SHBA liron hakerin Ardit Ferizi që ia dha ISIS-it emrat e ushtarëve amerikanë

Amerika

SHBA liron hakerin Ardit Ferizi që ia dha ISIS-it emrat e ushtarëve amerikanë

Më: 8 prill 2022 Në ora: 11:43
Ardit Ferizi

Shqiptari nga Kosova Ardit Ferizi, që ishte dënuar me 20 vjet burgim me akuzën se si haker kompjuterik kishte ndihmuar Shtetin Islamik, është liruar me vendimin e një gjykate federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm 6 vjet pas dënimit.

Për më tepër, gjyqtarja Leonie Brinkema që e mori vendimin në fillim të prillit, e akuzoi Departamentin e Drejtësisë për montimin e akuzave kundër tij për ta mbajtur atë në burg, raporton Newsobserver.

Ferizi që u arrestua në Malajzi, është personi i parë i dënuar në SHBA si për hakerim kompjuterik si edhe i akuzuar për terrorizëm. Ai e pranoi fajin në vitin 2016 se kishte hakuar një kompani private dhe kishte nxjerrë emrat, fjalëkalimet e emailit dhe numrat e telefonit të rreth 1,300 personave me adresa qeveritare e ushtarake “.gov” dhe “.mil: dhe ia kishte dorëzuar të dhënat “Divizionit të Hakimit të Shtetit Islamik”. Shteti Islamik i publikoi emrat me një kërcënim për t’i sulmuar ata.

Në vitin 2020, në fazat më të hershme të pandemisë, Ferizi kërkoi lirimin për shkaqe shëndetësore, duke përmendur astmën dhe obezitetin e tij si rrezik më të madh për t’u prekur nga COVID-19. Brinkema fillimisht e refuzoi kërkesën e tij por Ferizi e rinovoi kërkesën kur pandemia u përhap në burg dhe Brinkema e liroi pavarësisht kundërshtimeve të prokurorëve.

Vendimi i Brinkema rezultoi me transferimin e Ferizit tek autoritetet e imigracionit për deportim. Megjithatë, para se ai të dëbohej, prokurorët federalë në Kaliforni ngritën akuza të reja kundër Ferizit. Kallëzimi penal e akuzoi atë për vjedhje identiteti dhe mashtrim duke u koordinuar me një anëtar të familjes për të ruajtur aksesin në llogaritë e emailit që përfshinin sasi të mëdha të dhënash të vjedhura.

Avokatët e Ferizit parashtruan shkarkimin e akuzave të reja, duke akuzuar Departamentin e Drejtësisë për ndjekje hakmarrëse sepse agjentët ishin të mërzitur nga lirimi i parakohshëm i Ferizit. Më 22 mars, pak para se të caktohej seanca gjyqësore në Kaliforni për të shqyrtuar akuzën e ndjekjes hakmarrëse, akuzat e reja kundër Ferizit u hoqën të gjitha. Në urdhrin e saj të 1 prillit, Brinkema tha se prokurorët në Kaliforni e ndërtuan çështjen e tyre mbi informacionin e një shoku të burgosur të Ferizit me një histori të pabesueshmërisë.

Ajo tha se rrethanat e çështjes e çuan atë në përfundimin se “kishte elementë brenda Departamentit të Drejtësisë që ishin aq të pakënaqur me vendimin e kësaj gjykate për lirimin e të pandehurit, sa që qëllimisht u përpoqën t’u shmangeshin këtyre vendimeve duke ngritur akuza të reja shumë të dobëta, kundër të pandehurit.”

Prokurorët kanë argumentuar se, tani që pandemia është qetësuar, arsyetimi për lirim “shëndetësor” nuk ekziston më. Megjithatë, Brinkema tha se “do të krijonte një precedent të tmerrshëm për të anuluar vendimin për lirimin e një të pandehuri bazuar në një ndryshim të rrethanave të shkaktuar nga manipulimi i qeverisë me sistemin e drejtësisë penale”.

Prokurorët, të cilët paraqitën një ankesë në Gjykatën e 4-të të Apelit të Rrethit të SHBA-së në Richmond herën e parë që Brinkema urdhëroi lirimin e Ferizit, nuk kanë treguar ende nëse planifikojnë të apelojnë urdhrin e saj më të fundit. Ferizi ishte në mesin e një numri relativisht të vogël të të burgosurve që kërkuan me sukses lirimin e parakohshëm nga burgu nën këtë pandemi. Sipas Komisionit të Dënimeve të SHBA-së, më shumë se 12,000 të burgosur paraqitën mocione për lirim të dhembshur në vitin 2020 për shkak të pandemisë. Rreth 21% e këtyre kërkesave – pak më shumë se 2,500 të burgosurë – u pranuan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat