Nju Jork: “Dita e Lirisë Shqiptare” përkujtohet 30 vjetori i vdekjes së Nik Mrnaçajt

Amerika

Nju Jork: “Dita e Lirisë Shqiptare” përkujtohet 30 vjetori i vdekjes së Nik Mrnaçajt

Nga: Beqir SINA, New York Më: 27 prill 2022 Në ora: 22:05
“Dita e Lirisë Shqiptare” përkujtohet 30 vjetori i vdekjes së Nik Mrnaçajt

Kensico Dam - Valhalla, Westcheter NY: Në Shqipëri, një ndër vendet më të egra të regjimeve komuniste në Europën Jug-Lindore, kurrsesi, edhe sot, 30 vjet mbas rënies së komunizmit, nuk kanë kurajën as moralin që t'i dënojnë krimet e komunizmit, kryer për gjysmë shekulli diktature ose t'u kërkojnë falje viktimave.

Dhe, as që t'i kujtojnë ata ndonjëherë qoftë kjo me ndonjë përkujtimore, si kjo që zhvillohet për çdo vjet në New York, ose si ajo që mbahet në Uashington në çdo qershor te - “Memoriali Viktimat e Komunizmit”.

Këtu në SHBA, në Nju Jork, është kantoni i Uestçeterit (Westchester County), që kanë zyrtarisht një ditë në Prill, dhe që është shpallur me Proklamat si “Dita e Lirisë Shqiptare”.

Ditë, kjo që ka një simbol, atë të anti komunistit shqiptaro - amerikan Nik Mrenaçajn, duke e quajtur ate dhe "Heroi shqiptar, që vdiq për lirinë e vendit te tij te lindjes".

Veprimtaria përkujtimore dedikuar "Ditës së lirisë shqiptare -Nik Mrenaçaj,” kulmon me ngritjen në shtizën e parkut Kensico Dam - Valhalla, Westcheter NY, të flamurit shqiptar përkrah flamurit amerikan, ndërsa kantoni jep një Proklamatë Familjes Mrnaçaj, për çdo vjet.

Kurse, anëtar të Familjes Mrnaçaj, bashkëkombësit e tij , veprimtar e lider të komunitetit, klerikët, atdhetarët, patriotët, demokratët, miq shok, me fjalime dhe pjesëmarrje, e kujtojnë këtë ditë, për çdo vjet me krenari, duke e nderuar atë si : “Dëshmori i parë i Mërgatës shqiptare në luftë kundra komunizmit”, i cili humbi jetën 30 vjet më parë nga një aksident automobilistik (22 Janar 1990), në moshën 31 vjeçare.

Kjo përkujtimore mbahet në të njëjtin park, dhe, shumë afër me “Memorialin e Lirisë” së Westcheter County, kushtuar 109 të rënëve të 11 shtator 2001.

Veprimtaria përkujtimore e zhvilluar për çdo vit, shoqërohet me fjalime nga personalite të komunitetit, të cilët nëpërmjet fjalimeve, gjejnë rást të përmendin edhe gjithë atë veprimtarin e shqiptareve te Amerikës, në rrugën e tyre për liri e demokraci.

Ku, përveç theksimit të përpjekjeve të, të gjithë atyre qe e luftuan dhe i rezistuan komunizmit, në diasporë, aktiviteti “Dita e Lirisë Shqiptare” - Nik Mrnaçaj - Dëshmori i parë i Mërgatës shqiptare në luftë kundër komunizmit, përcjell ndër vite edhe një mesazh të fuqishme historik, sidomos tek të rinjët e të rejat, dhe te të pranishmit, duke lënë një mësim për brezat e ardhshëm: "Qe pa kujtuar të kaluarën - nuk mund të shkojmë përpara."

Lee Edwards, kryetari i Fondacionit të Memorialit të Viktimave te Komunizmit, ka thënë se : "Mendoj se kjo është shume e rëndësishme pasi ajo që nuk kujtohet harrohet dhe ajo qe harrohet tolerohet. Por mendoj se me e rëndësishme, përveç kujtimit te se kaluarës është e ardhmja. Është mirë të ketë monumente, është mire kujtimi, por duhet të mësojmë nga e kaluara. Ne se nuk mësojmë, atëherë historia mund të përsëritet".

“Dita e Lirisë Shqiptare” përkujtohet 30 vjetori i vdekjes së Nik Mrnaçajt:

Ceremoni përkujtimore u hap me këndimin e himneve kombëtare të dy shteteve tona, SHBA-së në fillim, dhe më pasë ai i Shqipërisë - këndimin e himneve kombëtare të Amerikës nga Mikele Nonaj, dhe Shqipërisë nga Ylli Sufaj.

Ndërsa, me një minutë heshtje, të pranishmit i kanë dhënë një respekt të veçantë të gjithë të rënëve për liri e demokraci, dhe me këtë rast edhe një respekt për humbjen e jetës së Nick Mrnaçaj.

Diakon Marash Shkreli bekoi këtë ceremoni përkujtimore, dhe u lut për shpirtin e Nik Marash Mrnaçaj duke apeluar për paqe, lutje e shpresë në zemrat e të gjithë të pranishmëve.

Përgjatë fjalimit të Diakon Shkrelit u vlerësua dhe u përkujtua jeta dhe vepra e Marash Mrnaçaj si patriot, antikomunist dhe veprimtar i çështjes kombëtare.

Veprimtaria përkujtimore u pasua kënga kushtuar Nik Mrnaçajt kënduar nga Ylli Sufaj e Luigj Tinaj.

Drejtuesit e kësaj veprimtarie përkujtimore, Sokol Smajlaj dhe Valbona Prelvukaj, në fjalën e hapjes, thanë se “Këtë ditë do të përpiqemi t’a kthejmë në një ditë të vërtetë, nderimi e përkujtimi. Duke shtuar se “Jemi mbledhur edhe sot në shenj të nderimit në ditën tradicionale të përkujtimit; të nji Kelmendasi, të nji malësori, në pranverën e këtij viti, që është 30 vjetori, që dha jetën në aksident, në lule të rinisë, Nikë Marash Mrnaçaj, dëshmori i demokracisë”.

Ndërsa, duke përkujtuar këtë akt heroik të vdekjes së birit të Kelmendit, në Amerikë, drejtuesit e këtij manifestimi mes të tjerave, ata thanë se: ”Sa herë të vijë Pranvera, më këtë datë, ne së bashku do të mblidhemi, për të nderuar e respektuar këto vlera. Të djelmoshit Kelmendas rritur në mërgim, Nikë Marash Mernaçaj, i cili vdiq me shpirt e përkushtim! Me vendosmëri, kurajo e besim, për të ardhmen Shqiptare me shumë guxim! Për vlerat njerëzore, për demokracinë, për të vërtetën! Aushtu si ishte i vendosur, e i pa kursyem, deri sa dha jetën Nick Marash Mrnaçaj”.

Por, kujtuan ata se sot mungon ai që është “shtylla” e shtëpisë , Marash Mrnaçaj, i cili u nda nga jeta tri vjet më parë.

Veprimtaria e përkujtimit mbahet nën kujdesin e Familjes Mrnaçaj dhe Counti Ekzecutive Westchester zyrtarisht duke shënuar “Ditën e Lirisë Shqiptare”, dhe vitet e fundit Shoqëria Kulturore Kelmendi me moderimin e saj e ka kthyer në një aktivitet patriotik, social, kulturor e përkujtimor, që i kushtohet, simbolit të demonstratave antikomuniste Nik Marash Mrnaçaj e familjes Mrnaçaj, bashkëvendësit të tyre, birit të Kelmendit.

Kjo ditë simbolike, nëpërmjet fjalimeve, solli në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës edhe një herë qëndresën e nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për persekutimin që ushtronte shteti komunist shqiptar ndaj familjeve nacionaliste shqiptare.

Në përshëndetjen e kësaj veprimtarie, Mark Gjonaj ish këshilltari I bashkisë së qytetit të New Yorkut, mbasi I vlerësoi sakrificat e Nik Mrnaçajt dhe familjes si antikomuniste, tha se: “Nik Mrnaçaj simbolizon shqiptarin e fortë, shqiptarin e mirë, idealet e tij, luftën për popullin e tij, për idealet e lirisë së popullit shqiptar”.

Tubimi përkujtimor vazhdoi me çaste muzikore “Flamuri kuq e zi” kushtuar madhështisë së simbolit kombëtar nga Mikela Nonaj.

Gjekë Gjonlekaj - ish gazetar i Zërit të Amerikës, në fjalën e tij vlerësojë nëpërmjet kujtimeve të tij, Mrnaçajt të cilët tha ai “janë një familje e madhe dhe e nderuar si qendra e shqiptarëve antikomunistë të New York-ut. Nik Mrnaçajn tha ai u shqua gjithmonë në ato vite, kur ra Muri i Berlinit, për zellin dhe fuqinë e tij në demonstratat antikomuniste në Amerikë".

Gjonlekaj, më pas tha se e njihte mirë këtë familje, ndërsa kujtojë Mrije Mrnaçaj të zonjën e shtëpisë , e cila tha ai “është dalluar në kujtesën time, per atë gatishmërinë për të pritur e respektuar në shtëpinë e saj, si malësore, miqtë e dashamirët, veprimtar të dalluar të komunitetit, antikomunistët e protestues për liri e demokraci që shoqëronin Nik Mrnaçaj e familjen e tyre në çdo demonstratë anti komuniste.”

Ndër të tjera, Gjonlekaj, kujtoi dhe persekutimin e Nikoll Mrnaçaj në Shqipëri, dhe kërkoi nga të pranishmit, që të vazhdohet kjo traditë e të përkujtohet ky njeri antikomunist dhe idealist, ashtu si kujtojmë për çdo vjet në Yonkers New York, tre vëllezërit dëshmorë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës

Të pranishmit i përshëndeti me një pikë muzikore këngëtari Bashkim Vushaj më këngën: “Shqipëri o nëna ime”.

Kurse ai që mund të quhet edhe fjalimi kryesorë i kësaj veprimtarie përkujtimore në 30 vjetorin e përkujtimit të Nik Mrnaçaj - simbolit të shqiptarit të guximshëm, shqiptarin e mirë, idealet e tij, luftën për popullin e tij, për idealet e lirisë së popullit shqiptar” e mbajti - Ish Drejtori i Divizionit Europian Frank Shkreli - i cili ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip.

Frank Shkreli theksoi ndër të tjera se: Dita shqiptare e lirisë, vuajtja e familjes, persekutimi, është pikërisht ajo qëndresa titanike e shqiptarëve kundër komunizmit. Ai vlerësoi përpjekjen e nacionalistëve shqiptarë në luftën kundër komunizmit në Shqipëri, Kosovë, dhe, në diasporës.

Mëtej z.Shkreli edhe një herë si në shumë shkrime të tij sërish apeloi mbi nevojën e shkëputjes urgjente nga mendësia komuniste dhe nostalgjikët komunistë, “nevojitet përballje me të kaluarën komuniste, dhe politika amerikane duhet të dënojë krimet e komunizmit, lufta kundër komunizmit është luftë e kujtesës kundër harresës” tha ndër të tjera Fran Shkreli, ish Drejtori i Divizionit Europian Frank Shkreli - i cili ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip.

Fjalën e plotë të Frank Shkrelit mundet ta lexoni të plotë në linkun e gazetës “Bota sot” online - https://www.botasot.info/amerika-diaspora/1802637/dita-shqiptare-e-lirise-ne-uestcester-te-nju-jorkut-dhe-krimet-e-komunizmit-ne-shqiperi/

Mbas çdo fjalimi veprimtaria u shoqërua me një pikë artistike : një melodi instrumentale me fyell nga Gjeto Tinaj, me çifteli Luigj Tinaj dhe Alfons Rexhaj, u pasua kënga e Lisa Bujaj “o Kelmendi më i bukuri vënd”. Programi artistik vazhdoi me këngë për Prek Calin kenduar nga Samuel Pllumaj, “Conju more cika” nga Mikela Nonaj, “O Kelmend i madhi emer” nga Klement Bujaj, “A t’kujtohet moj syzeze” nga Luigj Tinaj, Bashkim Vushaj dhe Ylli Sufaj .

I ftuar nderi e kësaj veprimtarie në komunitet ishte dhe themeluesi i “Fundjava Ndryshe” Arbër Hajdari i cili në fjalën e tij përkujtimore u shpreh se Nik Mrnaçaj u sakrifikua për liri, rënia e komunizmit dhe liria e Kosovës është dhe produkt i punës së shqiptarëve të Amerikës.

Vedat Gashi kandidatë zyrtar për kongresist nga kjo zonë, dërgoi Proklamatë në vlerësimin që i bëhej familjes Mrnaçaj në shenjë respekti e nderimi për kontributin e dhënë në luftën kundër komunizmit.

Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, iu drejtua të pranishmëve duke thënë se familja e madhe Mrnaçajt - ka dhënë ndihmë të spikatur për kombin në luftën kundër komunizmit. Sot është ditë për të respektuar dhe nderuar heroin e demokracisë shqiptare Nik Mrnaçaj. Ai ishte veprimtar i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë, antikomunist, atdhetar, aktivist që i kushtoi ditët më më të bukura të jetës së tij çështjes kombëtare. Familja Mrnaçaj meriton respekt dhe nderim të veçantë prej shqiptareve të Amerikës si familje që frymëzoi shqiptarët në luftë kundër komunizmit. Vepra dhe puna e Nik Mrnaçaj për çështjen kombëtare do të jetë një frymëzim për brezat që vijnë, tha në fjalën e tij z.Elmi Berisha.

Editori i Diellit Sokol Paja deklaroi se “Dita e lirisë” është një ditë homazhi e nderimi për përpjekjen e antikomunistëve shqiptarëve për liri dhe demokraci.

Marije Nonaj, kushërira e Nik Mrnaçaj emocionoi dhe përloti të pranishmit me një poezi për kushëririn e saj në emrin e familjes dhe familjarëve për dhimbjen e largimit dhe mallin që ndjejnë për kushëririn e larguar fizikisht por kurrë shpirtërisht.

I fundit që mori fjalën ishte djali i Nik Mrnaçaj, Majkëll Mrnaçaj i cili falënderoi pjesëmarrësit për nderimin e babait dhe gjyshit të tij Nik e Marash Mrnaçaj. Majkëll Mrnaçaj theksoi forcën dhe fuqinë mendore fizike e shpirtërore të Marash Mrnaçaj në luftën kundër komunizmit dhe dhimbjen e rritjes pa babën e tij të dashur.

Pas përfundimit të fjalimeve, pjesëmarrësit u zhvendosën në Sheshin Qendror në Kensico Dam Plaza – në Westchester ku u bë ngritja e flamurit tonë kombëtar duke shënuar një ditë të paharruar respekti, nderimi, lavdie e krenarie kombëtare.

Televizionit Kultura Shqiptare me themelues e drejtor Adem Belliu, i cili prej 25 vitesh i është gjendur pranë me gazetarët e kamerat e televizionit të tij, çdo ngjarje të komunitetit në mbulimin e tyre, ka ndjekur për 25 vjet edhe këtë aktivitet të familjen Mrnaçaj, me një pjesë të së cilës në kampin e internimit në Savër -Lushnje, ai ka jetuar me ta, ka përgatitur dokumentarin e 30 vjetorit, që do të transmetohet i plotë në kanalin 26 të platformës Tv Alb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat