25 vjet pa Shën Nënë Terezën: Seminar në New York kushtuar bijës së madhe të kombit shqiptar

Amerika

25 vjet pa Shën Nënë Terezën: Seminar në New York kushtuar bijës së madhe të kombit shqiptar

Nga: Ruben Avxhiu Më: 10 maj 2022 Në ora: 19:35
Don Lush Gjergji paraqet librin e tij të 17 kushtuar Shën Nënë Terezës, “E kam në zemër popullin tem shqiptar (Bisedime me Shën Nënë Terezën)”, në gjuhën angleze

Mes ligjëruesve, i ftuar nga Kosova, Don Lush Gjergji prezanton librin e tij më të fundit kushtuar shenjtores shqiptare, botuar në anglisht me bashkëpunim të revistës “Drita” në Prishtinë dhe gazetës “Illyria”, në New York.

Mes ligjëruesve, i ftuar nga Kosova, Don Lush Gjergji prezanton librin e tij më të fundit kushtuar shenjtores shqiptare, botuar në anglisht me bashkëpunim të revistës “Drita” në Prishtinë dhe gazetës “Illyria”, në New York

Gati një çerek-shekulli ka kaluar që kur Shën Nënë Tereza nuk jeton më mes nesh, por kujtimi i saj dhe trashëgimia morale, mbeten më të gjalla se kurrë edhe mes shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara.

Një seminar për figurën e saj organizua në 3 maj 2020, nga Federata PanShqiptare, Vatra, gazeta shqipgtaro-amerikane “Illyria” si dhe Qendra “Nënë Tereza” e Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York.

I ftuari i nderit në këtë seminar ishte kleriku i njohur nga Kosova, studiuesi dhe biografi i Shën Nënë Terezës, Don Lush Gjergji që ndodhet në SHBA për të prezantuar librin e tij më të fundit kushtuar shenjtores shqiptare. Don Lush Gjergji ishte fillimisht në Michigan, që aty udhëtoi për në New York e pastaj në kryeqytetin amerikan në Washington DC.

Seminarin e hapi dhe e drejtoi me profesionalizmin që e karakterizon Dr. Pashko Camaj. Ai ishte edhe njeriu i duhur duke qenë njëkohësisht anëtar i Këshillit të Kishës, i Fedetarës Vatra dhe bashkëpunëtor e kontribues i gazetës “Illyria”, tre forcat motivuese të këtij seminari.

Ai foli për rëndësinë simbolike të Shën Terezës për kombin shqiptar dhe ndonëse kishte shumë për të thënë për shenjtoren shqiptare tha me modesti se do t’ua linte panelistëve të seminarit që ta shpalosnin më mirë figurën e saj.

Përpara se të fillonin ata, Dr. Pashko Camaj ia dha fjalën famullitarit të Kishës Zoja e Shkodrës, që për gati tre dekada udhëheq këtë kishë e komunitet të rëndësishëm të shqiptarëve të Amerikës, Dom Peter Popaj.“Nuk dua ta mbaj për vete por dua ta ndaj me bashkatdhetarët e mi”

Më tej Dr. Camaj i prezantoi me radhë ligjëruesit përpara se të merrnin fjalën. E nisi nga biografi më  i shquar i Shën Nënë Terezës, shqiptari që e ka takuar më shpesh e që ka folur më gjatë me të, autori i një serie të gjatë librash kushtuar murgeshës së famshme, kleriku i shquar nga Kosova, Don Lush Gjergji.

Përpara se të fillonte kumtesën e tij, Don Lush Gjergji i prezantoi pjesëmarrësit me librin e tij të 17 kushtuar Shën Nënë Terezës, vëllimin në gjuhën angleze me titull: “E kam në zemër popullin tem shqiptar (Bisedime me Shën Nënë Terezën)”.

Don Lush Gjergji tha se libri përfshin shtatë intervista ekskluzive, si dhe përshkruhen pesë vizita të Nënë Terezës në Kosovë dhe Maqedoni. “Gjithshka që kam parë me sytë e mi, që kam dëgjuar me vëshët e mi dhe që kam ndjerë me zemrën time, nuk dua ta mbaj për vete por dua ta ndaj me bashkatdhetarët e mi. Pastaj e kanë botuar italianët katër herë”, tha ai.

Por libri që po mbaj në dorë”, tha Don Lush Gjergji “është i pari që botohet në anglisht. Në anglisht po del nga gazeta Illyria dhe revista Drita. Kjo kopje është nga botimi që ka dalë në Prishtinë, nga Drita”. Ai pastaj ia dhuroi librin “mikut dhe vëllait” Dom Pjetër Popajt, mes duartrokitjeve të shumta.

Dom Pjetri i ftoi të gjithë pjesëmarrësit që ta blejnë atë libër e të mësojnë për lidhjen e jashtëzakonshme të saj me shqiptarët.

Ligjërata e Don Lush Gjergjit i kushtoi një shenjti tjetër të lidhur me historinë tonë. Shën Jeronimi, ilir, përkthyes i biblës dhe figurë e shquar e historisë. Ai ka botuar një libër për Shën Jeronimin me rastin e 1600 vjetorit të vdekjes së tij. Ky përvjetor është kujtuar e nderuar në mbarë botën, por jo në dy shtetet tona shqiptare që nuk bënë asgjë e humbën një rast të mirë.

Shën Jeronimi ia dha botës biblën, sepse ai e përktheu për herë të parë nga gjuha greke dhe hebreje, duke bërë që të përhapet në gjithë botën.

 Ai e paraqiti Shën Jeronimin si paraardhësi i drejtpërdrejtë i Nënë Terezës, ashtu si jemi ne pasardhës të ilirëve. Lashtësia e kombit tonë nderohet duke i kujtuar e mësuar figura të tilla. Don Lush Gjergji edhe për Skënderbeun, statuja e të cilit po vendosej në kompleksin e Kishës Zoja e Shkodrës, se e quante vetën “Mbret të Arbërit” dhe jo të “Shqipërisë”. Ai këshilloi që të mos i injoronin e harronin këto hallka të historisë që na lidhin me rrënjët tona të lashta.

Don Lush Gjergji foli për Shën Jeronimin si një ndër kolosët e mëdhenj fetar, shpirtëror, kulturor, biblik, patristik, që e pranojnë dhe nderojnë jo vetëm të gjithë të krishterët, por mbarë njerëzimi, si  shenjt dhe dijetar të madh,  një ndër doktorët dhe etërit e Kishës më të spikatur të kohës së tij, “egregius doctor Ecclesiae”  – doktor i shkëlqyeshëm i Kishës, së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430). “Njeri i dijes dhe kulturës, por edhe i studimit, uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike, duke luftuar kundër mëkatit, veseve, epsheve, pothuaj gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë”.

Ashtu si dikur Shën Nënë Tereza e quajti veten si një lap i vogël në duart e Zotit, edhe Shën Jeronimi e ka quajtur veten si një “vegël të Zotit”, që shërbeu “për t’ia dhënë mbarë njerëzimit Biblën, nëpërmjet ‘Vulgatës;, përthimit të shkëlqyeshëm në gjuhën latine, me shekuj si burim jete dhe frymëzimi për fe, traditë, kulturë dhe qytetërim evropian dhe botëror.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat