Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane - At Gjergj Fishta, njëri prej protagonistëve kryesorë i këtyre marrëdhënieve

Amerika

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane - At Gjergj Fishta, njëri prej protagonistëve kryesorë i këtyre marrëdhënieve

Nga: Frank Shkreli Më: 13 prill 2022 Në ora: 07:11
Frank Shkreli dhe At Gjergj Fishta

Viti 2021 shënoi 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, më 15 mars, 1991 – pas një ndërprerjeje prej gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës -- dhe rihapjes së ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zyrtarisht, më, 1 Tetor, 1991. Ndërsa ky vit shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara me 28 Korrik, 1922.

Këto data më sollën në kujtesë një artikull që kam shkruar kohë më parë mbi vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara e që ndoshta ia vlen të përmendet dhe të ribotohet, në lidhje me këtë përvjetor të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për të kujtuar rolin që ka luajtur At Gjergj Fishta, si njëri prej arkitektëve kryesorë në zanafillën e këtyre marrëdhënieve, në fillim të shekullit të kaluar. E shoh të arsyeshme të kujtoj vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1922, si dhe veprimtarinë e tij lobuese me atë rast, në mbështetje të interesave të shqiptarëve, për të cilat pak njerëz janë të informuar dhe më pak dëshirojnë të flasin e të shkruajnë për të sot, përfshirë lobimin që At Gjergj Fishta ka zhvilluar gjatë vizitës së tij të parë në Washington, në takime me zyrtarët të lartë amerikanë -- në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Këto shënime janë bazuar pothuaj, kryesisht, në disa të dhëna dhe korrespondenca nxjerrë nga libri i vjetër përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës, më 30-dhjetor, 1940. Nga këto të dhëna del se historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, e ka fillimin shumë më heret se këto tre dekada të fundit, megjithëse protagonistët aktualë të këtyre marrëdhënieve do të donin të na bindnin sot, se historia e këtyre marrëdhënieve ka filluar me ta, e ndoshta po mos të jemi të kujdesshëm, edhe mund të mbarojë me ta.

Image
Libri përkujtimor ku përfshihen të dhënat për vizitën e Fishtës në Amerikë

Komuniteti shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë të kohës së Faik Konicës dhe Fan Nolit. Veprimtaritë, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, e që në fjalorin e sotëm politik njihen si “veprimtari lobingu”, për shqiptarët e Amerikës kanë filluar me takimin e Fan Nolit me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, kur ish-Presidenti Wilson, sipas Nolit, i kishte premtuar se, “një zë do të ketë në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”. Shumë është shkruar për këtë takim si dhe për veprimtaritë lobiste të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë pothuaj 50-viteve të fundit, në mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, kudo.

falë urrejtjes, shpalljes së tij si armik e tradhëtar i popullit, harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit dhe veprës së At Gjergj Fishtës, për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist sllavo-aziatik, por edhe në 30-vjetët e regjimeve post-komuniste, përfshirë median dhe historiografinë shqiptare aktuale, të influencuara nga komunizmi vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë në fillim të shekullit të kaluar nuk përmendet fare. Pak, ose aspak njerëz mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fusha të ndryshme, si në letërsi, gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, përfshirë atë ndërkombëtare, At Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në atë që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave kombëtare. Këtë ai e ka bërë vazhdimisht në konferenca dhe takime ndërkombëtare të nivelit të lartë. Është i njohur fjalimi i tij, “Të Drejtat e Shqiptarëve” në Konferencën e Paqës në Paris, 1919. Veçanërisht, njihet shumë pak roli që ka luajtur Gjergj Fishta për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe në vendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve tona më 1922.

Image
At Gjergj Fishta dhe Konferenca e Paqës: fjalimi monumental në historinë e Kombit Shqiptar, 20 Qershor 1919.

Përpjekjet lobiste të Fishtës në Amerikë janë shënuar në disa të dhëna dhe korrespondenca, përfshirë librin përkujtimor, të lartpërmendur, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës, me 30-dhjetor, 1940. Bazuar në korrespondencën e pasqyruar në atë botim të veçantë përkujtimor – midis Fishtës, At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj – Gjergj Fishta njoftonte Kuvendin françeskan në Shqipëri për mbërritjen e tij në Amerikë, duke shkruar se: “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”.

Nga të dhënat që paraqiten në këtë libër, del se vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva: Një, që të “kujdesej për interesat e Shqipënisë”, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris. Objektivi i dytë ishte që Fishta, të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë. I rëndësishëm është fakti se nga korrespondenca e Poetit Kombëtar që ai ka shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të Urdhërit Françeskan në Atdhe, pas takimeve me përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan si, Faik Konica -- gjatë asaj vizite -- mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë lobiste të At Gjergj Fishtës në Washington. (I vetëdijshëm për rëndësinë historike të këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e letrave të Fishtës që dërgonte nga Amerika më 1922 do t’u interesojë, eventualisht, studiuesve të historisë, megjithëse deri më sot nuk duket që ky dokumentacion të ketë tërhequr vëmendjen as interesimin e historiografisë zyrtare pseudo-komuniste, që gjithnjë dominon interpretimin e historisë së Kombit shqiptar.

Sidoqoftë, le t’i kthehemi disa prej komunikimeve midis Fishtës në Amerikë dhe Kuvendit Françeskan në Shkodër, të cilat pasqyrojnë veprimtarinë lobiste të Fishtës në Washington për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Washingtoni.

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor, “At Gjergj Fishta, 1871-1940”, se në një letër të datës 8 Maj, 1922, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara si dhe për takimet që ai kishte zhvilluar me senatorë katolikë amerikanë, ndërmjetësuar me ndihmën e françeskanit të njohur amerikan të asaj kohe, Godfried Shilling, i cili në atë kohë gëzonte influencë të madhe në qarqet politike dhe diplomatike të Washingtonit, sipas të dhënave në këtë libër:

Image
Logoja kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij, për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës. “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore, – shënim i autorit), “…i cili më tha se njohja e Shqypnisë, asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nënsekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës.” Në faqen tjetër të letrës, sipas At Palë Dodaj, Fishta ishte shprehur se: “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë, të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare, ata të cilët me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal Dodajt në Shkodër. Data e njohjes zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington si dhe me përmbajtjen e letrave të tija, cituar më lartë”. Albania – Countries – Office of the Historian” (state.gov)

Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit, me anë të një telegrami, që mban datën 25 Korrik, 1922, Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, se në datën 28 Korrik, 1922, ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, njoftimin me shkrim për njohjen ‘de jure’ të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara”, gjë që përkon me vizitën e Fishtës në Washington. Mbështetur në Zyrën e Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqësuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith, i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, theksohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).

Thonë se njerëzit e mëdhenj të një Kombi, siç është Fishta, vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur ende, zyrtarisht, me At Gjergj Fishtën, ndonëse edhe sot pas 30-vjet “post-komunizëm”, Poeti i Kombit dhe Mbrojtësi më i vendosur i të drejtave, vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, sot e kësaj dite është i stigmatizuar si “tradhëtar”, gati, gati si një person i padëshiruar në Shqipëri: person ‘non grata’, në vendin e vet, Atdheun, për të cilin punoi e veproi aq shumë.

Unë e kam, gjithnjë, shumë të vështirë të konstatoj se ku e ka hallin Tirana zyrtare me At Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tij përjetësoi çdo gjë të mirë, me të cilat mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj. Qoftë veprimtaria e tij shumë dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në përgjithësi, qoftë kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të shekullit të kaluar, në veçanti. Unë ende nuk e kuptoj se pse sot, gjoja në demokraci, gjithnjë, “At Gjergj Fishta sakrifikohet, pikërisht, si përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”, siç është shprehur me një rast, i ndjeri Profesor Arshi Pipa.

At Gjergj Fishta, ndoshta mbrojtësi më i vendosur, historikisht, i interesave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, i këtij populli, të drejtat e të cilit i mbrojti si askush tjetër në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, meriton që të pakën të përmendet – në mos tjetër, si në kalim, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, për rolin e tij, deri tani jo aq të njohur. Megjithëse mund të jetë naivitet nga ana ime që pres që emri i Fishtës të përmendej në këtë 100-vjetor në Tiranë dhe në Washington, kur të merret parasyshë stigmatizimi i Fishtës nga ish-regjimi i Enver Hoxhës. Pasi, zyrtarisht, kemi të bëjmë ende me një At Gjergj Fishtë, i cili për pothuaj një shekull, i shpallur “armik i popullit” dhe “reaksionar” nga ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës, vazhdon ende të trajtohet si persona ‘non grata’ në vendin e vet edhe nga regjimet pseudo-demokratike, të të ashtuquajturit tranzicion “post-komunist”, i tre dekadave të kaluara në Shqipëri.

Kemi arritur në një moment në histori pas kaq vitesh, kur detyrohemi të themi me keqardhje të madhe, se me ketë klasë politike e kemi humbur shpresën se shqiptarët si komb, madje edhe 30 e sa vjet pas komunizmit, do të jenë të lirë, të sinqertë dhe të ndershëm me vetveten që të vlerësojnë, më në fund, ashtu siç meritojnë, njerëzit e mëdhenj të Kombit si, At Gjergj Fishta -- për meritat historike që ata kanë në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Me këtë nivel kulture bolshevike nuk mund të pretendohet se kjo klasë politike ndanë vlerat me botën perëndimore, në përgjithësi, e me Amerikën, në veçanti. Vlerat e vërteta perëndimore janë vlerat e At Gjergj Fishtës! Fatkeqësisht për Kombin Shqiptar, po shihet tani se me anashkalimin e vlerave dhe meritave të Fishtës, kjo klasë politike po tregon edhe njëherë se i ka rrënjët thellë – jo në vlerat e botës perëndimore -- por në trashëgiminë e Enver Hoxhës, trashëgimi kjo nga e cila duket se e ka, pothuaj, të pamundur distancimin prej saj.

Vlerat perëndimore janë vlerat e At Gjergj Fishtës! Ato janë të një përfaqsuesi madhor të vlerave kombëtare dhe perëndimore, të një shqiptari të madh pro-perëndimor si Fishta. Ato vlera duhet të kujtohen gjithmonë me mirënjohje për kontributin e tij, por sidomos, edhe në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, si njërit prej arkitektëve kryesorë të këtyre marrëdhënieve.

(Ribotim i përditësuar)

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991.

Image
Flamuri i Kosovë dhe SHBA -ve

Disa nga figurat e diplomacisë amerikane në kohën kur At Gjergj Fishta ka vizituar Amerikën në vitin 1922.

Image
Charles Evans Hughes, Sekretari Amerikan i Shtetit (1921-1925)
Image
Senatori Republikan, Henry Cabot Lodge, Kryetar i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, kur Fishta vizitoi Washingtonin.
Image
Ministri (Ambasadori) i parë amerikan në Tiranë: 4 Dhjetor 1922 – 8 Shkurt 1925
Image
Françeskani amerikan Godfried Shilling mik i ngushtë i politikanëve amerikanë të kohës, me të cilin u takua At Gjergj Fishta në Washington, 1922
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat