Parakalim dinjitoz i shqiptarëve në Paradën e Ditës së Falenderimeve në Philadelphia

Amerika

Parakalim dinjitoz i shqiptarëve në Paradën e Ditës së Falenderimeve në Philadelphia

Sadik Elshani Nga Sadik Elshani Më 22 nëntor 2021 Në ora: 14:12
Foto nga vendi i ngjarjes

Të shumta janë veprimtaritë që organizon shoqata “Bijtë e shqipes” për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Për shoqatën tonë nëntori gjithmonë është në marshim. Ka pesë vite që shoqatës sonë i është shtuar edhe një një veprimtari e rëndësishme që zhvillohet në Philadelphia dhe përkon bukur me festimet tona të festës sonë kombëtare: Është pjesëmarrja jonë në paradën “Holmsburg Mayfair Thanksgiving Parade”. Kjo paradë që nga viti 1976, viti i saj i themelimit, organizohet në Northeast Philadelphia (Filadelfia Verilindore) përghjatë Frankford Avenue.

Në këtë paradë parakalojnë grupe të ndryshme: politikanë vendorë e në nivel të qytetit e shtetit, organizata, shoqata, biznese vendore, grupe artistike, banda muzikore shkollore, etj. Këtë vit parada u zhvillua ditën e diel, më 21 nentor, një ditë me qiell të vrënjtur, por me kohë të butë – e përshtatshmë për të marshuar. Vitin e kaluar, për shkak të pandemise, kjo Paradë nuk u organizua, prandaj këtë vit të gjithë e kanë mirëpritur me shumë entuziazëm. Të dyja anët e rrugës nëpër të cilën zhvillohej Parada ishin mbushur me plot qytetarë të hareshëm, të cilët me fytyra të qeshura i përshëndesnin të gjithë pjesëmarrësit, vallëzonin nën ritmin e këngëve dhe valleve të grupeve, bandave muzikore pjesëmarrëse.

Kjo paradë për ne është një rast i mirë për t’u paraqitur para qytetarëve të Philadelphias, veshjet (kostumet) tona kombëtare nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, muzikën dhe vlerat tona kombëtare, për ta bërë të njohur shoqatën dhe bashkësinë (komunitetin) tonë që tani është bërë një pjesë e organizuar e jetës së qytetit të Philadelphias. Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, që drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ishin veshur me veshjet e bukura kombëtare dhe së bashku me prindërit e bashkëkombasit e shumtë marshonin të shoqëruar nga këngët e vallet shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive atdhetare, duke filluar nga Himni ynë Kombëtar që gjithmonë i prinë marshimit të grupit tonë.

Gati të gjithë pjesëtarët e grupit tonë mbanin në duar dhe valvisnin flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kënga dhe vallja shqiptare jehonte në të katër anët e kësaj pjese të qytetit, përcjellësit e shumtë të kësaj parade i pëlqenin shumë kostumet tona me ngjyra vezëlluese e të stolisura e të dizejnuara me plot shije. Ndërsa shumë prej tyre me gjeste me duar e me trup u bashkoheshin ritmeve plot dinamizëm të muzikës sonë. Në pikën e fundit ku mbaronte parada të gjitha grupet shfaqnin një program treminutësh, ndërsa grupi yne vallëzonte nën ritmin e këngës “Xhamadani vija – vija”. Konferencierët (paraqitësit) bën edhe një paraqitje të shkurtër për shoqatën tonë, me këtë rast ata theksuan edhe blerjen e godinës sonë të re që ka vlera historike për qytetin e Philadelphias dhe shtetin e Pennsylvanias, si godina më e vjetër shkollore në tëtë shtetin që ende qëndron në këmbë.

Paraqitja jonë edhe këtë vit ishte mjaft dinjitoze dhe e organizuar mirë dhe të gjithe mezi që po presim për paradën e ardhshme, sidomos fëmijët,  për të cilët kjo duhet të jetë një përvojë e mirë jetësore dhe atdhedashuri, krenarie kombëtare. Ditën e diel ne i zhvillojmë mësimet në shkollën tonë shqipe, por pjesëmarrja e nxënësve në këtë paradë ishte një mësim i mirë, atdhedashurie, historie, krenarie kombëtare.

Philadelphia, më 21 nëntor, 2021

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat