu drejtua në emër të organizatorit, Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Vilson Sinishtaj.
Të pranishmëve iu drejtua edhe meshtari Dom Fred Kalaj, Kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe” nga New York-u Nikollë Junçaj,   Kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe” nga Michigan-i  Nrekë Gjolaj dhe aktivisti Gjon Gjokaj.

Image

Pas pjesës akademike të mbrëmjes, për pjesën artistike u përkujdesën të ftuarit special nga Kosova, artisti Çun Lajçi i cili bëri interpretime nga Lahuta e Malcis dhe këngëtari i mirënjohur Malësori Prënkoçaj.

Shoqata “Jehona e Malësisë” është shoqatë e re e formuar nga një gjeneratë e re e mërgimtarëve, ndërkaq ky është aktiviteti i parë i organizuar nga ata dhe dalja e parë e tyre publike.

Image

Ata njoftuan se kishin ftuar të gjitha shoqatat dhe organizatat shqiptare në shtetin e Michigan-it dhe se pothuajse të gjithë u përgjigjen pozitivisht ftesës së tyre.

Image

Kryetari i shoqatës Vilson Sinishtaj në fjalimin e tij përshëndetës foli për organizimin, formimin e shoqatës, qëllimet që ka shoqata për të ardhmen por edhe për situatën e pafavorshme politike të shqiptarëve në Mal të Zi.

Akademiku Anton Kolë Berishaj iu referua kontekstit socio-kulturor, politik dhe ekonomik të ndikimit të veprimtarisë së At Gjergj Fishtës në rrjedhat e shtet-formimit shqiptar.

Fjalimi i plotë Berishajt:

Të nderuara dhe të nderuar motra e vëllezër, bashkatdhetarë, shumë të respektuar klerikë, bashkorganizatorë të këtij tubimi dhe ju anëtarë entuziastë të shoqatës së re, Jehona e Malësisë që na bashkuat sonte për të përkujtuar datën e lindjes së të madhit At Gjergj Fishta,

Zonja e zotërinj,

Fillimisht dua të rrëfej se përveç se ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar që jam sonte midis jush – jam edhe i frikësuar. Pse i frikësuar? Sepse të flasësh për At Gjergj Fishtën, është një kafshatë aq e madhe sa që kam frikë se nuk do të mund ta kapërdijë.

Andaj, pikërisht në këtë dalje para jush, shumë të nderuar, vetja po më përngjanë në ndonjërin nga studentët e mi në provim, po ti kisha thënë: Ulu dhe fol për universin. Haha, fol për universin, por ku me ia nisë! Edhe unë jam i ftuar të flasë për At Gjergj Fishtën, por kah me ia nisë, meqë At Gjergj Fishta nuk ishte person as personalitet i zakonshëm, por ishte dhe mbetet universi ynë.

Akademik Sabri Hamitit, autor i librit “ENIGMA E POEZISË” që posa doli nga shtypi, pikërisht Fishtës ia kushtoi pjesën kryesore të librit dhe ndërmjet tjerave shkruan: Fishta, përveç krijimtarisë letrare, “ kreu një punë madhështore në fushë të jetës sociale dhe nacionale, për ta bërë Shqipërinë e pavarur e shqiptarët të kultivuar. Nënkryetar i Kuvendit të parë të Shqipërisë (1921), përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ndërkombëtare. Farkues i shpirtit nacional në kulturë e letërsi. Kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip (1908), themelues i revistës Hylli i Dritës (1913), bashkëthemelues i shoqërisë Bashkimi, themelues i gjimnazit në Shkodër, themelues i teatrit në Shkodër. Futi shqipen si gjuhë mësimi në shkolla. Gjergj Fishta u cilësua shkrimtar nacional për së gjalli. Shkroi vepra letrare në të gjitha gjinitë: epikë, lirikë, dramatikë e satirikë, ndërsa vepra e tij kritike rrok tema teaorike të artit, të jetës sociale e të jetës shpirtërore të kombit, ku shquhen gjuha e tij energjike, edhe kur lavdëron edhe kur kritikon e përmbysë”.

Pra, frika të flasësh për Fishtën nuk është vetëm retorikë e imja, meqë përveç meritave që i vargon Hamiti, kemi të bëjmë edhe me një klerik të përvujtur, me një krijues e shkrimtar, me një poet e hero, me një historian e dijetar, me një estet e politikan. Fol për At Gjergj Fishtën, për një bir të Fishtës së Zadrimës që pas studimeve në Bosnjë gjithë shekullin e vet krijues e veprues e bëri në Shqipëri, kryesisht në Shkodër, në qendrën kulturore të Shqipërisë së kohës, dhe u vu në sherbim të misionit të shërimit të shpirtit dhe korpit të shqiptarit të vuajtur.

Pra, unë mendoj se të flasësh për Fishtën, është njësoj si të flasësh për enciklopedinë e kohës, për zërin e ndërgjegjes së shqiptarëve, për atë zë që buron nga brendia e shpirtit malësor, fshatar, kasabar, qytetar… që me aq mjeshtri e gërshetoi fetarinë dhe kombëtarinë, besimet dhe interesat që të çohet në vend amaneti i krejt atyre që janë flijuar për shqiptarizëm, por edhe i atyre rilindësve që i kanë kënduar shqiptarisë edhe në kohën kur ajo ende ishte e shkelur nga thundrat e pushtuesit shekullor osman.

Që të mos mbetemi në planin individual kur flasim për Fishtën, ka shumë arsye që më shtyjnë që ti referohem edhe krijuesit Kujtim Shala, që në veprën e tij “Identiteti i pa zbuluar” (2019), Atme e Fe i merr si paradigma shqiptare të jetës (veprimtarisë) dhe të veprës (kulturore të etërve françeskanë). Trajtën më të gjerë kjo paradigmë e manifeston tek At Gjergj Fishta, i përcaktuar dhe i kurorëzuar Poet Kombëtar, dmth. hero e misionar. Një hero i tillë përherë, përpos veprës letrare ka edhe veprën nacionale, të përthyer në veprim politik e kulturor. Të rikujtojmë Fishtën politikan në krye institucionesh, Fishtën studiues të shpirtit shqiptar dhe të jetës autentike shqiptare. Mirëpo, ashtu siç insiston ky autor, duhet të shohim se cilat janë nyjat e veprës së madhe të françeskanëve që i paraprijnë një klime të veçantë socio-kulturore dhe politike ndër shqiptarë.

Urdhëri françeskan, ti përmendim vetëm disa prej tyre, siç janë – Leonardo de Martino, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Bernardin Palaj, Donat Kurti, Vinçenc Prenushi, Martin Sirdani, Anton Harapi, Justin Rrota, Zef Pllumi etj., vëllezërit e vegjël të Shën Françeskut, etërit e mëdhenj shqiptarë. Gjithnjë duke iu referuar këtij autori, ky Urdhër mbahet me vetitë universale, të përkorjes e të shërbimit, është urdhër i besës dhe i përvujtnisë.

Një vlerësim të ngjashëm e gjejmë edhe te Mark Marku, kur pohon se – françeskanët shqiptarë u tretën duke i shërbyer me pëvujtni besës e jetës shqiptare. Ndaj përpos që përmbushi detyrën e besës, Urdhëri Françeskan, ndër shqiptarë u rrit si një model kombëtar kulturor perëndimor e universal fetar. Autorët françeskanë e gjurmuan jetën e trashëgiminë shqiptare për të zbuluar vetitë etnike tejkohore. Ata zbuluan shqiptarin, ashpërsinë e ndjeshmërinë e tij, moralitetin, burrin e besës e hokatarin, gjaknxehtin e të drejtin. Mblodhën, studiuan e botuan trashëgiminë orale. Shkruan në modele popullore dhe në gjuhën e gjallë. Përkthyen e përshtatën në gjuhën shqipe vepra e kryevepra. Nxorën revistat e njohura letrare e kulturore… Dhanë autorin e shekullit, At Gjergj Fishtën, por edhe njeriun që dëshmoi për vuajtjen dhe egërsinë e ideologjisë e të diktaturës komuniste, At Zef Pllumin. Siç pohon Ernest Koliqi, me françeskanët, shqiptari zbulon vetveten.

Fishta shkroi temat e jetës shqiptare, të lavdit e të kritikës, e, sipas autorit Kujtim Shala, madje edhe të mallkimit, se shumë shqiptarëve u mungonte dashuria për Shqipërinë. Pikërisht në këtë brumë që përzihen vlerat dhe droja nga mungesa e tyre, Fishta insiston në zgjuarjen e kërshërisë shqiptare për njohjen e vetvetes.

Unë ruaj qëndrimin se pikërisht njohja e vetëvets, shikuar nga prizmi filozofik ishte synim parësor i Fishtës. Shqyrtimi i vetes, por edhe i të tjerëve dhe i Zotit (?), mbijetoi që nga Sokrati (pasus i huazuar nga Giovanni Realei titulluar – Sokrati Bindja dhe Nxitja. “Njihe vetveten” (gnothi sauton) – te Sokrati ka fituar formën e vërejtjes paradigmatike të natyrës plotësisht filozofike. Ky gjest duhet të ketë qenë i gdhendur në ballin e tempullit të gurit të Apolonit, në Delfe, mbi hyrje dhe pikërisht kjo ishte porosia simboliko-figurative e religjiozitetit apolonian… Mund të thuhet se të diturit, ku patjetër bën pjesë edhe Fishta, edhe përbri disa dallimeve, janë pajtuar me kuptimin e plotë të asaj porosie për vetë faktin se kanë hyrë në tempull që të krijojnë raportin me Apolonin dhe profetizmin e tij. Duke qenë i bindur se Fishta e njihte mirë krijimtarinë e lashtë greko – romake, maksima “njohja e vetvetes”, shndërrohet në maksimë jetësore të tij.

Në rastin që është objekt i këtij studimi, pra, ‘ne-ja – lexo: shqiptarët’, në një klimë që prodhoi tensione, konflikte dhe raporte që gjeneronin atmosferë të vazhdueshme destruksioni me të tjerët që na kishin shkelë në vatër, shikuar nga perspektiva historike, në vazhdimësi aplikuan strategjinë e mbrojtjes dhe të tërheqjes, meqë realisht ishim më të ‘vegjël’, më të pafuqishme, pra më të dobët, më të brishtë, më të lëndueshëm, dhe shumë më pak agresivë. Pra, “ne”-shqiptarët ishin larg cakut për të qenë “zoti i vetes”, edhe pse, siç, me të drejtë thotë Gani Bobi, ‘të qenit zoti i vetes”, nuk ishte privilegj i njeriut por para së gjithash obligim kryesor i tij. Nëse i referohemi kulturës antike, – Të bëhesh i zoti i vetes do të thoshte të jetosh në harmoni me vetën.1

Jo vetëm për ne, por për shumë popuj të vegjël, fuqizimi deri në masë që të bëhemi ‘i zoti i vetes’, ku jetohet në harmoni me vetën, ka mbetur synim dhe iluzion i përhershëm. Me fjalë të tjera, nuk është mbërri asnjëherë. Për këtë ishte shumë i vetëdijshëm Fishta. Çështja e harmonisë me vetën, është sintagmë që mund të diskutohet, meqë, sipas Cassirerit që veprën e Mark Aurelit, Ad se ipsum (Vetë me vetveten/Biseda me vetveten), e quan ‘prodhim i fundit fisnik’ të kulturës greke-romake, njëra nga çështjet që shtrohet si objekt shqyrtimi, në këtë që Gani Bobi, duke ju referuar këtyre kolosëve të mendimit njerëzor, e quan ‘gërshetë të kulturave antike greke e romake’, mbetet ëndërr jo vetëm e Fishtës.

Për të përmbyllur procedimet filozofike e sociologjike rreth “kujdesit për vete” duhet theksuar se kjo maksimë është produkt i “vetëkulturës”, siç thotë G. Bobi, e kuptimit më të gjerë dhe si e atillë nuk mund të studiohet vetëm nga formulimet teorike të saj…Fishta zbret në tokë dhe forcën e heronjtë por edhe dobësitë e personifikuara nëpërmjet personazheve në krijimtarinë e vetë i kërkon aty, ndër shqiptarë.

Pikërisht në këtë kontekst duhet kuptuar edhe qasja realiste e Fishtës, që nuk dehet nga forcat imagjinare dhe shpirtrat e glorifikuar të popullit të vet, por këtë nyje të çështjes së raportit me të tjerët mundohet ta zgjidhë duke shikuar realitetin në sy. Ai nuk heziton të flasë edhe për disa doza të apatisë së një pjese të popullit të vet, qasje kjo që është – jo vetëm realiste, por edhe e veçantë dhe shumë e guximshme për kohën. Fishta realitetin e shikon me dioptrinë e shkencëtarit, andaj dukuritë shoqërore i kupton brenda kontekstit historik, shoqëror, politik, kulturor dhe ekonomike, pra aty ku gërshetohen shumë faktorë, mirëpo, në instancën e fundit, gjithçka kuptohet shumë lehtë me premisa që, kryesisht dalin nga raporti i forcave.

Në këtë aspekt kemi mbërri te një fakt i pamohueshëm që është rregull, jo vetëm për ne,por për të gjithë të “vegjëlit” dhe të “brishtët”, se niveli i harmonisë me vetën mbërrihet – jo vetëm pas mbështetjes dhe fuqizimit nga të tjerët, por fillimisht nga rreshtimi ynë në frontin e mbrojtjes së vetvetes, pa hezituar të nxjerrim nga brenda forcën e ndrydhur, inferioritetin e imponuar nga shtypja shekullore, nga poshtërimet, nga frika, por shpeshherë edhe nga lakmia për të përfituar – pavarësisht çfarë arome kishte ai përfitim.

Pikërisht këtë e synon Fishta. Ai, kërkon fuqinë, vullnetin, dëshirën, gatishmërinë për flijim vetëm brenda popullit të vet. K. Shala me të drejtë pohon se në Lahutën e Malcisë, rrëfehet lufta për atdhe, kundër sllavëve, pra lufta për Shqipërinë. Për atdhe lufton atdhetari dhe atdhetar është vetëm ai që ka besë. Pra, jemi te paradigma Atme e Fe, në të cilën Atme-ja është një, ndërsa Fe-ja jo, meqë na del përpara OSOJA musliman që digjet për atdhe, Marash Uci apo Dedë Gjo Luli – shqiptarë të medhenj të krishterë, Patër Gjoni, prijës shpirtëror e atdhetar. Pra, Fishta në Lahutë njeh identitetet shqiptare, ndaj është një vepër e madhe shqiptare. Lahuta…e lidhur me jetën autentike shqiptare e shpirtërore, me palcin etnik, siç pohon Koliqi, me sprovat e me imagjinimet, me gjuhën e vendit i ka të gjitha shenjat e mëdha të Shkollës së françeskanëve shqiptarë.

Prandaj Fishta është Univers, e këtë e pohojnë shumë krijues vendorë e të huaj, bashkëkohanik e të mëvonshëm, prej të cilëve, për të mos provokuar edhe durimin tuaj, do të veçoj disa:

Lazër Shantoja, i shkruan letër Fishtës më 1931 për ta krahasuar me Gëten, që ishte poet i madh gjerman jo pse e shkroi Faustin, por pse shkroi bukur gjermanisht. Edhe ky, jo pse shkroi Lahutën e Malcis, po pse e shkroi bukur shqipen.

Ernest Koliqi, mbase njohësi më e thellë i Fishtës nga brezi i vet, përveç tjerash pohon se – vepra e Fishtës është përpjekja ma vigani çi shqiptari bani deri tash për tia zbulum vetvetes botën e vet.

Poeti i madh Lasgush Poradeci, Fishtën e quan shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar.

Albanologu i shquar Robert Elsi, e ka përkthyer dhe botuar në anglisht Lahutën e Malcis, të plotë. Ai pohon se prania dhe pranimi i kryeveprës Lahuta e Malcis të Gjergj Fishtës, në Kosovë ka një pamje të veçantë, qoftë si këndim popullor me lahutë, qoftë si shkrim/lexim letrar. Në deceniet e fundit kurorë e këtij receptimi janë monografitë e botuara në libra të veçantë. Këtu kisha shtuar se gjatë regjimit e diktaturës në Shqipëri, kur u ndaluan Fishta e shumë të tjerë, në Kosovë – jo shlirë, por paksa më lehtë ka qarkulluar dhe është lexuar e kënduar Fishta. Çfarë paradoksi e bizariteti!

Zef Skiroi i Riu, pohon se: Në historinë e letërsisë universale Fishta është, në rrjedhë të kohës, poeti i fundit që diti të shkruajë realitetin historik të ngjarjeve të ditës në dritën fantastike të mitit; në historinë e letërsisë kombëtare ai zë në poezi dhe në ndërgjegjësimin e të qenit shqiptar atë vend që zë Skënderbeu në historinë politike e ushtarake të Shqipërisë. Për hir të këtij bashkimi që është privilegj i gjenive, nuk mund të mohohet Fishta pa mohuar Shqipërinë.

Dhe, zonja e zotërinj, do të isha më i lumturi sikur këtë kumtesë timën ta përmbyllja këtu, për At Fishtën dhe bashkëmendimtarët e tij që bënë punë të pa lodhur, sakrificë, veprimtari patriotike, përfarim dhe mbyllje të përçarjeve ideologjike, për krijimin e një kombi – pavarësisht besimeve, afirmim të vlerave popullore, përpjekje për krijim të shtetit me shqiptarë brenda kufijve të tij etj. Mirëpo, fatkeqësisht nuk mund të neglizhohet dhe të shtiremi thua se nuk ka ndodhur asgjë me këto e shumë figura tjera të cilat – në vend se të shpërblehen dhe lartësohen, të hyjnë në planprogramet mësimore të gjeneratave, të dekorohen dhe të përjetësohen me shtatore e emra të institucioneve arsimore e kulturore, të rrugëve e të shesheve nëpër qendrat shqiptare, u anatemuan, u përndjekën, u poshtëruan, u ndaluan, u burgosën, u torturuan, u masakruan e u vranë, u shpallën tradhtarë të popullit. Po ta neglizhoja këtë vetëvrasje të pashoqe historike të një regjimi të bunkerëve e kazamateve, do të rrotullohej në varr jo vetëm At Zef Pllumi që ka rrnua me tregua, por edhe shumë e shumë të tjerë që e patën fatin edhe ma të keq sesa ai, meqë u zhdukën dhe disave prej tyre as sot nuk u dihet varri.

Dhe krejt në fund, më lejoni që nga ky tempull i Zotit dhe besimit, të shprehë nga zemra falënderimin për të gjithë juve, pra për komunitetin shqiptar që në vazhdimësi na keni bërë krenar neve që nuk jetojmë këtu. Pse po e them këtë? Sepse është një e vërtetë e madhe.

Fill pas luftës në Kosovë, në terminin më publik të RTK-së, në ora 8 të mbrëmjes, tanimë i ndjeri Shaqir Gashi, aktivist i dalluar dhe anëtar i Këshillit Qendror të Lobit Amerikano-Shqiptar, në një intervistë, pas insistimit të gazetarit që të veçojë një komunitet shqiptarë në Amerikë që dhanë kontributin më të madh për Kosovën, pa u hamendur fare, u shpreh – SHQIPTARËT E MALESISË SË MADHE, kuptohet krahasuar me numrin e tyre brenda strukturës së përgjithshme të shqiptarëve në Amerikë.

Ju faleminderit për durimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat