Bashkëpunimi i universiteteve amerikane dhe shqiptare

Amerika

Bashkëpunimi i universiteteve amerikane dhe shqiptare

Më: 12 maj 2022 Në ora: 19:06
Bashkëpunimi i universiteteve amerikane dhe shqiptare

Universitetet amerikane dhe ato shqiptare po zgjerojnë bashkëpunimin akademik. Universiteti Rutgers (Rotgers) i Nju Xhersit ka arritur një marrëveshje me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë për shkëmbim të programeve studimore, të pedagogëve dhe studentëve.

Universiteti Rutgers, një nga universitetet e njohur të mjekësisë në SHBA, po mirëpret grupin e parë me 5 studentë dhe dy pedagogë të mjekësisë dentare nga Shqipëria.

Ky është vetëm fillimi i një marrëveshje bashkëpunimi që Universiteti Rutgers sapo ka arritur me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Bashkëpunimi konkret do të nisë me fakultetet e dentistikës dhe më pas do të zgjerohet me Universitetin e Mjekësisë.

Zëvendës-dekania e Rutgers School of Dental Medicine në Neë Jersey të SHBA, dr. Rosa Chaviano-Moran, ka ardhur një javë në Tiranë për të treguar mbi rezultatet e para të 5 studentëve shqiptarë dhe për mundësitë e shumta të bashkëpunimit mes dy universiteteve.

“Ne duam të bashkëpunojmë dhe të ofrojmë mundësi mjekëve shqiptarë të vijnë në SHBA, po ashtu studentët, fakultetet për shkëmbime studimesh. Po shohim mundësitë e bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, sepse e shohim si një mundësi të madhe të shkëmbejmë hapësirat akademike për doktorët shqiptarë dhe fakultetin, po ashtu edhe studentët amerikanë të vijnë këtu dhe të këmbejnë të rejat shkencore, përvojat dhe idetë” - thotë zonja Moran.

Marrëveshja parashikon shkëmbim të pedagogëve dhe studentëve, të zgjerohet bibliotekat online të dy universiteteve, si dhe kurse të ndryshme profesionale në të dy vendet.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë së, dr. Arben Gjata, thotë se bashkëpunimi shqiptaro-amerikan në këtë fushë ka nisur qysh në fillim të viteve 90, por risia e marrëveshjeve të tanishme janë programet e përbashkëta studimore, të përditësuara vazhdimisht me të rejat shkencore të kohës.

“Ka qenë Albanian Health Fond organizata e cila hodhi bazat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, dhe mjaft pedagogë e studentë stanë janë trajnuar dhe formuar në SHBA. Ky i sotmi është një hap më tutje bashkëpunimi me një universitet si Rutgers i Neë jersey-t, sidomos shkolla e dentistikës, që i hap mundësitë në perspektivë edhe programeve të përbashkëta në anglisht me ta” - tha zoti Gjata.

Fakulteti i Mjekësisë Dentare është i pari që po përfiton nga bashkëpunimi me Universitetin Rutgers të SHBA, ndonëse edhe më herët studentë të tij kanë provuar sukses studimet në Neë Jersey. Dekania Edit Xhajanka thotë se programet dhe curicula janë të përafërta dhe shumë prej lëndëve që studiohen në Shqipëri, njihen edhe nga curicula amerikane.

“Studentë tanë të diplomuar në Fakultetin e mjekësisë dentare kanë patur mundësi të vazhdojnë dhe të finalizojnë një cikël studimesh në Rutgers School në SHBA. Dr. Rosa paraqet studentët në foto atje, të cilët një pjesë të curiculës e kanë të njohur që në Tiranë nga fakulteti ynë, dhe pjesën tjetër e kompletojnë në vitet pasardhëse në Rutgers School” - thotë zonja Xhajanka.

Të rejat më të fundit nga këto bashkëpunime u bënë të ditura sot në Konferencën e përvitshme të Shkencave Mjekësore.

Krahas programeve të bashkëpunimit me universitetet amerikane, risia këtë vit është edhe hapja e tre programeve të përbashkëta me universitetet europiane, që do të zhvillohen në gjuhë të huaj, prej nga do të dalin diploma të përbashkëta.

Universiteti i Mjekësisë synon që të gjithë programet e studimit t’i bëjë programe të përbashkët me universitete ndërkombëtarë brenda një periudhe afatmesme./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat